Për komunat veriore, 50 milionë euro

Ekonomia March 08, 2018 - 08:37

Rreze Duli, drejtoreshë e Agjencisë për Zhvillimin Rajonal – Veri, ka precizuar se me Marrëveshjen e Brukselit janë paraparë 40 milionë euro mjete për zhvillimin e katër komunave veriore të Kosovës, si dhe 10 milionë euro të hyra nga doganat në pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjakë, të cilat derdhen në Fondin për Zhvillimin e Veriut, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica Veriore, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, do t’i kenë të paktën 50 milionë euro për zhvillimin ekonomik të veriut të Kosovës. Këto mjete, siç kanë thënë në Agjencinë për Zhvillim Rajonal - Veri, janë parashikuar me Marrëveshjen e Brukselit, ndërkohë që ato mjete tashmë u janë ndarë këtyre komunave veriore të Kosovës.

Rreze Duli, drejtoreshë e Agjencisë për Zhvillimin Rajonal - Veri, ka precizuar se me Marrëveshjen e Brukselit janë paraparë 40 milionë euro mjete për zhvillimin e katër komunave veriore të Kosovës, si dhe 10 milionë euro të hyra nga doganat në pikat kufitare në Bërnjakë dhe në Jarinjë, të cilat derdhën në Fondi për Zhvillimin e Veriut në kuadër të Marrëveshjes për Kufijtë e Integruar, shkruan tutje "Zëri".

LEXO EDHE: Shkojnë për t’u shëruar, infektohen në spitale!

“Megjithatë, të dhënat statistikore tregojnë se veriu i Kosovës është rajoni më i varfër në vend”, është konstatuar në debatin që është mbajtur me temën “Zhvillimi ekonomik i veriut të Kosovës”, që është mbajtur në Çagllavicë.

Në këtë debat u vlerësua gjithashtu se afaristët janë të vetmit që i japin shtetit, ndërsa shteti atyre nuk ua kthen me asgjë.

“Me Marrëveshjen e Brukselit janë paraparë rreth 40 milionë euro për katër komunat veriore, si dhe 10 milionë euro duhet të sigurohen nga doganat që mblidhen në Fondin për Zhvillimin e Veriut”, ka përsëritur Rreze Duli, drejtoreshë e AZHRV-së.

Investime në hapjen e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla

Ndërkaq një afarist nga Zubin Potoku, Rade Utviq, tha se është e nevojshme të investohet në hapjen e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla në mënyrë që problemi i zhvillimit të zgjidhet, pasi që janë afaristët të vetmit që japin e shteti nuk ua kthen atyre me asgjë. 

“Duke përkrahur të dhënën se për zhvillimin ekonomik të veriut janë planifikuar 50 milionë euro, supozoj dhe di se nga ato mjete më shumë se 20 për qind nuk janë investuar në zhvillim ekonomik”, ka thënë ai.

Ndërkaq, zëvendësdrejtoresha e Instituti për Zhvillimin Rajonal – InTER, Jovana Jakovleviq, tha se është e nevojshme të zgjerohet tregu dhe të lidhet edhe me jugun.

“Sipas hulumtimeve që i ka kryer InTER, dikur rreth 80 për qind e njerëzve që jetojnë në veri të Kosovës direkt apo indirekt varen nga donacionet dhe nga funksionimi i ndërmarrjeve dhe institucioneve publike që punojnë me sistemin e Republikës së Serbisë”, ka sqaruar Jakovleviq, ndërsa profesoresha e Universitetit të Mitrovicës së Veriut, Jelena Gjokiq, tha se duhet përmbushur tri kushte për të ardhur deri te zhvillimi ekonomik.

Sipas saj, koncepti duhet patjetër të jetë profitabil, i pranueshëm në aspektin social dhe duhet të ketë ndikim më të vogël në mjedisin jetësor.

“Në mënyrë që zhvillimi ekonomik i veriut, respektivisht i katër komunave veriore, të jetë i qëndrueshëm duhet të plotësohen kushtet thelbësore të projektit të zhvillimit. Në mënyrë që të projektohet zhvillimi ai duhet të ketë dokumente strategjike, gjegjësisht plan strategjik, ndërsa komunat veriore nuk kanë plan të përbashkët strategjik”, ka thënë profesoresha Gjokiq.

Demiri: Buxheti do të ndahet në dy pjesë

Në debatin që është organizuar në Qendrën Mediale në Çagllavicë mori pjesë edhe ministri kosovar për Zhvillimin Rajonal Rasim Demiri, i cili ka sqaruar se Ministria që drejton ai ka për qëllim balancimin e 5 rajoneve.

Sipas tij, buxheti i institucionit që ai drejton do të ndahet në dy pjesë.

“Një pjesë do të jetë e dedikuar për projekte infrastrukturore, ndërsa pjesa tjetër për grante. Kësaj radhe qëllimi ynë është që buxheti prej 2 milionë eurosh, të cilin e kemi për kapitale, gjegjësisht për projekte infrastrukturore, në mënyrë të barabartë të ndahet në këto pesë rajone, natyrisht që në të do të jetë i përfaqësuar edhe veriu i Kosovës”, ka thënë Demiri.

Në bazë të mjeteve për grante Ministria e Zhvillimit Rajonal pret që në periudhën e ardhshme do të hapen 500 deri në 600 vende pune, rreth 100 deri në 120 vende pune në secilën prej këtyre rajoneve.

Ndryshe, sipas të dhënave të fundit që i ka publikuar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, deri më tani në Fondin për Zhvillimin e Veriut, të cilin e menaxhon Bordi që përbëhet nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë (aktualisht Natalya Apostollova), përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës (ministri i Financave) dhe përfaqësuesi i serbëve të veriut, janë mbledhur mbi 13 milionë euro.

Bordi që menaxhon me Fondin për Zhvillimin e Veriut u ka ndarë të gjitha komunave veriore mjete të këtij fondi, por në dy raste Natalya Apostollova është detyruar t’i tërheqë mjetet që i janë ndarë Komunës Veriore të Mitrovicës për shkak se kryetari i Komunës Veriore, Goran Rakiq, nuk ka krijuar kushte për zbatimin e tri projekteve të BE-së në veri të Mitrovicës.