Marrin pensione për të vdekurit, Ministria procedon 100 padi

Ekonomia March 19, 2018 - 08:16

Ministria e Punës ka proceduar 100 padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës pasi dyshohet se kanë përfituar jashtëligjshëm pensione për familjarët e vdekur, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Qytetarët e Kosovës të cilët kanë përfituar pensione në krah të familjarëve të tyre të vdekur më nuk do të kenë mundësi t’i gëzojnë ato. Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale (MPMS) tashmë ka filluar t’i pastrojë listat e përfituesve të paligjshëm të skemave pensionale.

Musa Demiri, zëdhënës për informim në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale, në një përgjigje me shkrim për “Zërin” ka treguar se vetëm gjatë vitit të kaluar janë shënuar 6118 raste të suspendimit.

“Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale për çdo muaj, pasi të bëhet pagesa e pensioneve, harton raportin për numrin e të suspenduarve nga skemat pensionale. Numri i suspendimeve është proces i përhershëm. Gjatë vitit 2017 ka pasur 6118 raste të suspendimit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë.

Mirëpo, nuk mungojnë as rastet kur familjarët e pensionistëve të vdekur nuk duan t’i kthejnë mjetet që i kanë marrë nga buxheti i shtetit. Për këtë (MPMS) ka proceduar 100 padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës. “MPMS-ja pas refuzimit të familjarëve të pensionistit të vdekur për t’i kthyer mjetet, që janë pasurim pa bazë, ka proceduar rreth 100 padi në gjykata”, kanë thënë tutje në Ministri.

Por, ende nuk dihen dëmet që i janë shkaktuar “buxhetit të shtetit” me këto përfitime joligjore. Në MPMS janë deklaruar se nuk mund të japin shifër konkrete përderisa nuk vendos gjykata për rastet.

Gazeta ia ka përcjellë pyetjet me shkrim edhe Gjykatës Themelore në Prishtinë, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Keqpërdorime me pensionet bazë, kontributpaguese e të personave me aftësi të kufizuara

Thuajse asnjë lloj i pensionit përfitues nuk është lënë pa u keqpërdorur nga familjarët e pensionistëve.

Në të dhënat që “Zëri” ka siguruar nga Ministria e Punës bëhet e ditur se 4224 persona më nuk marrin pensionin bazë (PB), të cilin e kanë keqpërdorur. Pasivizime të tilla të pensioneve vërehen edhe te llojet tjera të pensioneve. 1464 persona më nuk përfitojnë pensionet kontributpaguese (PK). Të tilla, pastrime me listat në skemat pensionale janë vërejtur edhe me pensionet për personat me aftësi të kufizuara (PPAK), ku janë pasivizuar 967 sosh. Ndërsa janë regjistruar edhe 104 pasivizime të kompensimit për personat e verbër, 33 pasivizime të pensioneve të “Trepçës” e 6 pasivizime me pensionet e Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

 

Evidentimet e tilla me keqpërdorime të pensioneve Ministria e Punës tregon se i bën përmes ekipeve mobile të Departamentit të Pensioneve që janë në terren, lajmërimit të vetë familjarëve në administratë dhe marrëveshjeve që ka me Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) dhe bashkësitë fetare të Kosovës.

Ndërkohë, në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) kanë bërë të ditur se janë në proces të auditimit të shkallës së zbatimit të rekomandimeve dhe të pasqyrave financiare të 2017-s për të gjitha organizatat buxhetore.

Zyrtarja për informim në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Qendresa Mulaj, ka treguar për “Zërin”se numri i rekomandimeve të dhëna për raportin e MPMS-së për vitin 2016 është 15. “Zyra Kombëtare e Auditimit është në proces të auditimit të shkallës së zbatimit të rekomandimeve dhe të pasqyrave vjetore financiare për vitin 2017 të të gjitha organizatave buxhetore. Raportet e auditimit do të publikohen më 30 qershor 2018. Numri i rekomandimeve të dhëna për raportin e MPMS-së për vitin 2016 është 15”, ka shpjeguar ndër të tjera Mulaj.

 Përfitimet e paligjshme të pensioneve i kanë vlerësuar si joetike ekspertët e ekonomisë.

Lulzim Beqiri, njohës i rrethanave ekonomike, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se Ministria e Punës duhet t’i ashpërsojë kriteret veçanërisht për përfituesit e skemës sociale. “Jemi dëshmitarë se ka përfitues të paligjshëm të skemave pensionale në Republikën e Kosovës. Është joetike për një familje e cila ka të ardhura, por prapëseprapë ajo përfiton në kurriz të të varfërve. Duhen ashpërsuar kriteret për skemën sociale. Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale duhet të ndalojë këtë manipulim të qytetarëve të pandërgjegjshëm”, ka thënë Beqiri.

Pensione, 12 muaj pas vdekjes së pensionistëve

Dy vjet më parë 115 mijë euro të buxhetit të shtetit kishin shkuar në xhirollogaritë e njerëzve, të cilët kishin vdekur. Ndonëse me ligj pensionet duhet të ndalen pas vdekjes së përfituesve Ministria e Punës nuk i kishte zbatuar procedurat ligjore.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) kishte gjetur se Ministria e Punës kishte paguar pensione deri në 12 muaj pas vdekjes së përfituesve. “Sipas ligjeve përkatëse të skemave pensionale dhe rregullave të aplikueshme, pensionet duhet të ndalen pas vdekjes së përfituesve. Nga krahasimi i të dhënave ndërmjet MPMS-së dhe ARC-së kemi konstatuar se gjatë vitit 2016 pensionet e paguara pas vdekjes së përfitueseve arrin vlerën 115,006€. Vlen të theksohet se kishte raste kur pensionet ishin paguar deri në 12 muaj pas vdekjes së përfitueseve”, thuhej në raportin për Ministrinë e Punës, që kishte bërë Auditori.

Nëse krahasohet me vitet paraprake (MPMS), sipas Auditorit, ka shënuar progres. Kjo pasi në vitin 2015 shuma e pensioneve të paguara pas vdekjes ishte 801 mijë e 723 euro.

Ndryshe, Ministria e Punës kishte nxjerrë një lloj udhëzimi administrativ, përmes të cilit pensionistët obligoheshin për t’u lajmëruar në departamentet përkatëse se janë gjallë.

Në rast se  pensionistët nuk lajmëroheshin në këto departamente pensionet duhej ligjërisht të ndaleshin.