Dëme të mëdha nga përmbytjet në Mitrovicë dhe në komunat e rajonit

Ekonomia March 07, 2018 - 09:19

Derisa në Mitrovicë përmbytjet nga shiu dhe nga shkrirja e borës kanë shembur një pjesë të rrugës “Te Tuneli” dhe 19 familje janë evakuuar, arat e Pestovës së Vushtrrisë janë mbuluar me ujë. Dëme ka edhe në veri të Mitrovicës, Zveçan dhe Leposaviq. Zëvendësministri Kadriu: “Deri në verë do ta rikonstruktojmë rrugën ‘Te Tuneli’ në hyrje të Mitrovicës”, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Shiu dhe shkrirja e borës kanë shkaktuar dëme të mëdha në Mitrovicë dhe në komunat e rajonit. Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në veri të Mitrovicës, Zveçan dhe Leposaviq, ndërsa është përmbytur i ashtuquajturi “Remonti i Zjarrfikësve” në afërsi të Ibrit në pjesën veriore.

Përveç në ekonomitë familjare, dëme të mëdha janë shkaktuar edhe nëpër shtëpi.

LEXO EDHE: Tregtia me narkotikë rritet për 116%

Drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjenca në Mitrovicë, Musa Dragaj, ka thënë se vetëm në fshatin Lisicë të kësaj komune janë evakuuar mbrëmjen e kaluar 13 familje për shkak të gjendjes së vërshimeve si pasojë e të reshurave të shiut dhe të borës.

Dragaj ka shtuar se përveç Lisicës edhe në lagjen “2 Korriku” janë evakuuar gashtë familje nga shtëpitë e tyre. Sipas tij, zyrtarët komunalë gjatë gjithë kohës janë në monitorim të situatës, ndërkohë që çdo gjë, operatorët dhe shërbimet përkatëse janë në gjendje gatishmërie për të intervenuar nëse kërkohet një gjë e tillë në çdo moment.

Përveç vërshimeve drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjenca në Komunën e Mitrovicës, Musa Dragaj, ka thënë se në disa zona ka pasur dhe rrëshqitje dheu, por që të kenë rezultuar vetëm me dëme materiale. Dragaj theksoi se familjet e evakuuara janë sistemuar për qëndrim të përkohshëm te familjarët e tyre, ndërsa zonat me shtëpi të përmbytura pritet të kthehen në gjendje të banueshme, sanimin e të cilave pritet ta përfundojë Komuna. Ai ka sqaruar se në sanimin e këtij problemi nuk do të përfitojnë pronarët e shtëpive të cilët kanë të ndërtuara ato në zona të palejueshme të qytetit.

Nga rrëshqitja e dheut dëme të mëdha janë bërë në rrugën N2 “Te Tuneli”, në hyrje të Mitrovicës.

Të martën këtë pjesë e ka vizituar zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, i cili nga afër ka parë situatën në këtë segment rrugor. Ai ka premtuar se rruga e dëmtuar do të sanohet, por duhet pritur që ai segment të tenderohet. Sipas tij, kjo punë do të marrë kohë të paktën deri në qershor.

Kadriu u shpreh i lumtur që pas rrëshqitjes së dheut nuk ka ndodhur ndonjë aksident me fatalitet për ndonjë qytetar, ndërsa premtoi se Ministria e Infrastrukturës ka marrë masat e duhura dhe është e përqendruar që shumë shpejt të sanohet kjo gjendje. Sipas tij, gjendja këtu nuk është e mirë pasi që për 17 vjet nuk është investuar asnjë euro në përmirësimin e kësaj gjendjeje.

“Gjendja është e keqe, na vjen mirë që dje nuk ka ndodhur ndonjë aksident me pasoja fatale për qytetarët sepse ka rrëshqitur kurora e hyrjes së tunelit në Mitrovicë. Kemi marrë masa si Ministri e Infrastrukturës që shpejt, brenda dy ditësh të përmbyllet çështja e projektit zbatues dhe nga java e ardhshme t’i shpallim procedurat e tenderimit për rikonstruktimin e kësaj situate, e cila nuk është e mirë sepse realisht për 17 vjet nuk është investuar asnjë euro në sanimin e kësaj gjendjeje. Kemi probleme me ujërat atmosferike, kanalizimin fekal dhe të gjitha këto janë të parapara në projekt. Shpresojmë se brenda 40 ditëve ne do të hyjmë në punë për shkak të procedurave të tenderit të cilat lypin aq kohë, por jemi të fokusuar që kjo gjendje deri në verë të sanohet e tëra”, ka thënë zëvendësministri Kadriu.

Burime të “Zërit” nga veriu i Mitrovicës kanë njoftuar se gjendja më e rëndë është Prelluzhë të Vushtrrisë, pasi nën ujë ndodhen 187 shtëpi dhe 500 hektarë tokë e punueshme, si pasojë e daljes nga shtretërit të lumenjve Llap e Silnicë.

Gjithashtu sipas këtyre burimeve janë përmbytur edhe sipërfaqe të tokave në Grabovc të Zveçanit, ku janë rrezikuar disa shtëpi.

Shumë sipërfaqe të tokës tashmë ndodhen nën ujë në Pestovë të Vushtrrisë, e njohur për kultivimin e patates. Siç kanë thënë në Komunën e Vushtrrisë, edhe në fshatrat tjera të kësaj komune janë shkaktuar dëme nga vërshimet.