Lluka me standarde të dyfishta për Mustafën dhe për Tmavën

Ekonomia March 15, 2018 - 09:39
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka

Komisioni Ndërministror për Ndërmarrjet Publike, të cilin e kryeson ministri Valdrin Lluka, i kishte rekomanduar Qeverisë që t’ia vazhdojë kontratën kryeshefit të Telekomit Agon Mustafës, por jo edhe drejtorit të “Trepçës” Ahmet Tmavës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Një ditë para skadimit të kontratës së punës, më 23 shkurt 2018, Komisioni Ndërministror kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t’ia vazhdojë kontratën kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës Agron Mustafës, kompani publike kjo që qe një kohë funksionon pa bord të drejtorëve.

Por, për drejtorin e “Trepçës” Ahmet Tmavës, të cilit po ashtu më 6 shkurt të këtij viti i ka skaduar kontrata, Komisioni nuk bëri një rekomandim të tillë si për Mustafën.

Komisioni Ndërministror për Ndërmarrjet Publike kryesohet nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Tek një muaj pasi i kishte skaduar kontrata, Tmava të hënën dha dorëheqje nga pozita e tij si menaxher i këtij kompleksi industrial, duke theksuar se po largohet nën presionin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Valdrin Lluka. Ky i fundit ka mohuar presionet e tilla që i ka përmendur Tmava.

Në një prononcim për ZërinTmava ka treguar se në këtë periudhë tranzicioni ka pasur konfirmim prej Ministrisë që drejtohet nga Valdrin Lluka që ta vazhdojë punën e tij.

“Gjendja momentale e statusit të ‘Trepçës’ nuk i jep të drejtë ministrit të ndërhyjë në ‘Trepçë’. Mua nuk më skaduar kontrata tash, por më herët, në këtë periudhë tranzicioni unë e kam pasur konfirmimin prej vetë Ministrisë”, ka thënë Tmava.

LEXO EDHE: Punët në urë rifillojnë pas rundit të fundit të dialogut në Bruksel

Tmava thotë se nuk dëshiron të merret me ministrin Valdrin Lluka.

“Kemi të bëjmë me një skenar që mua nuk më ka mbetur në aspektin personal, interesi ka qenë përballja në këtë luftë tranzicioni. Unë mirë e kam përfunduar, ndihem shumë mirë që e kam lënë në një gjendje të qëndrueshme financiare, kurse me këto nivele kaq të ulëta si të ministrit nuk ia vlen të merresh me to”, ka shtuar më tutje ish-drejtori Tmava.

MZHE: Të gjitha ndërmarrjet publike i trajtojmë barabartë, pa përjashtime

Por, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik kanë deklaruar për “Zërin” se ministri Lluka nuk përdor asnjëherë standarde të dyfishta, duke i trajtuar të gjitha ndërmarrjet publike në mënyrë të barabartë, pa përjashtime.

Ndonëse për Tmavën e Mustafën nuk janë përdorur standardet e njëjta.

“Ministri Lluka dhe ministria që drejton, duke përfshirë edhe Komitetin Qeveritar për NP, që sipas ligjit kryesohet nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, trajton barabartë të gjitha ndërmarrjet publike mbi të cilat ushtron të drejtën e saj të monitorimit dhe të raportimit, duke përfshirë edhe secilin person fizik pavarësisht pozitës që ushtron. Pra, nuk ka kurrfarë përjashtimi”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës për Informim pranë MZHE-së.

Më tutje përmendet edhe mënyra sesi kryeshefit aktual të Telekomit Agron Mustafës i është vazhduar mandati.

“Komisioni Ministror në mbledhjen e datës 22 shkurt 2018 unanimisht, pas shqyrtimit të situatës në NP Telekomi i Kosovës ShA, i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e mandatit të kryeshefit aktual deri në zgjedhjen e bordit të drejtorëve, përjashtimisht më së largu deri në 3 muaj pas hyrjes në fuqi të vendimit”, është thënë në përgjigjen e kësaj ministrie.

Ndërsa për ish-menaxherin e “Trepçës” Ahmet Tmavën në mbledhjen e rregullt të Komitetit Qeveritar për Ndërmarrje Publike thuhet se komiteti është rezervuar nga e drejta për të shqyrtuar çështjen e mandatit të Tmavës për shkak të pamundësisë ligjore dhe të shkeljeve eventuale.

“Duke pasur në konsideratë gjendjen faktike në ‘Trepçë’; mungesën e Bordit Mbikëqyrës, që nënkupton pamundësinë e hartimit dhe të propozimit të mungesës së statutit të Ndërmarrjes, Ministria është kushtëzuar për regjistrimin e së njëjtës, që nënkupton pamundësi ligjore të marrjes së vendimeve, monitorimit, raportimit, propozimit dhe përgjithësisht juridiksion mbi ‘Trepçën’ nga ana e Komisionit Qeveritar për Ndërmarrje Publike, gjegjësisht të Qeverisë së Kosovës”, ka sqaruar MZHE-ja.

Derisa janë shprehur se për Komitetin në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik rrjedha e afateve kontraktuale për përfundimin e mandatit të ish-menaxherit të ‘Trepçës’ ka qenë e vetmja situatë ligjore.

Ekspertët e ekonomisë: Të largohen qasjet selektive

Pritshmëritë e ekspertëve të ekonomisë për gjigantin metalurgjik “Trepça” kanë qenë më të mëdha se largimi i ish-drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, të cilin e kanë pritur me shqetësim.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu në një prononcim për “Zërin” ka thënë se këto ditë kanë pritur se nga “Trepça” do të dëgjojnë lajme për miratimin e strategjisë dhe përfundimin e studimit të fizibilitetit.

“Ajo që ka ndodhur ditët e fundit në ‘Trepçë’ dhe me ‘Trepçën’ na shqetëson. Ne kemi pritur se nga ‘Trepça’ këto ditë do të dëgjojmë lajme më të mira, që është miratuar strategjia, që është përfunduar studimi i fizibilitetit, që ekziston një formë e shkruar e partneritetit publiko-privat dhe ka qenë vërtet shqetësues largimi i drejtorit Tmava”, është shprehur Gërxhaliu.

Gërxhaliu beson se institucionet do të jenë në funksion të shtetit dhe jo në dëm të tij.

“Duhet ta kemi një qasje ku të gjithë do të jenë të gjithë dhe jo në mënyrë selektive, dikujt t’i vazhdohet, dikush të largohet ose në këtë formë të eliminohen vlera, ose projekte menaxhuese. Dua të besoj që institucionet do ta bëjnë atë që kanë obligim ligjor dhe kushtetues që të jenë në funksion të shtetit dhe jo në dëm të shtetit”, ka thënë më tutje kryetari i OEK-ut.

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë Lekë Musa mendon se ndërmarrjet publike kanë probleme me qeverisjen e korporatave, duke kërkuar të gjitha trajtim gjithëpërfshirës.

“Në përgjithësi ndërmarrjet publike kanë probleme në lidhje me qeverisjen korporatave dhe se të gjitha kërkojnë një trajtim gjithëpërfshirës. Ato do të duhej t’i nënshtrohen një procesi të orientimit kah tregu në mënyrë që të largohen nga politizimi”, është shprehur Musa shkurt në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Ekspertë të tjerë mosvazhdimin e kontratës së punës të Tmavës e shohin më shumë si çështje politike. Ndërsa e vlerësojnë si gabim mosriaktivizimin e “Trepçës” nga fillimi.

Musa Limani, njohës i çështjeve ekonomike, ka thënë për gazetën “Zëri” se “Trepça” duhet parë si tërësi pasi është ndërmarrje publike dhe nuk u takon komunave.

“Bordet i cakton Qeveria, pasi ajo merret me to. Ata sigurisht i kanë arsyet e veta se pse  atij ia kanë vazhduar e tjetrit jo. Ajo është çështje politike, është përgjegjësi e Qeverisë pse njërit ia vazhdon dhe tjetrit jo, është çështje politike që i ka arsyet e veta”, ka deklaruar Limani.

Ndryshe, drejtori Tmava kishte ardhur në pozitën e menaxherit të kësaj ndërmarrjeje që nga 6 shkurti i vitit 2014.

Me dorëheqjen e Tmavës nga gjiganti metalurgjik “Trepça” Qeveria e merr përsipër përgjegjësinë e mbikëqyrjes së kësaj ndërmarrjeje. /Zëri/