Në veri qarkullojnë automjete pa tabela të regjistrimit

Ekonomia March 03, 2018 - 08:14

Në komunat veriore të Kosovës edhe më tutje qarkullojnë automjete pa tabela të regjistrimit, ndërsa mund të shihen edhe vetura me tabela të cilat i lëshojnë organet e përkohshme, që funksionojnë me sistemin e Serbisë. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Millan Radojeviq, ka thënë se është duke u punuar në hartimin e udhëzimit administrativ për regjistrimin e automjeteve me tabela “KS”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në veri të Kosovës do të fillojë të zbatohet Marrëveshja për Tabelat e Regjistrimit të Automjeteve, e arritur në Bruksel në kuadër të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës kanë thënë se në ditët dhe në javët në vijim do të fillojë shfrytëzimi i shiritave që do të ngjiten mbi tabelat e regjistrimit me shenjën “RKS” dhe të atyre “SRB” gjatë kalimit nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Prejse është arritur Marrëveshja në Bruksel për Tabelat e Regjistrimit të Automjeteve të Serbëve të Veriut, vetëm tani do të fillojë të zbatohet Marrëveshja në terren. Në këtë mënyrë serbët e veriut të Kosovës nuk do të mundë më t’i ngasin veturat pa tabela të regjistrimit, siç kanë bërë deri më tani.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Millan Radojeviq, u ka thënë medieve lokale serbe në veri të Mitrovicës se aktualisht është duke u punuar në hartimin e udhëzimit administrativ, me të cilin do të rregullohet çështja e regjistrimit të automjeteve me tabela kosovare në veri të Kosovës. “Ka pasur disa udhëzime administrative, disa i kemi kthyer për t’u përpunuar, sepse nuk kemi qenë të kënaqur me temat që janë propozuar, edhe më tutje jemi duke punuar në këtë. Udhëzimi administrativ do t’i përfshijë detajet më të rëndësishme të Marrëveshjes për Liri të Lëvizjes, e cila është arritur në kuadër të dialogut teknik në mes të Kosovës e Serbisë”, ka thënë Radojeviq.

Në katër komunat veriore të Kosovës edhe më tutje qarkullojnë automjete pa tabela të regjistrimit, ndërsa mund të shihen edhe vetura me tabela të cilat i lëshojnë organet e përkohshme në komunat e Kosovës që funksionojnë me sistemin e Serbisë. Në Leposaviq ndërkaq, sipas medieve lokale serbe në veri, shumë banorë nuk kanë fare patentë të shoferit, ndërsa veturat i ngasin pa tabela të regjistrimit ose me tabela të lëshuara nga MUP-i i Serbisë. Banorët thonë se nëse duhet janë të gatshëm që veturat e tyre t’i riregjistrojnë me tabela të Kosovës. “Unë nuk shkoj në jug, por nëse më nevojitet atëherë do ta nxjerr edhe lejen e ngasjes e edhe do ta regjistroj veturën atje. Kemi dëgjuar se duhet nxjerrë disa dokumente për ta regjistruar veturën me tabelat ‘KS’. Nëse duhet dhe e bëjnë të tjerët atëherë edhe unë do ta bëj të njëjtën gjë, do ta regjistroj veturën me tabela të Kosovës”, ka thënë një banor i Leposaviqit, Zharko Simonoviq.

Ndryshe, në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në vitin 2012 në Bruksel është arritur Marrëveshja për Tabelat e Regjistrimit në kuadër të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes nga viti 2011. Me këtë marrëveshje do të duhej të hiqeshin të gjitha tabelat e regjistrimit të MUP-it të Serbisë në qytetet e Kosovës. Pas kësaj, në vitin 2016 delegacioni i Beogradit dhe ai i Prishtinës janë marrë vesh që vlefshmëria e tabelave me status neutral “KS” të vazhdojë edhe për 5 vjet. Gjithashtu, atëherë ishte harmonizuar marrëveshja që mbi tabelat me shenjat “SRB” dhe “RKS” të ngjiten shirita të bardhë gjatë kalimit të pikave kufitare nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas.

Mirëpo kjo marrëveshje nuk është realizuar në terren në tërësi pasi që personat që ngasin veturat me tabelat e regjistrimit “RKS” nuk mund ta kalojnë kufirin me Serbinë pa tabela të përkohshme (provuese), derisa vozitësve të veturave me tabelat “KS” u lejohet kalimi pa problem.

Në anën tjetër, serbët që jetojnë në jug i kanë regjistruar veturat e tyre me tabelat e Kosovës qysh atëherë kur ishte arritur Marrëveshja në Bruksel për Tabelat e Regjistrimit të Veturave. Që atëherë në mjediset serbe në Kosovën Qendrore në tërësi janë larguar tabelat e regjistrimit, të cilat i ka lëshuar MUP-i i Serbisë nëpër komunat e Kosovës.