Demhasaj: Prokurorët e gjyqtarët t’i përshpejtojnë rastet e korrupsionit

Ekonomia March 23, 2018 - 07:54
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Fundi i vitit 2018 ose fillimi i vitit që vjen mund t’ua sigurojë qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë në vendet e Bashkimit Evropian (BE). Kështu po shpresojnë analistët e ngjarjeve politike në vend, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Arton Demhasaj, nga organizata për demokraci, kundërkorrupsion dhe dinjitet “Çohu”, në një intervistë të shkurtër për “Zërin” ka thënë se nëse ndiqen disa hapa proceduralë fillimi i vitit 2019 mund ta gjejë Kosovën me liberalizim të vizave.

LEXO EDHE: Vazhdon dialogu, takohen Thaçi e Vuçiq

“Fillimi i vitit 2019 mund të jetë koha kur Kosovën mund ta zërë me liberalizim të vizave, sepse nëse tash fillon të bëhet matja e progresit në luftën kundër korrupsionit për një muaj mund të ketë një raport, diçka konkrete edhe pastaj procesi procedural që zgjat në Bashkimin Evropian përafërsisht edhe gjashtë muaj, atëherë mund të jetë fundi i këtij viti ose eventualisht fillimi i vitit tjetër që kosovarët të lëvizin lirshëm”, ka thënë Demhasaj, ndërsa “vetëm ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi nuk ua garanton qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë për në vendet e Bashkimit Evropian. 

Ky ishte vetëm njëri nga dy kriteret që BE-ja ia kishte vendosur Kosovës për liberalizim vizash.

Luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit tash është kushti tjetër që Kosova duhet ta përmbushë për t’ua mundësuar qytetarëve të saj lëvizjen e lirë. Bashkimit Evropian (BE) i mbetet të bëjë një matje në progresin që Kosova ka shënuar duke luftuar krimin e organizuar”.

Demhasaj, nga organizata për demokraci, kundërkorrupsion dhe dinjitet “Çohu”, gjatë kësaj interviste ka treguar hapat e mëtejmë të Kosovës për lëvizje të pakusht në Zonën Schengen.

“Nuk konsiderohet si liberalizim i vizave derisa nuk kemi edhe një mendim ose një vendim në Bashkimin Evropian se sa është bërë progres në luftën e korrupsionit për arsye se e dimë që kushtet e fundit për liberalizimin e vizave kanë qenë ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionin dhe luftimi i korrupsionit e i krimit të organizuar”, ka thënë Demhasaj.

Ai më tej ka shtuar se meqenëse çështja e demarkacionit ka përfunduar, Bashkimi Evropian do të matë progresin në luftën kundër korrupsionit dhe do të dalë me një vendim.

“Tash teknikisht pasi është kryer çështja e demarkacionit, atëherë BE-ja sigurisht se ka për t’u ulur dhe për ta matur se sa është bërë progres në luftën kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar, në mënyrë që më pastaj të dalë me një vendim se a konsiderohet apo jo i kryer kushti i luftimit të korrupsionit. Sepse ky nuk është një kusht që një herë kryhet dhe përfundon, por është e vazhdueshme që të luftohet në luftën kundër korrupsionit”, ka sqaruar më tej.

Drejtori i organizatës “Çohu” ka treguar se ekziston një databazë e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial që në vazhdimësi i raporton Brukselit për trajtimin e lëndëve, të cilat lidhen  me liberalizimin e vizave.

“Ata kanë të dhëna të cilat direkt raportohen. Është një databazë e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial që në vazhdimësi raporton në Bruksel se si po trajtohen lëndët të cilat janë të përzgjedhura, por që lidhen me liberalizimin e vizave. Me siguri kanë për t’u ulur e do ta matin këtë progres dhe kanë për të dalë me një raport për të treguar se sa ka shënuar Kosova progres në këtë aspekt dhe pastaj të marrin një vendim se a konsiderohen a po jo të kryera kushtet që pastaj t’i kërkohet Këshillit të Bashkimit Evropian ta votojnë Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave”, ka shpjeguar ndër të tjera Demhasaj.

Lëndët e zyrtarëve shtetërorë të përfshirë në korrupsion duhet të përshpejtohen

Rastet e zyrtarëve shtetërorë që zvarriten nëpër gjykata e prokurori duhet të mbesin parësore për institucionet e drejtësisë që të krijohet një pasqyrë e BE-së se Kosova po punon në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Demhasaj thotë se ky do të mundë të ishte një tregues i mirë karshi Bashkimit Evropian se po luftohet krimi i organizuar.

“Kjo është koha ku të paktën gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët janë të angazhuar në këtë proces e në këto lëndë, kanë për të qenë ndoshta pak më të vëmendshëm në mënyrë që t’i përshpejtojnë ato e që të jenë një tregues se jemi duke i trajtuar dhe të konsiderohen si pozitive. Ishte dashur të ndodhë kjo që këto lëndë të vlerësohen me prioritet për të qenë një tregues karshi Bashkimit Evropian se jemi duke bërë punë karshi luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit”, ka thënë drejtori i organizatës “Çohu”. Sipas tij,

Qeveria dhe asnjë institucion tjetër nuk mund të kenë informata se si janë bërë vlerësimet nga Bashkimi Evropian.

“Asnjëherë nuk ka qenë e prerë që posa të miratohet Demarkacioni vjen liberalizimi i vizave. Të gjithë e kemi ditur se është edhe luftimi i korrupsionit por asnjëherë as Qeveria, asnjë institucion tjetër nuk mund ta dijë si kanë për ta vlerësuar Bashkimi Evropian”, ka sqaruar ndër të tjera ai.

Demarkacioni kaloi nën “erën” e gazit

Plot tre vjet i janë dashur deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t’i thonë po nënshkrimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Gazi lotsjellës në Kuvend ishte strategjia që deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” e kishin parë të nevojshme për të mos e lejuar kalimin e një marrëveshjeje të tillë.

Ky gaz i hedhur gjatë ditës së mërkurë ditën kur u votua kjo marrëveshje bëri që seanca të ndërpritej katër herë. “Vetëvendosjes” i janë arrestuar shtatë deputetë e ata nuk ngurronin t’u vinin epitete të ndryshme atyre që votuan pro marrëveshjes, ndërsa 18 deputetë të “Vetëvendosjes” u përjashtuan nga seanca.

Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi u kundërshtua nga 11 deputetë, ndërsa gëzoi votat  e 80 prej tyre.

Ishin deputetët e pozitës (PDK-AAK-Nisma-AKR, 6+), nga Grupi Parlamentar i LDK-së, 6 deputetë pa grupe parlamentare dhe Adem Hoxha i vetëm nga Lista Serbe.

Të prerë kundër marrëveshjes ishin deputetët e “Vetëvendosjes” dhe të Grupit të Deputetëve të Pavarur.

Kalimit të kësaj marrëveshjeje i janë gëzuar edhe ndërkombëtarët, të cilët me thirrjet e tyre shprehnin kënaqësi për kalimin e saj.

Në mesin e tyre ishin ambasadori amerikan i Shtetit Greg Delawie, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian Federica Mogherini, raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian Tanja Fajon dhe komisionari për Çështje të Brendshme i BE-së Dimitris Avramopoulos.