Lluka: Bordi i PTK-së do të jetë funksional në fillim të prillit

Ekonomia March 11, 2018 - 11:52

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka bërë të ditur se Bordi për Telekomin e Kosovës do të jetë funksional në muajin e ardhshëm.

“Është e vërtetë që tashmë posta që 15 muaj nuk ka bord, që nga dhjetori i vitit 2016. Një gjë e tillë me të vërtetë është shumë keq që ka ndodhur. Siç e dini qeveria e fundit ka ardhur në shtator dhe normalisht ka filluar procedurat tashmë për rekrutim. Edhe për Telekomin edhe për Trepçën me 25 të këtij muaji janë intervistat finale edhe dhe në fund të këtij muaji besoj që do të merren vesh të gjithë anëtarët e bordeve. Do ta kemi një bord funksional”, tha Lluka për EO.

Ai shtoi se mungesa e bordeve në ndërmarrjet publike ndikon negativisht në funksionimin e mirë të tyre.

“Bordi e luan rolin e përfaqësuesit të qeverisë dhe çdo ndryshim brenda ndërmarrjeve duhet të ketë bord për të marrë vendime prandaj mungesa e bordit normalisht ka pasoja të ndryshme të cilat kanë ndodhur me kohë e kohë në këto ndërmarrje. Ne kemi pasur edhe borde të tjera të cilat nuk kanë qenë të funksionalizuara, të cilat janë funksionalizuar një pjesë e saj. Prandaj unë pajtohem që mungesa e bordit nuk është gjë e mirë për ndërmarrjet publike por besoj që në fund të këtij muaji do ta kemi funksional edhe bordin”, përfundoi ai.