Lluka: Katër kompani të interesuara për mineralet e vizitojnë Kosovën në prill

Ekonomia March 05, 2018 - 23:14

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka njoftuar se gjatë muajit prill Kosovën do ta vizitojnë katër kompani që kanë shprehur interesim për mineralet e Kosovës.

“Salla ku Kosova prezantoi potencialet e saj të këtij sektori ishte e mbushur tërësisht, duke treguar interesim jashtëzakonisht të madh për mineralet e Kosovës. Rreth 4 kompani e konfirmuan tashmë vizitën e tyre në Kosovë gjatë muajit prill”, ka theksuar ministri Lluka në një postim në “Facebook”.

Për herë të parë Kosova po prezantohet në konventën ndërkombëtare më prestigjioze në botë për sektorin minerar të organizuar nga ‘Prospectors and Developers Association of Canada’ (PDAC).

Ministri i Zhvillimit Ekonomik është shprehur se për plot 3 orë kanë prezantuar në PDAC potencialin që ofron Kosova, ndryshimet në legjislacion siç është Ligji për Investimet Strategjike dhe Ligji Trepçës, hapjen e zonave me interes të veçantë, mineralet që Kosova ka aktualisht në dispozicion, ambientin e të bërit biznes, përparësitë e Kosovës karshi vendeve tjera të Europës, storje suksesi nga një investitor i huaj që operon në këtë sektor në Podujevë si dhe përkrahjen e investitorëve kanadezë nga Ambasada Kanadeze në Kroaci dhe Kosovë.

“Gjatë vizitës tre ditore, do të marrë pjesë në samitin ministror të minierave ku jemi rreth 30 ministra të sektorit nga mbarë bota. Gjithashtu kam takime me homologun tim, Ministrin Federal të Burimeve Natyrore, Jim Carr si dhe Ministrin Shtetëror për Tregti Ndërkombëtare, Michael Chan”, ka shpjeguar Lluka.

Ai ka falënderuar edhe Ambasadën e Kosovës në Kanada dhe Ambasadën e Kanadasë në Kroaci (që mbulon Kosovën) të cilat sipas tij kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në suksesin e kësaj vizite.