6 shqiptarë e 3 serbë në Bordin e “Trepçës”

Ekonomia March 24, 2018 - 08:05

Për Bordin Mbikëqyrës të “Trepçës”, i cili sipas Ligjit për “Trepçën” zgjedh bordin menaxhues, kanë konkurruar 120 kandidatë, nga të cilët 7 janë serbë. Më 25 mars komisioni vlerësues do t’i intervistojë kandidatët dhe do t’i përzgjedhë 9 prej tyre, 6 shqiptarë dhe 3 serbë. Ministri Lluka: Si në rastin “Tmava” në jug, edhe në veri kompetencat nga drejtori i kanë kaluar zëvendësdrejtorit dhe drejtorit financiar, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Me fillimin e muaj prill do të zyrtarizohet përfundimisht Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës”, i cili pastaj sipas Ligjit për “Trepçën” do ta formojë bordin menaxhues me çka praktikisht do të nisë zbatimi i Ligjit për “Trepçën”, i miratuar në Kuvendin e Kosovës para 16 muajve. Qeveria e Kosovës ka qenë dashur që për gjashtë muaj t’i zgjedhë bordet pa të cilat ligji nuk ka mundur të funksionalizohej, por as Qeveria e Isa Mustafës e as Qeveria e Ramush Haradinajt nuk kanë arritur të bëjnë asgjë. Kjo e fundit ka shpallur konkursin për Bordin Mbikëqyrës, i cili përbëhet nga 9 anëtarë dhe të cilët nuk mund të jenë pjesë e subjekteve politike, por ekspertë të fushave të caktuara. Kanë konkurruar 120 kandidatë, në mesin e të cilëve, siç thotë ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin LLuka, edhe 7 serbë por komisioni vlerësues, ndonëse konkursi është mbyllur qëmoti nuk ka kryer intervistimin e kandidatëve. Më herët ishte thënë se nuk ka konkurruar asnjë serb për Bordin Mbikëqyrës dhe se për ta plotësuar këtë Qeveria ka përfshirë emrat e disa sindikalistëve serbë të “Trepçës” në veri.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka sqaruar se me skadimin e mandatit të drejtorit Ahmet Tmava kompetenca për ta drejtuar gjigantin ekonomik kosovar ka kaluar te zëvendësdrejtori dhe te drejtori financiar. Ai siguroi se kjo është e paraparë me ligj.  “Baza ligjore ekziston që të gjitha punët menaxheriale kalojnë me automatizëm te zëvendësdrejtori dhe të drejtori financiar. Do të thotë, kur mungon drejtori atë e zëvendëson zëvendësdrejtori dhe këtu nuk ka asnjë paqartësi. Njëjtë kemi vepruar edhe me ‘Trepçën’ në veri, edhe atij i ka skaduar mandati sikurse Tmavës në jug dhe të gjitha punët menaxheriale të drejtorit të ‘Trepçës’ në veri i kanë kaluar zëvendësit të tij dhe drejtorit financiar”, ka thënë Lluka, i cili ka pranuar se ai si ministër dhe asnjë tjetër nga Ministria e tij nuk kanë shkuar në “Trepçë” në veri për ta përcjellë situatën dhe për t’i kryer këto ndryshime të domosdoshme.  “Fizikisht nuk kam qenë atje (në ‘Trepçë’ në veri), nuk e di a shkon ai drejtori atje në punë apo jo, por situata është e njëjtë sikurse në jug, edhe atje kompetencat kanë kaluar te zëvendësdrejtori dhe te drejtori financiar”, ka sqaruar ministri Lluka.

 Dimikiq vazhdon edhe më tutje të udhëheqë me “Trepçën” në veri

Por burime të gazetës në veri i kanë thënë “Zërit” të hënën se drejtori i “Trepçës” në veri Jovan Dimikiq vazhdon edhe më tutje të udhëheqë me “Trepçën” në veri dhe se nuk ka asnjë ndryshim në punën e manxhmentit të “Trepçës” në veri.  “Jo, jo, Jova është drejtor e do të jetë edhe më tutje. Ne nuk kemi asgjë të bëjmë me ‘Trepçën’ në jug dhe as me institucionet e Prishtinës. Ndryshimet mund t’i bëni atje, jo këtu. E dini që ‘Trepça’ është e Serbisë dhe se ligji të cilin e kanë miratuar institucionet e Prishtinës nuk mund të zbatohet në pjesën veriore”, ka thënë D.S., punëtor i “Trepçës” në veri.

Dhe pikërisht pengesat në formimin e Bordit Mbikëqyrës kanë ardhur nga përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës, të cilët nuk kanë pranuar fare që të jenë pjesë e Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës. Ata e kanë kundërshtuar Ligjin për “Trepçën”, ndërsa nuk kanë lejuar fare që serbët të paraqiten në konkursin e shpallur për Bordin Mbikëqyrës të “Trepçës”, ndonëse ministri Lluka insiston se janë 7 kandidatë serbë për Bordin Mbikëqyrës.

Lluka: Qeveria e Kosovës është duke biseduar vazhdimisht me Listën Serbe

Sipas Ligjit, parashihet që në Bord të “Trepçës” duhet të jenë 9 anëtarë, prej tyre 3 nga komuniteti serb dhe 6 nga komuniteti shqiptar, nga të cilët 5 do të jenë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe një përfaqësues i Sindikatës së “Trepçës”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke biseduar vazhdimisht me Listën Serbe për t’i bindur që të pranojnë të jenë edhe serbët në Bordin Mbikëqyrës dhe në atë Menaxhues, pasi “Trepça” është një dhe e pandashme, por deri më tani nuk është arritur asnjë kompromis me serbët. Madje mësohet se edhe kur ka hyrë në koalicionin qeverisës me PDK-në, AAK-në e Nismën, Lista Serbe si kusht ka shtruar edhe çështjen e “Trepçës”, të cilën tani ata insistojnë ta zbatojnë.

“Kemi pasur bisedime në mes të Qeverisë së Kosovës dhe të Listës Serbe, nga të cilët normalisht se duhet të kemi një aprovim për arsye se shumë projekte duhet të kalojnë në Kuvendin e Kosovës për zhvillimin e ‘Trepçës’. Bisedimet kanë qenë duke u zhvilluar në vazhdimësi, për shkak se ka pasur mospajtime në kohë të caktuara. Por, besoj se këto ditë jemi përafruar mjaft shumë, që japin edhe dritën e gjelbër për rekrutimin e Bordit. Gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve do të respektohen të gjitha procedurat ligjore, si edhe kriteret e kërkuara përmes konkursit, të cilat vlejnë për secilin kandidat, pa marrë parasysh se cilit komunitet i përket”, ka thënë ministri Lluka. 

Në anën tjetër, dihet tashmë se serbët insistojnë që Ligji për “Trepçën” të mos jetësohet asnjëherë, pasi vlerësojnë se “Trepça” është pronë e Serbisë. Kur është miratuar Ligji për “Trepçën”, jo vetëm veriu i Kosovës, menaxhmenti e punëtorët e “Trepçës” në veri, por edhe e gjithë Serbia ishte “çuar në këmbë”, duke ia bërë të ditur Qeverisë në Prishtinë se ky ligji nuk do të jetë i zbatueshëm në veri. Madje edhe kryetari i Gjykatës së Mitrovicës me sistemin e Serbisë, Nikolla Kabashiq, i cili pas Marrëveshjes për Gjyqësorin e Integruar në mes Prishtinës dhe Beogradit dhe pas shuarjes së gjykatave paralele është emëruar kryetar i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, kishte urdhëruar gjykatësit serbë që të mos e zbatojnë asnjë vendim të Prishtinës në pjesën veriore të vendit./ZËRI