BERZH pritet të investojë 63 milionë euro për unazën e Prishtinës

Ekonomia March 04, 2018 - 17:39

Qeveria e Kosovës ka prezantuar 39 projekte në samitin e Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që është zhvilluar në Londër, më 26 shkurt.

Projektet janë nga sektori publik dhe ai privat, që janë të dedikuara në infrastrukturën rrugore, trajtimin e ujërave të zeza, ujit të pijshëm, projekte nga prodhimi i energjisë alternative dhe projekte të prodhimit, vlera e të cilave thuhet se arrin në rreth 600 milionë euro.

Koordinatori për Ballkanin Perëndimor në Qeverinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se 22 komuna kanë aplikuar me projekte që kushtojnë mbi 500 mijë deri në 90 milionë euro.

“Prioritete nuk kemi përcaktuar, por më se shumti është biseduar për rreth- rrotullimin e Unazës së Prishtinës, e cila i lidh periferitë e Prishtinës, me një lartësi prej 63 milionë eurosh. Por, kemi marrë premtime nga BERZH-i se do t'i shqyrtojnë të gjitha projektet veç e veç, pikat e kontaktit i kanë. Shpresoj që një kohë relativisht të shkurtër do të kontaktohen të gjithë ata që kanë aplikuar për projekte”, thekson Abrashi.

Në këtë takim, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së vendit në zhvillimin e projekteve rajonale dhe bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai këtu ka përmendur projektet si: ndërtimi i linjës së re hekurudhore që lidh Kosovën me Shqipërinë, një linjë tjetër që lidh vendin me Malin e Zi, përfundimi i autostradës Prishtinë - Shkup dhe interesimin që Kosova të ketë qasje në gaz-sjellësin Trans-Adriatik.

Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se Kosova mund të përfitojë nga ky samit, për shkak se periudha e kredisë dhe normat e interesit nga BERZH-i janë të favorshme për Kosovën.

Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, vlerëson se edhe projektet e prezantuara në BERZH janë të nevojshme për vendin sa i përket përmirësimit të infrastrukturës dhe energjetikës që janë qenësore për një zhvillim ekonomik.

“Do të ishte shumë mirë për Kosovën që këto projekte të kalojnë, për arsye se kreditë janë të buta, normat e interesit janë shumë të ulëta dhe mundësia e përfitimit të projekteve publike, janë jashtëzakonisht të mëdha”, vlerëson Gashi.

Koordinatori për Ballkanin Perëndimor, Arban Abrashi, tregon periudhën se kur mund të pritet një përgjigje nga BERZH-i për projektet e paraqitura.

“Nga koha e aplikimit kur fillon të shqyrtohet një projekt, zgjat prej gjashtë deri në nëntë muaj. Unë i ftoj të gjithë kryetarët e komunave dhe të gjithë ata që kanë përgatitur projektet publiko-private, që të përgatiten, sepse së shpejti do të kontaktohen nga personat që janë përgjegjës për resorë të caktuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, thotë Abrashi.

Ndryshe, Republika e Kosovës në vitin 2012 është anëtarësuar në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim.

Por, kjo bankë e kishte ndihmuar zhvillimin e Kosovës, duke përfshirë sektorin publik dhe privat, edhe pa qenë anëtare e saj.