O’Conell: Kreu i IML-së nuk do të emërohet nga politika

Ekonomia March 08, 2018 - 10:23

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Conell ka vizituar sot Institutin e Mjekësisë Ligjore bashkë me Ministrin e Drejtësisë dhe zyrtarë të tjerë.

Në përfundim të vizitës, O’Conell është shprehur i kënaqur me faktin se është bërë e ditur se Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore nuk do të vihet në pozitë me “të njofshëm” apo me bindje politike.

“Për ne dhe për çdo vend është e rëndësishme që ky Institut të ketë kapacitete të zhvilluara dhe të ketë ekip të fortë. Puna që po bëhet është kyçe. Siç tha edhe Ministri Tahiri për zbardhjen e rasteve të të zhdukurve. Në si Ambasadë e Britanisë kemi investuar kapacitetet tona në këtë institucion, sepse puna që po bëhet është e vështirë por e rëndësishme. Zyrtarët të cilët e kryejnë punën janë disa prej zyrtarëve të më të rëndësishëm në Kosovë. Kemi ardhur sot për të folur për rekrutimin e drejtorëve të rinj. Procesi është anuluar dy herë sepse nuk janë gjetur kandidatë me kapacitete të mjaftueshme. Ky fakt tregon që Qeveria e Kosovës ka qenë serioze për të gjetur drejtorin e mirë, nga një fushë e gjerë e kandidatëve. Është shumë e rëndësishme jo vetëm për këtë institucion por edhe për shtetin e Kosovës që rekrutimi duhet të bëhet në bazë të meritës”, ka thënë O’Conell, shkruan Indeksonline.

Ai gjithashtu ka shtuar se është mirë që Kosova do të ketë rekrutime në pozita në bazë të meritës.

“Unë nuk mund të garantoj që gjithçka do të jetë fer apo transparente por unë them diçka se fakti që është përsëritur dy herë ka një vullnet për të gjetur njerëz të mirë. Tashmë është e qartë se ky proces nuk do të zhvillohet me të njofshëm ose me njerëz me bindje politike apo familjare por vetëm në bazë të meritës, është shumë e rëndësishme që Kosova nëse do të ketë rekrutime në bazë të meritës dhe nëse janë të kualifikuar të konkurrojnë në këtë dhe në kandidime të tjera”, ka përfunduar O’Conell.