Mashtrimi me privatizim

Ekonomia April 04, 2018 - 07:48
Të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kanë nxjerrë të vërteten e privatizimit në Kosovë.

Të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) konfirmojnë se nga fillimi i procesit të privatizimit e deri më tash 1530 ndërmarrje shoqërore (NSH) në vlerë prej 593 milionë euro janë blerë nga biznesmenë kosovarë, derisa vetëm 34 NSH në vlerë prej 100 milionë euro janë blerë nga biznesmenë të huaj, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në tërë procesin e privatizimit janë vetëm 423 mijë euro të ardhura nga Gjermania.

Të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kanë nxjerrë të vërteten e privatizimit në Kosovë që nga përfundimi i luftës e deri më tash.

Në vazhdimësi ishte thënë se në procesin e privatizimit kanë marrë pjesë shumë kompani të mëdha nga shtete të ndryshme të botës.

LEXO EDHE: Ekstradimi i turqve, pasoja për Kosovën në KiE

Por, duke u bazuar në të dhënat zyrtare të publikuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) shihet se që nga fillimi i privatizimit e deri më tash 1 mijë e 530 ndërmarrje shoqërore apo nga 85,5 për qind të ndërmarrjeve të shitura në vendin tonë blerësit janë në Kosovë.

Për blerjen e këtyre ndërmarrjeve biznesmenët del se nuk kanë shpenzuar shuma të vogla. Në total vlera e përgjithshme e përfitimeve arrin në 593 milionë e 319 mijë e 842 euro.

Nga këto të dhëna të publikuara po del se biznesmenët kosovarë janë investitorët kryesorë në shtetin e tyre.

Mirëpo, këto shifra nuk dalin aq të mëdha kur vijnë në pyetje biznesmenët e huaj.

Menjëherë pas Kosovës, e dyta në renditje në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore listohet Zvicra.

Biznesmenët e shtetit zviceran kanë investuar plot 32 milionë e 150 mijë e 414 euro, duke privatizuar kështu vetëm 8 ndërmarrje shoqërore.

30 milionë euro nga Greqia

30 milionë e 100 mijë euro kanë investuar biznesmenët nga Greqia vetëm për privatizimin e një ndërmarrjeje shoqërore. Me këtë proces të privatizimit biznesmenët nga shteti i Maqedonisë kanë futur në Kosovë 14 milionë e 298 mijë e 999 euro, duke privatizuar kështu dy ndërmarrje shoqërore.

Gjithnjë duke iu referuar publikimeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nga Amerika janë futur 7.1 milionë euro për privatizimin e katër ndërmarrjeve.

Biznesmenët nga Shqipëria në privatizim të NSH-ve kanë futur në Kosovë 6.3 milionë euro, derisa ata nga Greqia 30 milionë euro vetëm për një ndërmarrje të privatizuar.

Biznesmenët nga Maqedonia në Kosovë kanë investuar 14 milionë euro në privatizimin e dy NSH-ve, ata nga Amerika 7.1 milionë euro me privatizim të katër ndërmarrjeve.

Po ashtu 5 NSH në Kosovë janë blerë nga biznesmenët e Shqipërisë në vlerën e 6.3 milionë eurove.

Biznesmenët austriakë kanë investuar në Kosovë 2.7 milionë euro nga privatizimi i dy ndërmarrjeve. Shumë prej dy milionë eurosh kanë investuar në Kosovë edhe biznesmenët e Belgjikës me privatizim të vetëm një ndërmarrjeje shoqërore.

Në këtë proces janë përfshirë edhe investitorët nga Dubai. Në Kosovë ata kanë investuar 1.4 milion euro me privatizim të një ndërmarrjeje. 1 milion euro janë investuar edhe nga Sllovenia, biznesmenët e të cilit shtet kanë privatizuar një ndërmarrje.

Në mesin e investitorëve nga vala e privatizimit të ndërmarrjeve në Kosovë nuk ka munguar as shteti i Turqisë.

Investitorët e këtij shteti kanë futur në Kosovë 1.4 milion euro nga privatizimi i një ndërmarrjeje. Mirëpo disa biznesmenë perëndimorë nuk duket se e shohin Kosovën si vend potencial për të investuar në të. Biznesmenët e shtetit të Kroacisë kanë investuar 810 mijë euro për një ndërmarrje të privatizuar.

Në shumë thuajse të njëjtë të investimeve është përfshirë edhe Franca.

Nga ky shtet në Kosovë kanë hyrë 630 mijë euro për një ndërmarrje të vetme shoqërore.

3 ndërmarrje janë privatizuar nga biznesmenët gjermanë në vlerë prej 423 mijë e 555 eurosh, nga Japonia 291 mijë euro për një ndërmarrje dhe nga shteti i Holandës 174 mijë e 250 euro për dy ndërmarrje të privatizuara.

Privatizimi u ndihmoi politikanëve të bëhen me prona

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë nuk i ka dhënë rezultatet e pritura. Disa ekspertë të ekonomisë po vlerësojnë se qëllimi i vetëm i privatizimit ka qenë që të bëhen me prona individët të cilët janë të lidhur për politikën.

Ismet Mulaj, njohës i çështjeve ekonomike, në një prononcim për “Zërin”, duke komentuar procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, ka thënë se privatizimi në Kosovë me politika të ndjekura është njëri ndër privatizimet më të dështuara.

“Politikat e AKP-së nuk kanë qenë që ndërmarrjet e privatizuara të krijojnë vende pune apo zhvillim ekonomik, prandaj i gjithë fokusi ka qenë që pronat shoqërore të bëhen me pronarë për 99 vjet. Këto politika të gabuara kanë krijuar prona me pronarë të rinj, por pa perspektivë zhvillimore”, ka thënë Mulaj.

Ai thotë se Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka pasur interes të tërheqë investuesit, por të bëjë me prona disa individë që kanë qenë të lidhur me politikën.

“Edhe përqindjet tregojnë që AKP-ja nuk ka pasur ndonjë interes që të tërheqë blerës me potencial investues, por t’i bëjë me prona disa individë të lidhur me politikën. Privatizimi në Kosovë me këto politika të ndjekura është njëri ndër privatizimet më të dështuara në vendet postkomuniste”, ka shtuar më tutje ish-drejtori i Odës së Afarizmit në Kosovë, Ismet Mulaj.

Ai ka drejtuar edhe disa kritika në drejtim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, duke kërkuar ndryshimin e politikave të privatizimit.

“AKP-ja është Agjencia më e përfolur për korrupsion dhe favorizim. Kuvendi asnjëherë nuk ka ngritur ndonjë komision hetimor që të verifikojë gjithë ato shitje e as që është angazhuar të ndryshojë politikat e privatizimit, t’i largohet fokusit që pronat shoqërore të bëhen me titullarë, por këto prona t’u ofrohen atyre që kanë financa dhe ide për t’i zhvilluar në ndërmarrje dinamike dhe zhvillimore për vendin”, është shprehur njohësi i rrethanave ekonomike.

Në anën tjetër Berat Rukiqi, profesor në Fakultetin Ekonomik, thotë se fakti që në Kosovë kanë investuar kompanitë tona është i mirëseardhur pasi privatizimet në Evropën Lindore nuk kanë nxitur investime të huaja.

“Fakti që kanë investuar kompanitë tona është i mirëseardhur. Privatizimet në përgjithësi në Evropën Lindore nuk kanë nxitur investime të huaja, sidomos në rastet kur ka pasur shumë paqartësi pronësore ose shumë probleme sociale si pasoja të numrit të madh të punëtorëve me të cilat kanë disponuar kompanitë para privatizimit”, ka thënë në një prononcim për “Zërin” Rukiqi.

Sipas tij, kjo nuk është një praktikë e re, por ai komenton edhe një aspekt tjetër, qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve pas privatizimit, që po lë pasoja.

“Pra nuk është praktikë e re. Mirëpo, fakti e modeli se nuk ka garantuar edhe qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve pas privatizimit është problem i cili po lë pasoja e pasoja”, ka shtuar më tutje eksperti i ekonomisë.

Privatizimi, pa rezultate

Ish-ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Haki Shatri e njëherësh këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se procesi i privatizimit në Kosovë nuk po i jep rezultatet e pritura për shkak të përdorimit të metodave.

“Procesi i privatizimit në Kosovë nuk i ka dhënë rezultatet e pritura. Për shumë arsye, ndoshta metoda që është përdorur në procesin e privatizimit nuk ka qenë më e mira në Kosovë, mënyra sesi është organizuar krejt procesi dhe dhoma e posaçme, vonesat në shqyrtimin e ankesave, procedurat, ka një  kompleks që nuk kanë mundësuar të arrihen efektet”, ka deklaruar Shatri.

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj thotë se në procesin e privatizimit nuk beson të jetë e përfshirë politika.

“Nuk  po flas për deformim individual, por parimisht parimet që janë vendosur rregullat, politikat operacionale, krejt këto janë vendosur për një strukturë që s’ka qenë e brendshme, të cilën s’mund të themi që ka qenë politike. UNMIK-u i ka vendosur atëherë rregullat, që kanë qenë në fuqi edhe pas shpalljes së Pavarësisë me transformimin e AKM-së në AKP praktikisht kanë mbetur të njëjta rregulla, asgjë s’është ndryshuar, veç emri i institucionit”.

“Krejt procedurat kanë mbetur të njëjta, por nuk mund të them që dikush i një përkatësie politike e ka adaptuar këtë politikë për nevoja të grupit ose të interesave të ngushta”, ka përfunduar Shatri.