Kërkohen sanksione për kompaninë që importoi mish të dyshimtë nga Belgjika

Ekonomia March 16, 2018 - 08:04
Lexo detajet

Qytetarët e Kosovës lehtësisht mund ta kenë konsumuar mishin e eksportuar nga  kompania belge “Veviba”, e cila dyshohet të ketë manipuluar me përmbajtjen e mishit dhe me etiketat e afatit të qëndrueshmërisë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Kompania belge “Veviba” dyshohet se këtë lloj mishi me përmbajtje të dyshimtë e ka eksportuar në Kosovë dy vjet më parë.

Ndërsa vetëm brenda një viti Kosova importon mbi 40 milionë kilogramë të të gjitha llojeve të mishit dhe nga Belgjika thuhet se importohen deri në 200 mijë kilogramë lloje të ndryshme të mishit.

Kështu bëhet e ditur në statistikat që Dogana e Kosovës ka dhënë për “Zërin”.

LEXO EDHE: “Vetëvendosja”, “e pavendosur” për koalicion me Shpend Ahmetin

Adriatik Stavileci, zyrtar për informim në Doganën e Kosovës (DK), ka treguar se vendet nga të cilat Kosova importon më së shumti mish janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Brazili, Argjentina dhe Holanda.

“Në Kosovë brenda një viti importohen mbi 40 milionë kilogramë të të gjitha llojeve së bashku. Sipas statistikave tona, më së shumti brenda një viti Kosova importon mishin e shpezëve (pulë). Derisa origjina e mishit, të cilat importohen më së shumti në Kosovë, janë kryesisht nga SHBA-ja, nga Brazili, nga Argjentina e nga Holanda”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës për Informim në Doganën e Kosovës.

Kërkohet mbyllja e firmës vendore që ka importuar mishin e dyshimtë

Kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaqaniku, insiston që organet kompetente duhet ta mbyllin firmën, e cila ka manipuluar me përmbajtjen e mishit.

“Pra, ajo që duhet të bëjmë tani është që edhe ne të kërkojmë nga organet kompetente ta mbyllin firmën vendore importuese, emri i së cilës po mbahet në fshehtësi. Kështu do t’i japim shembull të gjitha firmave e bizneseve tjera se me ligjet e me të drejtat dhe me dinjitetin e qytetarit konsumator, taksapagues nuk duhet abuzuar”, ka thënë në një prononcim për “Zërin” Kaqaniku.

Tutje, Kaqaniku ka shtuar se firma “Veviba” në vazhdimësi ka eksportuar mish të tillë në shtetet e rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën. “Organet kompetente dhe Parlamenti Belg, ani se me vonesë pas dy vjetësh, kanë reaguar në sajë të këtij denoncimi dhe fabrikën në fjalë e kanë mbyllur.

Gjatë hetimeve të bëra nga organet kompetente belge është konstatuar se firma në fjalë ‘Veviba’ vazhdimisht ka eksportuar mish të tillë në shtetet e rajonit edhe në Kosovë disa herë”, ka shpjeguar kryetari i organizatës “Konsumatori” Selatin Kaqaniku.

Për skandalin me mishin belg ka reaguar edhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) përmes një komunikate të lëshuar për medie. Në komunikatë ka propozuar që të merren disa veprime konkrete dhe ky rast të mos mbetet pa përgjegjësi.

OEK-u ka kërkuar që të identifikohet rrjeti tregtar i cili ka organizuar shitjen e mishit belg dhe të denoncohet publikisht, si dhe të operatorëve biznesorë të përfshirë në këtë rast t’u suspendohet licenca për import dhe për eksport. Më tej Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar që tregtia me produkte të rrezikshme dhe përdorimi i metodave të paligjshme për drejtim të konkurrencës të klasifikohen si veprime që sanksionohen me Kodin Penal.

“Të përkrahen prodhuesit vendorë të produkteve ushqimore në arritjen e standardeve dhe të cilësisë, por edhe në rritjen e kapaciteteve prodhuese. Të rritet buxheti për inspektime dhe për sigurim të standardeve dhe të cilësisë për të gjitha produktet që shiten në tregun e brendshëm. Të këtë angazhim të bizneseve për denoncim të praktikave të tilla që dëmtojnë konkurrencën dhe rrezikojnë të gjithë qytetarët”, thuhet më tej në komunikatën e OEK-ut.

Sipas tyre, ky rast duhet të jetë alarmi i fundit për veprim institucional në mbrojtje të konsumatorit dhe të konkurrencës së lirë në treg.

AVUK: Nga “Veviba” nuk është importuar mish prej vitit 2016

Ndryshe nga kryetari i organizatës “Konsumatori”, i cili thotë se Kosova ka importuar në vazhdimësi mish të kompanisë belge, është shprehur zyrtari për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinarisë së Kosovës (AVUK), Lamir Thaçi.

Në një prononcim për “Zërin” Thaçi ka deklaruar se prej shtatorit të 2016-s nuk është importuar më mish në Kosovë.

“Në bazë të atij rasti që e kemi zënë autoritetet belge kanë filluar hulumtimet dhe e kanë ndjekur kompaninë për dy vjet dhe tash i kanë bërë publike”, thotë Thaçi. Nga kompania ‘Veviba’ nuk është importuar më mish në Kosovë që prej shtatorit të 2016-s”, është shprehur Thaçi.

Vetëm gjatë vitit të kaluar AVUK-u ka kryer mbi 55 mijë inspektime dhe janë asgjësuar mbi 700 tonelata produkte me origjinë shtazore, bimore, si dhe produkte të tjera që nuk i kanë plotësuar kushtet.

Skandali i mishit të prishur në Belgjikë u zbulua javën që shkoi nga Agjencia Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC), i cili dyshohet se preku edhe Kosovën.

Kjo Agjenci kishte zbuluar se firma “Veviba” kishte bërë shitjen e sasive të mëdha të prishura në disa vende të Evropës Juglindore, por edhe në Kosovë.

Skandali me mishin belg ekspozon rrezikun e prodhimeve që shiten në Kosovë

Produktet ushqimore, të cilat konsumohen nga qytetarët e Kosovës, tashmë i janë ekspozuar një rreziku në treg. Kështu është shprehur në një prononcim për “Zërin” sekretari i përgjithshëm në Odën Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi.

Rukiqi ka apeluar se kjo çështje duhet të trajtohet në Qeveri dhe në Parlament.

“Skandali me mishin belg ka ekspozuar shumë qartë rrezikun e vazhdueshëm nga prodhimet që shiten në Kosovë, por për shkak të preokupimeve me temat ‘e rëndësishme’ politike ende nuk po e merr vëmendjen e duhur institucionale. Oda Ekonomike e Kosovës apelon që kjo çështje urgjentisht të trajtohet në Qeveri dhe në Parlament, si dhe përmes dialogut publiko-privat”, ka thënë sekretari i përgjithshëm në OEK.

Tutje, Rukiqi ka shtuar se 19 vjet pas luftës është dëshmuar që hapja e tregut për shumë institucione dhe biznese nënkupton tregti me produkte të cilësisë së dyshimtë.

“Këto çështje janë adresuar vetëm në mënyrë sporadike, pra vetëm kur janë zbuluar në raste të caktuara, por asnjëherë nuk ka ekzistuar një veprim i koordinuar i cili garanton se ajo që e konsumojmë është e sigurt dhe për të gjithë pjesëmarrësit në treg ‘rregullat e lojës’ janë të njëjta”, ka deklaruar ai.

Mishi i cili u eksportua nga mishtorja “Veviba” për në Kosovë thuhet të ketë qenë me afat të skaduar prej 12 vjetësh, ndërsa ka arritur në Kosovë më 19 shtator të 2016-s.