645 mijë euro për kontestet gjyqësore të humbura në vitin 2017

Ekonomia April 02, 2018 - 08:24
Raporti i shpenzimit të buxhetit të Komunës së Skenderajt për vitin 2017 ka përplasur sërish këshilltarët komunalë të pozitës dhe të opozitës

Mehmet Berisha, drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, ka thënë se Komuna e Skenderajt ka hyrë në borxhe të detyrueshme që vijnë nga humbja e kontesteve gjyqësore. Sipas tij, këto borxhe kanë arritur në 645 mijë euro dhe duhet detyrimisht të paguhen gjatë këtij viti, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Raporti i shpenzimit të buxhetit të Komunës së Skenderajt për vitin 2017 ka përplasur sërish këshilltarët komunalë të pozitës dhe të opozitës, ndonëse nuk dihet tashmë se cilët janë pozitë e cilët opozitë.

Shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin e Skenderajt, Albert Rexhepi, është dashur disa herë të dalë në foltore dhe të përballet me ata që kritikonin raportin për shpenzimin e buxhetit.

Ai u është kundërvënë edhe atyre këshilltarëve komunalë, të cilët kanë qenë pjesë e Kuvendin edhe në mandatin e kaluar e të cilët nuk kanë dhënë asnjëherë asnjë vërejtje në raportet 3-mujore që janë paraqitur në Kuvend dhe ato janë përkrahur unanimisht, shkruan më tutje "Zëri".

Për të sqaruar rreth projekteve që janë realizuar në vitin 2017 është përpjekur të sqarojë edhe Musaj Hajdari nga PDK-ja.

LEXO EDHE: Bordi i AKP-së mbi 2000 euro për një mbledhje

Hysni Mehani (LVV), tha se “Vetëvendosja” do ta dërgojë raportin në Prokurori, pasi në të fshihen manipulime të mëdha dhe keqpërdorim i parasë publike.

Ai u ka bërë thirrje këshilltarëve komunalë që të mos e votojnë raportin, i cili sipas shefit të Grupit të Këshilltarëve të PDK-së Albert Rexhepi vetëm duhet të përkrahet që të mundë të dorëzohet në Ministrinë e Financave.

Mehmet Berisha, drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, sqaroi se raporti është hartuar në bazë të të dhënave që janë gjetur. Berisha tha se tani ka ndryshuara situata dhe është Zyra e Auditorit, ajo e cila pas auditimit të pasqyrave financiare nëse konstaton shkelje e dërgon raportin në Prokurori.

Ai tha se Drejtoria i ka shpëtuar 129 mijë euro, përkatësisht 258 mijë euro pa i marrë Ministria e Financave e Republikës së Kosovës, të cilët siç tha Berisha janë bartur dhe janë ridestinuar për projekte në vitin 2018.

Drejtori i DFZH-së në Komunën e Skenderajt, Mehmet Berisha, precizoi se Komuna në vitin 2017 ka mbetur në obligime në kategorinë ekonomike të shpenzimeve, të mallrave dhe të shërbimeve, shërbime komunal, subvencione dhe për projekte kapitale.

Sipas tij, Komuna ka mbetur në borxhe për 1.173.480 euro: 205 mijë euro për shërbime dhe mallra, 10.650 euro për shërbime komunale, 5 mijë euro për transferime dhe subvencione dhe 965 mijë euro për shpenzime kapitale.

“Obligimet e vitit 2017 janë planifikuar të mbulohen nga kategoria e mallrave dhe e shërbimeve, shërbimeve komunal dhe subvencioneve me buxhetin e këtij viti, varësisht prej bartësit të shpenzimit, ndërsa kategoria e projekteve kapitale pjesërisht me të hyra të bartura nga viti 2017 dhe nga buxheti i vitit 2018”, theksoi Berisha.

Ai përmendi edhe borxhet që personat fizikë dhe ata juridikë ia kanë Komunës së Skenderajt.

“Janë 1.160.00 euro që personat fizikë dhe personat juridikë ia kanë Komunës së Skenderajt për vitin 2017. Këto janë llogari të arkëtueshme dhe mekanizma me të cilët mundësohet inkasimi i këtyre mjeteve. Borxhet për tatimin në prone janë 746.000 euro, taksa komunale në biznes 240.000 euro, shfrytëzimi i pronës publike (renta) 84.000 euro, shfrytëzimi i pronës publike (qiraja) 24.000 euro dhe nga lejet e ndërtimit 60.000 euro”, ka precizuar Berisha.

Berisha tha në vijim se Komuna e Skenderajt ka hyrë në borxhe të detyrueshme që vijnë nga humbja e kontesteve gjyqësore.

Sipas tij, këto borxhe kanë arritur në 645 mijë euro dhe duhet detyrimisht të paguhen gjatë këtij viti.

Isa Fejzullahu (LDK) pyeti se a duhet dikush të përgjigjet për 645 mijë euro që kanë humbur dhe të cilat duhet paguar nga buxheti i sivjetmë.

Këshilltarët komunalë të Skenderajt kanë vlerësuar se në disa kategori janë bërë shpenzime të mëdha, duke veçuar 92 mijë euro shpenzime për derivate të automjeteve, që është 28 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2016, pastaj 54 mijë euro për ushqim dhe pije (Çerdhja e Fëmijëve) që është 25 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2016, si dhe 29 mijë euro për dreka zyrtare, që në fakt janë shpenzime për ushqimin e futbollistëve të Drenicës e që është për 12 për qind më e madhe se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.