“Kodra e Trimave” 12 orë pa energji elektrike

Ekonomia March 06, 2018 - 09:16

Pavarësisht përmirësimit të motit, edhe më tutje po vazhdojnë reduktimet e energjisë elektrike në disa vende të Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Me reduktime të ashpra të energjisë elektrike të dielën është përballur pjesa më e madhe e lagjes “Kodra e Trimave”, në Prishtinë.

Banorët e kësaj lagjeje kanë treguar se mbrëmë nga ora 18:00 e mbrëmjes e deri të hënën në orën 06:00 të mëngjesit nuk kanë pasur fare energji elektrike.

Të kontaktuar nga gazeta banorët e kësaj lagjeje kanë thënë se reduktimet e gjata të energjisë elektrike u kanë sjellë probleme të shumta, pasi në vend edhe më tutje temperaturat sidomos gjatë natës vazhdojnë të jenë të ulëta.

LEXO EDHE: 5.5 milionë euro për qira të printerëve dhe të fotokopjeve

“E tmerrshme 12 orë pa energji elektrike në ditën e diel kur duhet të bëhemi gati për punë dhe fëmijët për shkollë. Nuk e di se faji i kujt ka qenë, ose pse prapë po përballemi me këto reduktime? Dikush duhet të ndërmarrë masa. Ne jemi pagues të rregullt të faturave. Kur nuk po e paguajmë asnjë ditë nuk po na falin, por po vijnë po e shkyçin rrymën”, ka thënë kjo grua për Gazetën "Zëri", e cila nuk ka dashur që emri i saj të bëhet publik në gazetë.

Në anën tjetër zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se të premten ka pasur reduktime, duke u bazuar në udhëzimet nga KOSTT-i, në të gjithë vendin si pasojë e rënies së paplanifikuar të njësisë “B2”.

“Në zonën ku ju po pyesni, ‘Kodrën e Trimave’, ngjashëm me shumicën e vendeve në Kosovë është një rrjet shumë i vjetër, sikurse trafot janë të vjetra. Ne e kemi në plan të investojmë 5 milionë euro në këtë pjesë, por fatkeqësisht Komuna e Prishtinës nuk na ka dhënë lejen për asnjë projekt deri më tash. Ky investim nënkupton vendosjen e rrjetit të ri dhe evitimin e prishjeve në rrjet, të cilat aktualisht po ndodhin si pasojë e kyçjeve ilegale dhe të mbingarkesave”, thuhet në përgjigjen e përgjithësuar të zëdhënësit Buzhala.

Gazeta ka kërkuar nga Buzhala sqarime të mëtutjeshme se cila është arsyeja që banorët e lagjes më të madhe të Prishtinës kanë mbetur pa energji elektrike për 12 orë, por nuk ka marrë përgjigje  

E në anën tjetër zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) thonë se sipas planit të prodhimit KEK-u është duke operuar me kapacitete të plota, pra janë në funksion të prodhimit dy blloqet e termocentralit “Kosova B” dhe dy blloqet e termocentralit “Kosova A”, të cilat kanë kapacitete prodhuese rreth 750 megavate orë energji elektrike.

“Me përgjegjësi të plotë ju njoftojmë se aktualisht jemi në dispozicion të prodhimit të energjisë elektrike me 100% të kapaciteteve nga ato të planifikuara. Në këtë drejtim, KEK-u duke respektuar plotësisht obligimet në kontratë, si dhe rregullat e tregut në fuqi, me kohë, njofton operatorët për planin e prodhimit një ditë më herët. Prandaj, ashtu siç ka qenë kërkesa me operatorë, pra sipas planit të prodhimit edhe dje i jemi përmbajtur atij plani të prodhimit. Për më tepër, gjendja e prodhimit të energjisë elektrike nga ana e KEK-ut është stabile dhe pa ndryshime edhe për ditët në vijim, në rrethana të kushteve operative dhe klimatike. Ndërsa përgjegjësinë ekskluzive për furnizim të qytetarëve me energji elektrike sipas licencës nga ZRRE-ja e ka KEDS/KESCO-s si furnizuesi publik, i cili ka obligim të menaxhojë energjinë në dispozicion nga vendi dhe jashtë dhe të mos lërë konsumatorët pa energji”, ka thënë Skender Bucolli nga Korporata Energjetike e Kosovës.