Qeverisë i kërkohet të jetë e kujdesshme me shpenzimin e rezervës shtetërore

Ekonomia March 12, 2018 - 23:21

Zëvëndëskryetarja e parë e Komisionit për Buxhet dhe Financa, deputetja nga radhët e PDK’së, Safete Hadërgjonaj, i ka bërë thirrje Qeverisë të ketë kujdes për shpenzimin e rezervës shtetërore.

Në një intervistë dhënë për gazetën ‘Epoka e Re’, ajo ka theksuar se deri më tani Kuvendi i Kosovës nuk ka ndonjë raport Qeveria se si ka shkuar rrjedhja e shpenzimeve buxhetore gjatë këtyre muajve.

Hadërgjonaj ka bërë me dije se nëse ka tejkalim të shpenzimeve buxhetore mbi dinamikën e parashikuar, atëherë do të jepen rekomandime të cilat janë obligative për Qeverinë.

Të premten, buxhetit Qeveria i ka hequr gjysmë milioni euro për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve për shënimin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kurse të hënën nga kuleta e shtetit i nxori një milion euro për të mbuluar faturat e serbëve të veriut, për energjinë elektrike të shpenzuar, e të cilën ata refuzojnë ta paguajnë.

Në mesin e gjërave të paplanifikuara ishte edhe realizimi i programit të Këshillit organizativ për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Për organizimin e kremtes së dekadës së parë të shtetësisë, qenë ndarë 600 mijë euro.

Edhe deputeti  Lumir Abdixhiku i LDK’së kishte deklaruar lidhur me shpenzimet e tilla duke thënë se do e ftonte për raportim Ministrin e Financave.