Serbia nuk lejon largimin e kodit +381 nga Kosova

Ekonomia March 22, 2018 - 07:57

Pas njoftimit të Telekomit të Kosovës se nga 24 marsi pushojnë prefikset +381 (Serbia), +377 (Monako), +386 (Sllovenia) dhe se do të shfrytëzohet vetëm prefiksi +383 ka reaguar Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila ka siguruar se për serbët e Kosovës nuk do të ndryshojë asgjë as në telefoninë fikse e as në atë mobile, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Qeveria e Serbisë nuk ka pranuar që të pushojë së funksionuari kodi telefonik i Serbisë në Kosovë +381 nga 24 marsi, kur do të shfrytëzohet vetëm kodi +383, i cili i është ndarë Kosovës duke u bazuar në marrëveshjen në Bruksel në mes të Beogradit dhe Serbisë. Telekomi i Kosovës ka njoftuar se që nga 24 marsi pushojnë prefikset +381 (Serbia), +377 (Monako), +386 (Sllovenia) dhe se do të shfrytëzohet vetëm prefiksi +383, i cili i është ndarë Kosovës me marrëveshjen e Brukselit.

“Marrëveshja për Telekomunikacionin, që është arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka mundësuar që ITU-ja t’ia caktojë Kosovës prefiksin ndërkombëtar +383, duke siguruar se autoriteti rregullativ për telekomunikacion i Kosovës – AKREP është administrator i vetëm që mund të komunikojë dhe t’i koordinojë aktivitetet adekuate të ITU-së”, thuhet në një komunikatë të Telekomit të Kosovës, të cilin e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës.

Sipas Marrëveshjes, prefiksi i vetëm ndërkombëtar në Kosovë që mund të shfrytëzohet është +383. Me të njëjtën marrëveshje, sipas serbëve, në Kosovë mundësohet puna pa pengesë e Telekomit të Serbisë, ndërsa MTS-ja do të marrë leje të përkohshme për telefoninë mobile, e cila duhet të regjistrohet me ligje të Kosovës.

Kozarev: Çfarëdo njoftimi për shuarjen e prefiksit +381 në Kosovë është gënjeshtër

Në anën tjetër, Qeveria e Serbisë nëpërmjet Zyrës për Kosovën ka siguruar serbët se për ta nuk do të ndryshojë asgjë as në telefoninë fikse e as në atë mobile, shkruan tutje gazeta "Zëri".

Dushan Kozarev, zëvendësdrejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se çfarëdo njoftimi për shuarjen e prefiksit +381 në Kosovë është gënjeshtër.

“Ekziston plani aksional i hartuar qartë me të cilin është definuar kur do të bëhet dhe çfarë do të bëhet në kontestin e telekomunikacionit, kështu që çdo pohim për largimin e prefiksit serb +381për shfrytëzuesit në Kosovë është gënjeshtër. Prishtina si gjithmonë, me qëllim apo gabimisht, po i interpreton marrëveshjet për telekomunikacionin, po përpiqet të krijojë huti dhe pezëm tek popullata serbe në Kosovë. 

Për serbët nuk do të ndryshojë asgjë as në telefoninë fikse e as në atë mobile”, ka thënë Kozareve, të mërkurën. Kodi telefonik +383 i është ndarë Kosovës në dhjetorin e vitit 2016, pasi që Prishtina dhe Beogradi kishin arritur Marrëveshje për Telekomunikacionin. Në maj të vitit 2017 kanë pushuar të funksionojnë operatorët serbë të telefonisë mobile, “VIP mobile” dhe “Telenor”, ndërsa MTS-ja e regjistruar me sistemin kosovar si MTS SHA, e cila funksionon me leje të përkohshme dhe të kufizuar. Më 2 maj 2017 kishte filluar largimi i 10 stacioneve bazë të operatorëve të telefonisë mobile “Telenor” dhe “Vip mobile” “064” dhe “065”, nga të cilat dy shtylla i janë dhuruar Leposaviqit dhe Mitrovicës Veriore, ndërkohë që në marrëveshje me MTS-në telefonia kishte vazhduar pa ndryshim të kushteve. Operatorët serbë të telefonisë mobile patën ndërprerë emetimin e sinjaleve të tyre sipas Marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit për Telekomunikacionin. Siç kishte njoftuar “Telenor” i Serbisë, nga 1 maji ka filluar emetimi i sinjalit të telefonisë mobile MTS pa asnjë ndryshim. 

Gashi: Implementimi i kodit po ecën mirë

Kryetari i ARKEP-it, Kreshnik Gashi, ka thënë se implementimi i kodit shtetëror të telefonisë +383 për Kosovën është duke ecur në drejtimin e duhur dhe do të përfundojë brenda afatit të paraparë. Tanimë thirrjet dhe mesazhet në drejtim të Kosovës mund të pranohen me +383 nga pothuajse e gjithë bota. Kodi +383 tashmë po përdoret edhe nga aplikacionet e ndryshme për dërgimin e mesazheve verifikuese në drejtim të numrave tanë, një gjë e tillë po ndodh edhe me ‘Viber’, aplikacionin mjaft popullor te ne”, ka thënë ai. Ndryshe, i miratuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit në dhjetor të 2016-ës dhe i botuar në buletinin operacional të prefikseve të shteteve, kodi telefoni i Kosovës kaloi përmes një mori peripecish 2-vjeçare si rezultat i mospajtimeve të shumta në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Qeveria e Serbisë nuk ka pranuar të pushojë së funksionuari kodi telefonik i Serbisë në Kosovë +381 nga 24 marsi, kur do të shfrytëzohet vetëm kodi +383, i cili i është ndarë Kosovës duke u bazuar në marrëveshjen në Bruksel në mes të Beogradit dhe Serbisë. Telekomi i Kosovës ka njoftuar se që nga 24 marsi pushojnë prefikset +381 (Serbia), +377 (Monako), +386 (Sllovenia) dhe se do të shfrytëzohet vetëm prefiksi +383, i cili i është ndarë Kosovës me marrëveshjen e Brukselit./ZERI