Jasharit i dalin probleme të reja, nuk mund ta mbajë asnjë seancë të Kuvendit

Ekonomia February 28, 2018 - 08:06

Vetëm një mbledhje e Kuvendit të Skenderajt është mbajtur pas mbledhjes konstituive, në të cilën janë zgjedhur anëtarët e komiteteve të obligueshme e të komisioneve dhe në të cilën kishte dështuar propozim-vendimi i kryetarit Bekim Jashari që 36 hektarë të tokës, e cila aktualisht menaxhohet nga AKP-ja, të shpallen në interes publik për ndërtimin e Parkut të Biznesit, për shkak të mungesë së kuorumit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në këtë mbledhje, e cila është mbajtur me 30 janar, Kuvendi zgjodhi komitetet dhe komisionet, por Grupi i Këshilltarëve të PDK-së pati lëshuar mbledhjen për shkak se nuk ishte përfillur propozimi i shefit të GP-së së PDK-së Albert Rexhepi, që në komitetin për Politikë e Financa të jenë Ismet Salihu, Albert Rexhepi dhe Lavdie Geci.

LEXO EDHE: Hoxha: Liberalizimi, gjashtë muaj pas ratifikimit të Demarkacionit

Në të vërtetë, kryesuesja Fatbardha Haliti, e cila bashkë edhe me 6 asamblistë të tjerë janë përjashtuar nga PDK-ja, për shkak se siç kanë thënë në Degën e PDK-së “kanë dalë kundër vendimit të PDK-së për Ismet Salihun kryesues të Kuvendit”, kishte lejuar që edhe grupi i tyre të dalë me propozimet e veta.

 Pas kësaj 11 këshilltarët e PDK-së lëshuan mbledhjen, ndërsa atyre 7 anëtarëve të përjashtuar që mbetën në sallë u janë bashkëngjitur edhe dy të tjerë Naser Bajraktari dhe Musaj Hajdari.

Me vazhdimin e mbledhjes asamblistët zgjodhën në Komitetin për Politikë e Financa 2 asamblistë të PDK-së të grupit të përjashtuar nga partia, ndërsa Fatbardha Haliti nga ky grup ka shkuar drejtpërdrejt si kryesuese e Kuvendit. Në këtë mënyrë ka shkuar edhe zgjedhja e anëtarëve të komiteteve tjera dhe të komisioneve të tjera të Kuvendit, në të cilat nuk është përfshirë asnjë asamblist i PDK-së që udhëhiqet nga Sami Lushtaku, kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj.

Për këtë arsye PDK-ja i ka kërkuar MAPL-së që ta interpretojë vendimin për formimin e Komitetit për Politikë e Financa. Albert Rexhepi, shef i GP-së së PDK-së në Kuvendin e Skenderajt i tha “Zërit” se shumë kohë para se të mbahej mbledhja e Kuvendit për formimin e komiteteve të obligueshme e ka njoftuar MAPL-në dhe KQZ-në për përjashtimin nga partia të 7 asamblistëve të vet, duke sqaruar se ata nuk mund të jenë pjesë e asnjë komiteti si PDK.

E duke qenë se MAPL-ja ende nuk ka kthyer asnjë përgjigje Kuvendi i Skenderajt nuk ka mundur të mblidhet, ndërkohë që në dy vazhdime të mbledhjes së Kuvendit të 30 janarit Kuvendi arriti ta miratojë propozim-vendimin e kryetarit Bekim Jashari për shpallje në interes të përgjithshëm të një hapësire prej 36 hektarësh në Marinë për ndërtimin e Parkut të Biznesit.

Por edhe për këtë vendim dy subjekte politike, LVV-ja dhe IQ “41000”, që kanë nga 2 asamblistë në Kuvendin e Skenderajt i kanë kërkuar MAPL-së interpretim ligjor. Sipas tyre, vendimi është përcjellë me shumë shkelje ligjore dhe procedurale, andaj edhe kanë kërkuar që ai të anulohet nga MAPL-ja. Pas analizës së akteve ligjore dhe nënligjore rezulton se ky vendim i Kuvendit Komunal është në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore, si në aspektin procedural, po ashtu edhe në atë përmbajtjesor.

"Kuvendi i Komunës pas shqyrtimit të propozimit të kryetarit të Komunës vendos mbi ofrimin e secilës pronë të propozuar për këmbim, duke votuar për secilën pronë ndaras. Për më tepër, me rastin e këtij vendimi janë shkelur paragrafi 2.3 si dhe paragrafi 5 e po këtij neni. Neve si asamblistë, na janë ofruar informacione për ngastrat që Kuvendi i Komunës ka votuar t'i shpallë si ngastra me interes publik, por nuk na është sqaruar se cilat ngastra Komuna ia ka ofruar AKP-së për këmbim, siç e parasheh ligji.

Votimi është bërë në bllok e jo siç e thotë ligji ndaras për secilën pronë. Në rast se nuk i janë ofruar ngastra për këmbim AKP-së, pse kishte nevojë zyra e kryetarit të thirrej në Nenin 14 dhe cila është forma që Komuna ka kërkuar që ajo pronë të bëhet e saj?”, thuhet në kërkesën e LVV-së dhe të IQ “41000” dërguar për interpretim ligjore MAPL-së.

Nënshkruesit e kërkesës Malsor Bejta (IQ “41000”) dhe Hysni Mehani e Vjollca Ramadani (LVV) kanë shpjeguar se ka edhe shkelje të tjera rreth kësaj çështjeje, andaj i kanë kërkuar Departamentit Ligjor dhe Monitorim të Komunave në kuadër të MAPL-së, që t’ia kërkojë kryetarit të Skenderajt Bekim Jashari dhe kryesueses së Kuvendit, Fatbardha Haliti të gjitha materialet rreth kësaj çështjeje dhe ta shqyrtojë ligjshmërinë e këtij vendimi, duke e rikthyer për rishqyrtim dhe rivendosje në Kuvendin Komunal të Skenderajt.

Në Komunën e Skenderajt i kanë thënë “Zërit”, të martën, se MAPL-ja nuk ka kthyer asnjë përgjigje as sa i përket kërkesës së PDK-së lidhur me formimin e KFS-së e as sa i përket kërkesës së LVV-së e “41000”-shit. Ata vetëm kanë thënë se pa një përgjigje nuk mund të thirret asnjë mbledhje e Kuvendit të Skenderajt.