Rrugët e trotuaret shndërrohen në “patinazh”

Ekonomia March 23, 2018 - 07:57
Lexo detajet

Bora e cila ka rënë ditëve të fundit ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e komunikacionit, duke shkaktuar kështu edhe probleme për qytetarët, të cilët kanë fajësuar organet kompetente për mosndërmarrjen e masave adekuate për pastrimin e rrugëve dhe të trotuareve, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

B. K., qytetar në komunën e Prishtinës, i ka thënë gazetës “Zëri” se e ka shumë të vështirë që të ecën në trotuar pasi rrugët janë të papastruara.

“Po kemi vështirësi, rrugët janë të papastruara, trotuaret janë të papastruara. Institucionet asnjëherë nuk kanë bërë sa duhet që t’i pastrojnë rrugët, çdoherë gjërat shkojnë duke u zvarritur te ne”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Demhasaj: Prokurorët e gjyqtarët t’i përshpejtojnë rastet e korrupsionit

Po ashtu edhe M. H. tregon që e ka shumë problem të ecën nëpër trotuare pasi borën të cilën e largojnë nga rruga e hedhin në trotuar dhe ajo bëhet baltë.

“Trotuaret janë shumë të papastra, ka shumë borë, pasi pastrojnë rrugën balta që bie në trotuar ndikon që rrugët të jenë edhe më vështirë të kalueshme”, ka thënë ajo.

MI: Të gjitha rrugët janë të kalueshme

Në anën tjetër Rexhep Kadriu, zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës, ka thënë se kompanitë e angazhuara nga Ministria kanë pastruar të gjitha rrugët magjistrale në të gjithë Kosovën.

“Që nga ora një pas mesnate Ministria e Infrastrukturës është angazhuar që ta bëjë pastrimin e rrugëve. Në nivel të vendit janë angazhuar të gjitha kompanitë e kontraktuara nga Ministria”, ka thënë ai. Ai po ashtu ka thënë që të gjitha rrugët në Kosovë janë të hapura për qarkullim. “Konfirmoj se të gjitha rrugët janë të hapura, si dhe të gjitha pikat kufitare janë të kalueshme”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Ministria është në bashkëpunim të vazhdueshëm me qytetarët dhe me Policinë e Kosovës në mënyrë që të ketë qarkullim sa më të lehtë për qytetarët.

Lidhur me gjendjen e rrugëve në kryeqytet kanë qenë të kontaktuar zyrtarë nga Komuna e Prishtinës, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

45 aksidente për 24 orë

Zyrtarë nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur që janë shtuar masat e kontrollimit të rrugëve dhe se ata janë në bashkëpunim me të gjitha qendrat rajonale për menaxhimin e situatës.

“Policia për të shtuar sigurinë të trafik, tani ka në zbatim një plan operativ ku parashihet kontroll më i shtuar në rrugë, bashkëpunimi me komunat në aspektin e shtimit të sigurisë në trafik është në nivel të duhur, ky bashkëpunim shtrihet në nivelin lokal të Policisë, ku stacionet policore dhe drejtoritë rajonale policore kanë krijuar tashmë komunikim të rregullt ndërinstitucional”, kanë thënë ata.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, shihet se në 24 orët e fundit nuk ka pasur asnjë aksident me fatalitet, aksidente me të lënduar kanë qenë 18, aksidente pa lëndime 27, si dhe janë shqiptuar 973 tiketa trafiku.

Po ashtu zyrtarë nga kompania “Pastrimi”, përgjegjëse për pastrimin e disa rrugëve në kryeqytet, kanë thënë për “Zërin” se kompanitë e tyre janë në terren dhe po punojnë në largimin e borës nga rrugët dhe trotuaret.

“Prej rr. ‘Ilir Konushevci’ e deri te rr. ‘Bajram Bahtiri’ janë rrugët për të cilat është e kontraktuar Komuna e Prishtinës për mirëmbajtjen e sezonit veror dhe dimëror, konkretisht Llotoja e V, ekipet janë duke pastruar rrugët nga bora, është duke u hedhur kripë dhe rërë”, kanë thënë ata. Sipas tyre, të gjitha rrugët janë të qarkullueshme dhe nuk ka vështirësi.

Islami: Kompanitë, shakatare për aksidentet e shumta

Eksperti i sigurisë Avni Islami, i cili në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka thënë që për zvogëlimin e aksidenteve në trafik do të duhej të bëhet mirëmbajtja e duhur e rrugëve nga kompanitë e pastrimit.

“Asnjëherë nuk do të duhej që fjala befasi të hyjë në zhargonin e rëndomtë për mirëmbajtjen e rrugëve, janë institucionet përkatëse dhe duhet të jenë 24 orë në gjendje gatishmërie për mirëmbajtjen e rrugëve, sidomos të atyre nacionale”, ka deklaruar ai.

Lidhur me numrin e madh të aksidenteve ai ka thënë që fajtorë nuk janë vozitësit, por kompanitë të cilat janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve.

“Unë nuk do t’i fajësoja vozitësit, sepse ata kur kushtet atmosferike janë të vështira janë më të kujdesshëm, por në këtë rast ata që thirren për mirëmbajtjen e rrugëve nuk i kanë kryer detyrat si duhet,” ka shtuar ai.