Lluka: Drejtori i ''Trepçës'' s’kishte kontratë

Ekonomia March 13, 2018 - 09:31
Valdrin Lluka përgënjeshtron Ahmet Tmavën

Drejtori i Bordit të gjigantit metalurgjik “Trepça”, Ahmet Tmava, ka dhënë dorëheqje të hënën (dje), shkruan Gazeta "Zëri".

Deklarimet e Tmavës se në dorëheqjen e tij ka pasur “gisht” ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka i ka mohuar ky i fundit.

Lluka në një konferencë për medie e ka demantuar lajmin se ish-drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, ka dhënë dorëheqje nën presionin e tij, duke sqaruar se Tmavës i ka skaduar kontrata më 6 shkurt të këtij viti.

“Në atë letërdorëheqje është përmendur se njëra nga arsyet ka qenë presioni i ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe i stafit të tij. Këtë normalisht që dua ta demantoj, sepse një drejtor që i ka skaduar afati më 6 shkurt nuk mund të japë dorëheqje, pra nuk ka pasur mandat dhe si e tillë nuk do të duhej të dilte në zyrat e ‘Trepçës’. Dhe e dyta, nuk e di se çfarë konsiderohet presion, nëse kërkesa për ta autorizuar një nënshkrim dhe mosdhënia ose aprovimi konsiderohet si presion, atëherë nuk di diçka tjetër”, ka thënë Lluka para gazetarëve, shkruan tutje "Zëri".

Bordi, në prill

Ministri ka thënë se kërkesa e vetme e drejtorit ka qenë të autorizohet për nënshkrime në Bankën Qendrore, në mënyrë që të autorizohet për shpenzimet të cilat i bën “Trepça”.

LEXO EDHE: “Masakrimi” i rezervave, Hamza merr masat

“Pra, e vetmja kërkesë e drejtorit ka qenë të autorizohet për nënshkrime në Bankën Qendrore, në mënyrë që të autorizohet për shpenzimet që i bën ‘Trepça’ dhe si rezultat nuk e kemi aprovuar një gjë të tillë për shkak se ligjërisht i ka skaduar mandati dhe nuk mund ta autorizojmë një person që i ka skaduar mandati, prandaj është autorizuar zëvendësdrejtori i përgjithshëm, si dhe drejtori i Financave”, ka shtuar më tej Lluka.

Ndërsa ministri ka premtuar se në fillim të muajit prill do të jetë funksional Bordi i “Trepçës”.

“Ne e kemi diskutuar edhe në Këshillin Ndërministror për Ndërmarrjet Publike mundësinë e rregullimit të kësaj situate, për shkak të situatës që ka ‘Trepça’ momentalisht jemi në proces të zgjedhjes së bordit, i cili me aprovimin e statutit do ta rregullonte ‘Trepçën’ si shoqëri aksionare. Për shkak se nuk ka një statut të rizgjedhur ne kemi vendosur që të mos marrim një vendim si Komitet Ndërministror, sepse nuk kemi një opinion ligjor si mund të ecim më tutje. Kemi pasur diskutime të ndryshme, pres që në fillim të muajit prill do ta kemi bordin funksional të ‘Trepçës’, që do ta hapte rrugën për punësim të punëtorëve”, ka deklaruar Lluka.

Tmava: Kam hasur në pengesa nga Lluka

E në anën tjetër, Tmava ka deklaruar për medie se ka hasur në pengesa gjatë ushtrimit të detyrës së drejtorit, posaçërisht në muajt e fundit prejse ministër i Zhvillimit Ekonomik është Valdrin Lluka.

Sipas tij, ai ka ndërhyrë dhe nuk e ka lejuar që t’i ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë gjatë periudhës së tranzicionit të kombinatit “Trepça”. 

Tmava  ka siguruar të gjithë punëtorët e “Trepçës” se kombinati ndodhet aktualisht në pozitë të qëndrueshme financiare dhe se problemet më të mëdha janë të lidhura me dëmet që i shkaktohen “Trepçës” për shkak të moszbatimit të Ligjit për “Trepçën”, i cili është miratuar për më shumë se 16 muaj.

Tmava i ka thënë “Zërit” se prodhimi është duke shkuar mirë dhe se edhe puna në përgjithësi është duke shkuar sipas planit të paraparë, por telashe të mëdha të funksionalizimit të ligjit ka sjellë Qeveria e Kosovës, e cila nuk ka arritur t'i formojë bordet.

“Kemi pritur shumë, shumë gjatë, që të formohen bordet, jemi lodhur duke pritur. Unë kam shpresë se kjo gjendje kështu nuk do të shkojë gjatë, pavarësisht se kush do të jetë në menaxhment. Unë jam falënderues për të gjithë punëtorët, të cilët kanë bashkëpunuar me ne”, ka thënë Tmava.

Tashmë ish-drejtori i “Trepçës” Ahmet Tmava e i cili, siç thonë shumë punëtorë të “Trepçës”, “e ka shtyrë me gjoks”, ka bërë thirrje te Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta formojë Bordin Menaxhues në mënyrë që më në fund të fillohet me zhvillimin e “Trepçës”.

Gazeta ka mësuar në ndërkohë se një grup i sindikalistëve të “Trepçës” janë takuar me kryeministrin Ramush Haradinaj, me të cilin kanë biseduar për situatën pas dorëheqjes së drejtorit Tmava, për shkak se aktualisht “Trepça” nuk ka as bord e as drejtor.  

Në ndërkohë mësohet se janë pikërisht serbët ata që kanë bllokuar formimin e bordeve. Serbët nuk i kanë dërguar emrat për anëtar të Bordit, ndonëse Bordi i “Trepçës” duhet t'i ketë 3 serbë. Në konkursin e shpallur për Bordin Menaxhues të “Trepçës” nuk ka konkurruar asnjë serb, andaj Qeveria e Kosovës është duke përpjekje që në Bord t'i fusë sindikalistët serbë pa konkurruar fare.

Ndryshe, me miratimin e Ligjit për “Trepçën” ndërmarrja është shndërruar në shoqëri aksionare, ndërsa 80 për qind të aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind të punëtorëve. Miratimi i Ligjit për “Trepçën” pati pezmatuar serbët e veriut, por edhe Qeverinë në Beograd. Ata janë zotuar se “Trepça” në veri do të jetë vetëm e serbëve të veriut dhe e Serbisë dhe se të drejtën mbi kombinatin “Trepça” si tërësi e ka vetëm Serbia.  

Drejtori i “Trepçës” në veri, Jovan Dimkiq, ka thënë se ka dyfish më shumë punëtorë sesa “Trepça” në jug.

Sipas tij, janë rreth 3 mijë punëtorë që marrin paga në “Trepçën” në veri, por ka edhe të atillë që janë futur në lista të pagave dhe nuk punojnë.

Edhe shitjen e xehes që prodhohet në minierën “Cernac” në komunën e Leposaviqit menaxhmenti i “Trepçës” në veri dhe Qeveria e Serbisë e kanë kontraktuar pa u konsultuar fare me “Trepçën” në jug e as me institucionet e Kosovës.