Fitimet marramendëse, nga tarifa në Rrugën e Kombit

Ekonomia March 25, 2018 - 17:26
Ja sa para pritet të fitohen vetëm në vitin e parë

Shqipëria ka vendosur që të vë tarifë për veturat që kalojnë nëpër rrugn e kombit.

Pagesa për vetuar do të jetë pesë euro.

Sipas një studimi të fizibilitetit në Rrugën e Kombit kalojnë mesatarisht 6000 vetura brenda ditës.

Një përllogaritje me tarifën minimale pesë euro (sepse ka edhe tarifa të tjera), fitimet do të jenë afër 11 milionë euro në vit, njofton Klan Kosova.

Por, kur shtohen këtu edhe pagesat për mjete të mëdha si autobus e kamion që tariforen më shumë, atëherë kjo shumë pritet të rritet edhe më.

Për rreth 30 vjet pritet që fitimet të jenë afër gjysmë-miliardi.

Siç dihet, rruga e kombit është e lëshuar me koncesion për 30 vjet tek një kompani turke dhe dy shqiptare.

Qeveria e Shqipërisë ka njoftuar se nuk mund të zbresë çmimin e përcaktuar për të paguar kushdo që kalon nëpër autostradat shqiptare përfshirë edhe Rrugën e Kombit. Këshilltari i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës, Dardan Malaj, ka thënë se gjithë procedurat tenderuese dhe të koncesonimit kanë kaluar më 2016. Ka thënë po ashtu se reagimi i Ministrit kosovar Pal Lekaj ka ardhur për shkak të mungesës së informacioneve.

Sidoqoftë, për këtë taksë ka pasur reagime në Kosovë dhe Shqipëri.

Sali Berisha e ka quajtur plaçkë të Edi Ramës këtë taksë dhe ka thënë se nuk duhet të vendoset për shkak se e njëjta rrugë i sjell Shtetit 300 milionë euro në vit.

Ndërkohë, avokati Dastid Pallaska ka thënë se Edi Ramës i është harxhuar tregu i drogës ndërsa paratë po tenton t’i mbledh përmes taksës për Rrugën e Kombit.
Në këtë frymë, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se do të kërkojë sqarime nga Shqipëria për këtë taksë. Madje, ka thënë se për këtë veprim nuk ka pasur fare konsultime.

Sipas të dhënave të publikuara para një viti kur ishin dhënë në koncesion autostradat e Shqipërisë, për autobusët, dhe mjetet e tjera me gjashtë rrota, që hyjnë në kategorinë E dhe F, koeficienti është 2.25. Pra taksa për ta do të jetë rreth 11 euro. Koeficienti për automjetet me 6 rrota, kamionët e mesëm të kategorisë G, koeficienti është 3.25 dhe taksa për ta do të jetë sipas llogarive është rreth 16 euro. Për kamionët e rëndë të kategorisë H, koeficienti do të jetë 4.5, dhe ata do të paguajnë plot 23 euro.
TAKSAT E RRUGËS SË KOMBIT

Mjetet me 3 rrota                       2.5 euro
Mjete me 4 rrota                        5 euro
Mjetet me 6 rrota, autobusët  11 euro
Mjetet e rënda, kamionët        26 euro
Mjetet e rënda, kategoria H    23 euro

Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Infrastrukturës sqaron se “në Marrëveshjen e koncesionit, datë 6.12.2016 “Për ndërtim, përmirësim, shfrytëzim, mirëmbajtje të Autostradës Milot Morinë”, miratuar me VKM nr.870, datë 14.12.2016 “Për miratimin e kontratës se koncesionit, “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot – Morine”, ndërmjet Republikës se Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dhe Konsoriumit “Catalyst Viva Das General Contracting, LLC-Salillari shpk – Bee Tech-Violiap Ateve – Kastrati sh.a., ndër të tjera parashikohet se Koncesionari përdor një shesh me dy kahe për pagimin e taksës ne afërsi të tunelit të Thirrës dhe Koncesionari mbledh dhe mban të ardhurat nga taksa e rrugës”.