Sigurohen 1.2 milion euro për Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë

Ekonomia March 01, 2018 - 08:22

Në një debat publik me banorët e Lumadhit dhe të dy fshatrave të zonës, Stanovc i Epërm dhe Stanovc i Poshtëm, kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri ka premtuar se me funksionalizimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh do të punësohen 1 mijë të rinj vushtrrias, ndërsa përparësi në punësim do të kenë banorët e këtyre fshatrave, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kanë vazhduar përgatitjet për fillimin e realizimit të projektit të Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë.

Në një sipërfaqe prej 14 hektarësh, që gjendët buzë rrugës rajonale Vushtrri – Prishtinë, do të vendoset një numër i bizneseve vushtrriase, por edhe nga rajonet e tjera të vendit, pasi që hapësira krijon kushte ideale për zhvillimin e të gjitha veprimtarive të bizneseve.

Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri, i cili ka konkretizuar idenë e tij menjëherë pasi ka marrë qeverisjen me Komunën e Vushtrrisë, ka mbajtur një debat publik me banorët Lumadhit, si dhe me banorët e dy fshatrave të zonës, Stanovcit të Poshtëm dhe Stanovcit të Epërm, shkruan tutje "Zëri".

Tahiri atyre ua ka prezantuar projektin, ndërsa përfaqësues të bizneseve vushtrriase, por edhe përfaqësues të fshatrave Lumadh, Stanovc i Epërm dhe Stanofc i Poshtëm, janë pajtuar për ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike në fshatin Lumadh të Vushtrrisë.

LEXO EDHE: Dështimi i tretë me Demarkacionin

Në prezantimin e këtij projekti, ku kryesisht kanë marrë pjesë përfaqësues të bizneseve, por edhe të fshatrave përreth zonës ku do të ndërtohet Zona e Lirë Ekonomike, kryetari i komunës Xhafer Tahiri ka folur për investimet që do të bëhen aty.

“Në Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh, që përfshin një hapësirë prej 14 hektarëve, synojmë t’i punësojmë 1000 persona”, ka thënë Tahiri.

Kryetari Tahiri ka bërë të ditur se tashmë nga buxheti i shtetit janë siguruar 1.2 milion euro për investime në periudhën 3-vjeçare në Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh.

“Punësimin e njerëzve e bëjnë bizneset e Komuna është këtu që t’u krijojë kushte sa më të mira bizneseve për rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese e shërbyese”, tha kryetari Tahiri.

Pajtimin për ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh e kanë dhënë edhe Ymer Haradinaj, kryetar i Këshillit të fshatit Stanofc i Epërm dhe Rrahim Ajeti, kryetar i Këshillit të fshatit Stanofc i Poshtëm, por ata kanë tërhequr vërejtjen se banorët e këtyre tri fshatrave duan që përparësi punësimi në Zonën e Lirë Ekonomike, që do të ndërtohet në zonën e tyre, të kenë pikërisht banorët e asaj zone.

Përveç pajtimit që projekti i Parkut të Biznesit të realizohet në Lumadh, pjesëmarrësit në këtë debat publik, kryesisht bizneset, janë interesuar edhe për kriteret e përzgjedhjes së kompanive që do të vendosen në këtë hapësirë, si dhe kanë pyetur për atë se sa do të jetë taksa e shfrytëzimit të hapësirës.

Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri, duke u përgjigjur, tha se për këtë çështje kriteret do të jenë publike dhe se për këtë do të vendosë Kuvendi i Komunës.

Edhe një herë më herët kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri ka takuar disa prej bizneseve, me të cilët kanë biseduar për problemet e tyre, si dhe kanë shqyrtuar mundësitë e përkrahjes së bizneseve për të siguruar zhvillim ekonomik lokal të qëndrueshëm, duke përfshirë edhe përkrahjen për Zonën e Lirë Ekonomike.

Kryetari Tahiri tha se Komuna është shumë e interesuar që të krijojë kushte të favorshme dhe mbështetje për zhvillimin e bizneseve në Vushtrri, “sepse ato janë bartëse të punësimit dhe të zhvillimit ekonomik lokal dhe se Komuna do të bashkëpunojë me të gjitha organizatat që mbështesin fuqizimin e bizneseve”.

“Kemi tanimë projektin për Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh, një hapësirë shumë e përshtatshme për veprimtari të ndryshme ekonomike, ndërsa sa për të filluar me projektin kemi gjetur edhe mbështetje financiare. Kemi iniciativa dhe mbështetje edhe nga organizata dhe nga donatorë për përkrahjen e projekteve për bizneset, duke përfshirë edhe bizneset e bujqësisë”, tha Tahiri, duke folur për zhvillimet e deritashme për ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh.

I pari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri ka adresuar edhe kërkesa të tjera tek Qeveria e Kosovës, të cilat ai i ka cilësuar parësore gjatë mandatit të tij qeverisës me Komunën e Vushtrrisë.

“Ne jemi të interesuar dhe të vendosur të fillojmë me ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë, pasi ajo pjesë është ideale për veprimtari të subjekteve të ndryshme ekonomike. Hapësira gjendet pranë rrugës rajonale dhe shtrihet në disa hektarë, si dhe ka pozitë ideale. Me ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh krijohen kushte për të gjitha bizneset e interesuara dhe në këtë mënyrë do të krijohen mbi 1 mijë vende pune për të rinjtë e komunës së Vushtrrisë”, ka thënë mes të tjerash kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.