Tmava: Jemi lodhur duke pritur për formimin e Bordit

Ekonomia February 27, 2018 - 08:38

Kanë kaluar 16 muaj prejse Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për “Trepçën”, por për shkak se as qeveria e Isa Mustafës e as ajo e Ramush Haradinajt nuk kanë arritur ta formojnë Bordin Mbikëqyrës “Trepça” vazhdon të ketë probleme thelbësore të funksionimit. Pos vështirësive të funksionimit, “Trepça” përballet edhe me borxhin prej 10 milionë eurosh që ia ka KPMM-së, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vetëm pak ditë më përpara ka siguruar se Bordi Menaxhues i “Trepçës” është në formim e sipër dhe se viti 2018 është shpallur vit i “Trepçës”, gjiganti ekonomik kosovar vazhdon të ketë probleme thelbësore të funksionimit.

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, tejet i zhgënjyer me vonesat e mëdha me formimin e bordeve të “Trepçës”, pa të cilat nuk mund as të funksionalizohet Ligji për “Trepçën”, tha se me gjithë premtimet e njëpasnjëshme formimi i bordeve nuk duket në horizont.

“Nuk ka kurrgjë deri më tani, formimi i Bordit nuk duket në horizont. Thjesht, jemi lodhur duke pritur”, ia tha Zëritdrejtori i “Trepçës” Ahmet Tmava, të hënën.

Ai ka shtuar se prodhimi është duke shkuar mirë dhe se edhe puna në përgjithësi është duke shkuar sipas planit të paraparë, por ka ripërsëritur se mospërzgjedhja e Bordit Mbikëqyrës ka sjellë telashe të mëdha në funksionalizimin e ligjit. 

LEXO EDHE: Fati i Agron Mustafës në dorën e kryeministrit

“Po shpresojmë që më në fund të fillojë zbatimi i Ligjit për ‘Trepçën’, në mënyrë që të fillojmë ta zhvillojmë kombinatin. Tani jemi duke punuar vetëm sa për të mbijetuar, akoma jemi në një situatë kur nuk i përkasim as AKP-së e as Qeverisë së Kosovës në mungesë të zbatimit të ligjit. Para nesh ka shumë sfida, të cilat duhen tejkaluar. Kemi arritur të bëjmë investime vetëm për përmirësimin e kushteve të punës, siç është transporti i punëtorëve, ushqimi, ngritja e pagave për 20 për qind. Kemi humbur shumë në aspektin kohor e nëse vonohemi edhe më shumë atëherë pasojat do të jenë edhe më të mëdha”, siguroi Tmava.

Ai ka shtuar se duhet të hyhet në politikat zhvillimore në mënyrë që eksploatimi i xehes të mundë të krijojë mundësi për përmirësimin e gjendjes financiare, si dhe punësimin e punëtorëve të rinj.

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka thënë minatorëve të “Trepçës” se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të rifunksionalizuar “Trepçën”. 

“Këtë vit e kemi shpallur vit të ‘Trepçës’, aftësimin e ‘Trepçës’ si kompani publike që të mundë të operojë vetë. Statuti i ‘Trepçës’ është në hartim e sipër, Bordi i ‘Trepçës’ është në përgatitje e sipër, ku do ta ketë edhe përfaqësuesin e punëtorëve, gjithashtu edhe Ligji i ‘Trepçës’. Jemi duke punuar që ‘Trepça’ të jetë e aftë për të operuar vetë dhe për të gjetur partnerë në investime. Është normale që kemi vështirësi, por do t’i menaxhojmë me sukses. Do të punojmë kujdesshëm për aktivizimin e ‘Trepçës’ në të gjitha kapacitetet e veta”, ka thënë Haradinaj.

Edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Trepçës , Shyqyri Sadiku, ka thënë se problemi më i madh është moszbatimi i Ligjit për “Trepçën”.

Ai tha se pavarësisht vështirësive gjendja e përgjithshme në Minierën e Stantërgut në krahasim me vitet më përpara është më e mirë, duke përmendur me këtë rast avancimin në pajisje të punës, pagat dhe të ngjashme.

“Është më mirë se përpara, edhe me paga edhe më gjithçka, por ‘Trepçës’ i duhet zhvillimi i shpejtë”, tha Sadiku.

Gjiganti ekonomik kosovar është duke u përballur edhe më borxhe të mëdha. Vetë Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale “Trepça” i ka borxh rreth 10 milionë euro. Kryesuesi i Bordit të Komisionit për Miniera dhe Minerale (KPMM), Musa Shabani, ka kërcënuar se do ta çojë në Prokurori ndërmarrjen “Trepça” për shkak të borxhit prej 10-milionësh.

Prej 23 milionë eurove sa janë borxhet ndaj Komisionit për Miniera dhe Minerale (KPMM) 10 milionë janë borxhe të ndërmarrjes “Trepça”.

Kjo shumë është grumbulluar që nga paslufta në formë të taksës për shfrytëzim e resurseve minerare (licenca). Drejtori i Trepçës Ahmet Tmava thotë se borxhi i grumbulluar ndaj KPMM-së rrjedh si pasojë e statusit ligjor të pazgjidhur të “Trepçës”.

“Trepça ende ka status të pazgjidhur ligjor. Deri më tani kemi qenë ndërmarrje shoqërore në kuadër të AKP-së. Ne jemi duke pritur që të zbatohet ligji, por kjo nuk mund të bëhet pa u formuar Bordi Menaxhues. Për këtë arsye edhe nuk po mund t’i kryejmë obligimet si ndërmarrje”, thotë Tmava, i cili ka siguruar se pas formimit të Bordit Mbikëqyrës do të fillojë epoka e zhvillimit të hovshëm të “Trepçës” në të gjitha segmentet e që sipas drejtorit Tmava do të krijohen kushte për punësimin e punëtorëve të rinj, si dhe do të krijohen kushte për ta shumëfishuar prodhimin e xehes në minierat e “Trepçës”.