Përfundon objekti i banimit social në Stan Tërg, vendosen 17 familje

Ekonomia February 24, 2018 - 08:30

Nga shumë familje që jetojnë në kushte të rënda të banimit në komunën e Mitrovicës, 17 prej tyre kanë pasur fatin që përfundimisht ta zgjidhin problemin e banimit. Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale e Republikës së Kosovës ka investuar 300 mijë euro për ndërtimin e një objekti të banimit social në Stan Tërg, ku në objekte të vjetra të kombinatit “Trepça” kanë jetuar në kushte të rënda të banimit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ato janë shfrytëzuar për strehimore kolektive nga shumë familje që kanë pasur probleme me banimin që nga përfundimi i luftës. Ndonëse disa prej këtyre familjeve ishin larguar nga ato objekte, pasi që Komuna gjatë qeverisjes së PDK-së dhe Agim Kastratit kishte arritur që një objekt që e kishte shfrytëzuar KFOR-it ta shndërrojë në objekt banimi dhe në të ishin vendosur disa familje në gjendje të rëndë të banimit. Por, në objektet e stërvjetruara dhe vetëm sa nuk janë rrënuar patën mbetur të jetojnë edhe disa familje të tjera të komunës së Mitrovicës. 

Ishte pikërisht Kadri Veseli, kryeparlamentari i Kosovës, i cili në vitin 2016 pati vizituar familjet që rrezikoheshin nga shembja e objekteve dhe me atë rast kishte siguruar se për të pastrehët do të ndërtohet një objekt banimi i karakterit social, në të cilin do të vendoseshin familjet e pastreha, për të cilin do të investonte Qeveria e Kosovës. Ndërtimi i këtij objekti kishte filluar në vitin 2016, ndërsa ka përfunduar këtë vit kur edhe u janë dorëzuar familjeve të pastreha dhe të varfra të Mitrovicës.

Për ndërtimin e objektit social në Mitrovicës, përkatësisht në Stan Tërg, Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale investoi 293.939 euro. Objekti ka sipërfaqe prej 1.504 metra katrorësh dhe ka 17 njësi banesore (banesa). Dhe pikërisht tani kur Kosova po kremtonte 10-vjetorin e Pavarësisë, objekti i banimit social në Stan Tërg të Mitrovicës u është dorëzuar familjeve të pastreha, ndërsa në këtë ceremoni, pos kryeparlamentarit Kadri Veseli, por merrnin pjesë edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe familje të pastreha.

Kryeparlamentari Veseli kujtoi se shumë familje të Mitrovicës ende nuk e kanë zgjidhur problemin e banimit, ndërsa ato përballen edhe me varfërinë.

“Familjet tona meritojnë kushte të dinjitetshme të jetesës sepse shumë dëshmorë kanë rënë që fëmijët tanë të rriten të lirë. Ne do ta ndihmojmë popullin tonë, do ta zhvillojmë shtetin tonë sepse vendi ynë, shteti ynë është i shenjtë andaj familjet nevojtare ta gëzojnë këtë objekt banimi”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq Skender Reçica, ministër i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, tha të jetë shumë i lumtur që familjet me problem të banimit do të bëhen me kulm mbi kokë në kohën kur qytetarët e Kosovës kremtojnë 10-vjetorin e Pavarësisë.

“Ndihem i lumtur që jam këtu në vendin ku zërat për liri e pavarësi fuqizoheshin çdo ditë e më shumë. Është nder që në këtë 10-vjetor jubilar po i gëzojmë 17 familje duke u ofruar strehë shtëpiake”, theksoi ministri Reçica.

Në anën tjetër kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka siguruar se në këtë objekt do të vendosen vetëm ato familje që vërtet jetojnë në kushte të rënda të banimit dhe të cilat rrezikohen nga mundësia e shembjes së ndërtesave ku tani jetojnë. Ai tha se Komuna ka formuar një komision, i cili do t’i përzgjedhë familjet që do të strehohen në objektin e ri të banimit social në Stan Tërg. “Komuna ka formuar edhe komisionin adekuat që do t’i shqyrtojë kërkesa për strehim për këtë objekt, me ç’rast do të përfitojnë vetëm ato familje që janë me kushte të renda sociale dhe të banimit”, tha Bahtiri.

Ndryshe, objektit për banim social në Stan Tërg është financuar nga ana e Ministrisë së Punës dhe e Mirëqenies Sociale gjatë vitit 2016-17 dhe vlera e objektit është 293,939.00 euro. Ky objekti përbëhet nga gjithsej 17 njësi banesore dhe ka 1.504.40 metra katrorë.