Për 4 shtëpi projekti i zgjerimit të rrugës ngec 4 vjet

Ekonomia February 26, 2018 - 08:45
Ja në cilën komunë po ndodh kjo gjë

Projekti për zgjerimin e rrugës nga Polluzha e Drenasit e deri në Klinë të Epërme të Skenderajt ka filluar para katër vjetësh, por ai nuk ka përfunduar pasi që MI-ja nuk ka arritur t’i shpronësojë të paktën 4 shtëpi që pengojnë zgjerimin e rrugës, si dhe një pjesë të tokës te rrethrrotullimi në Klinë të Mesme, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Para 4 vjetësh, saktësisht në tetorin e vitit 2014 dy kompani, njëra nga Drenasi dhe tjetra nga Istogu, kishin fituar tenderin dhe kishin filluar punët për zgjerimin e rrugës me katër korsi nga hyrja në Skenderaj, nga ana e Drenasit e deri në Klinë të Epërme.

Kompania “Al Trade” kishte fituar tenderin për ta zgjeruar rrugën nga xhamia e deri në Klinë të Epërme, ndërsa kompania “Conex” prej xhamisë e deri në Polac, por kryesore, siç kishin deklaruar atëherë përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës, ishte që të përfundojë zgjerimi i rrugës prej hyrje-dalje nëpër Skenderaj, shkruan tutje "Zëri".

LEXO EDHE: Kosova humb miliona nga moszbatimi i Marrëveshjes për Energji

Për lotin që kishte fituar kompania “Al Trade” Ministria e Infrastrukturës kishte dhënë 1.4 milion euro, ndërsa për atë të kompanisë “Conex” 1.9 milion euro, pasi pjesë e projektit të asaj rruge ishte edhe ndriçimi.

Kompania “Al Trade” kishte arritur që projektin ta përfundojë shpejt, si dhe trotuaret e rrugës, por ajo kishte hasur në pengesa në 4-5 vende prej xhamisë e deri në Klinë të Epërme.

Bajram Gashani, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Al Trade”, i pati thënë Zërit se Ministria e Infrastrukturës nuk ka arritur t’i përfundojë procedurat e shpronësimit, gjë që ka bërë që në ato pjesë rruga të mos zgjerohet, respektivisht që të mbetet vetëm me nga një korsi.

Për ndërtimin e urës jo fort larg xhamisë Gashani i pati thënë “Zërit” se është e angazhuar një tjetër kompani, e cila ka arritur ta ndërtojë vetëm njërën anë të urës.

Nga aty e deri në Klinë të Epërme rruga nuk ka përfunduar në një pjesë në Klinë të Poshtme, pasi që korsia tjetër i bie përmes shtëpisë së një qytetari, në Klinë të Mesme janë katër pengesa, njëra te rrethrrotullimi, ku një qytetar nuk ka lejuar të zgjerohet rruga nëpër pronën e tij, si dhe gjithashtu në Klinë të Mesme, kur duhet rrënuar dy shtëpi, njëra në katër nivele dhe e pameremetuar dhe një tjetër pranë saj e gatshme për banim, në mënyrë që rruga të zgjerohet ashtu siç është paraparë me projekt. Këto të fundit janë ndërtuar në kohën sa me komunën e Skenderajt ka administruar UNMIK-u, respektivisht administratori anglez Bob Charbury. C

harbury kishte dalë vetë në terren dhe bashkë me inspektorët e atëhershëm ia kishin vënë shiritat të dy ndërtimeve, duke ua bërë të qartë pronarëve se ndërtimi është i lejueshëm.

Por, në ndërkohë ndërtimi i tyre kishte vazhduar dhe shtëpitë i kishin përfunduar pa u penguar. Edhe një shtëpi dhe objekte të tjera përcjellëse në Marinë pengojnë zgjerimin e rrugës. Ajo pjesë posa ta kalosh rrethrrotullimin ka mbetur vetëm me një korsi, ndërsa nga ana ku ndodhen objektet Ministria e Infrastrukturës ka vendosur një mburojë të fortë betoni në mënyrë që automjetet “të mos fluturojnë” mbi objektet e ndërtuara.

Fadil Deliu, pronar i objekteve, thotë se me Ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë mundur të merren vesh për shpronësimin.

Sipas tij, MI-ja dëshiron të kompensohet vetëm për pjesën e stallës (ahurit) dhe të një bunari e jo edhe për shtëpinë, e cila sipas Deliut është çarë në të gjitha anët pas lëkundjeve nga makineria që punonte në rrugë dhe se ajo mund të shembet.

“Ka rrëshqitur krejt ajo pjesë dhe për pasojë shtëpia është çarë në të gjitha anët, mund edhe të shembët, por këta të Ministrisë nuk duan as të dëgjojnë. Më kanë ofruar kompensim vetëm për ahurin edhe bunarin, por unë nuk kam pranuar. Ata kanë ardhur dhe kanë vënë betona dhe e kanë lënë punën. Është rrezik ajo pjesë, sepse makinat mund të përplasen në ata betona”, thotë Deliu.

Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, i ka tenë “Zërit” se shpronësimi i pronave për t’i lëshuar vend ndërtimit të rrugës është ekskluzivisht përgjegjësi e Ministrisë që drejton ai.

“Komunat këtu nuk kanë kurrgjë, komunat vetëm e përgatisin dokumentacionit, procedurat e shpronësimit janë punë të Ministrisë së Infrastrukturës”, ka thënë shkurt Lekaj.

Në anën tjetër Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar me komunat Skenderaj e Drenas një memorandum mirëkuptimi për projektin tjetër të zgjerimit të rrugës nga Polluzha deri në Komaran të Drenasit. Ndonëse kryetari i Skenderajt Bekim Jashari ka nënshkruar këtë marrëveshje, projekti i zgjerimit të rrugës ka të bëjë vetëm me komunën e Drenasit, pasi që zgjerimi bëhet në territorin e kësaj komune.

Partitë opozitare në Drenas ia kanë parë për të madhe kryetarit të Skenderajt Bekim Jasharit që ka nënshkruar marrëveshjen, duke i rekomanduar atij që të përkujdeset për komunën e tij dhe qytetarët e Skenderajt dhe që të mos i ndihmojë kryetarit të Drenasit Ramiz Lladrovcit, i cili, siç thonë partitë politike opozitare në Drenas, “ka ndryshuar trasenë e rrugës vetëm për ta kaluar nëpër pronat e tij”.

Sipas tyre, komplet rruga me katër korsi nga hyrja në Drenas do të kalonte në Korroticë të Epërme, te Parku i Biznesit dhe se në këtë mënyrë qytetarëve të Skenderajt do t’ua shkurtonte rrugën për në Prishtinë për mbi 15 kilometra.

Kryetari i IQ-së për Drenasin, Xhavit Drenori, i ka shkruar një letër kryetarit të Skenderajt Bekim Jasharit, të cilin e ka lutur “që të mos e çajë hallin e pronave të Lladrovcit”.

“I nderuar kryetar i Skenderajt, Bekim Jashari. Më 10 janar 2018 ju pata drejtuar me një kërkesë për takim përmes e-mail-it zyrtar për të sqaruar rreth fakteve që kisha mbledhur rreth dallavereve që Ramiz Lladrovci po përpiqet t’i bëjë duke devijuar trasenë me katër korsi nga drejtimi Klinë e Epërme – Skenderaj – Drenas – Kroi i Mbretit, drejtim ky i rekomanduar nga kompania projektuese “Infratek”, e kontraktuar nga Ministri e Infrastrukturës dhe e miratuar nga Komisioni përkatës i po kësaj Ministrie si varianti më i favorshëm në drejtimin Klinë e Epërme – Skenderaj – Drenas – Komoran, me qëllim të ofrimit të rrugës afër pronave të tij private që kishte blerë nga një qytetar, e që ky i fundit i kishte privatizuar nga AKP-ja në fshatin ndërmjet Drenasit dhe Komoranit. Dua t’jua përkujtoj se kompania projektuese “Infratek”, e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës në vitin 2014, ishte paguar nga taksapaguesit tanë në vlerë prej 33.524.00 eurosh dhe kishte rekomanduar variantin më të lirë dhe të përshtatshëm për ndërtimin e trasesë me katër korsi, e cila ishte edhe në përputhje të plotë edhe me kërkesën e ish-kryetarit të komunës së Drenasit, Nexhat Demaku dhe ish-nënkryetarit të Skenderajt Fadil Nura, meqë ky variant do ta shkurtonte gjatësinë Skenderaj - Prishtinë përreth 15 kilometra vajtje –ardhje në krahasim me variantin që dëshiron ta realizojë Ramiz Lladrovci”, thuhet në letrën që Drenori ia ka dërguar kryetarit të Skenderajt Bekim Jasharit. Drenori ka thënë se letrës që ia ka dërguar Jasharit ia ka bashkëngjitur edhe disa fotografi për t’ia sqaruar sa më mirë situatën. Ai gjithashtu ka kritikuar të dy kryetarët për faktin se, siç thotë ai, “janë thirrur në emër të qytetarëve e nuk janë takuar asnjëherë me ta”. Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se pjesë e marrëveshjes së nënshkruar me Lladrovcin dhe me ministrin Lekaj është edhe pjesa e zgjerimit të rrugës nga Polluzha deri në Klinë të Epërme, aty ku punët nuk kanë përfunduar për shkak të pengesave të ndryshme. Për këtë pjesë, sipas ministrit Lekaj, MI-ja ka ndarë 1.7 milion euro, andaj edhe besohet që me këto mjete do të mundë të kryhen procedurat e shpronësimit të pronave në ato pjesë ku ka ngecur projekti tash e 4 vjet.