Oda Ekonomike Amerikane: Korrupsioni në shëndetësi dhe arsim vazhdon të mbetet i lartë

Ekonomia February 22, 2018 - 14:44

Korrupsioni vazhdon të mbetet në nivel të lartë si në sektorin e shëndetësisë ashtu edhe në arsim si pasojë e mungesës së vullnetit politik në nivelet më të larta institucionale.

Ishte ky konkluzioni i tryezës së radhës të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me titullin “Korrupsioni në Arsim dhe Shëndetësi”, në kuadër të projektit Luftimi i Korrupsionit dhe Etika në Biznes, të mbështetur nga Programi i UNDP për Përkrahje të Përpjekjeve për Luftimin e Korrupsionit në Kosovë, njofton OEA.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, ka thënë se tryeza u bë në një kohë pas publikimit të raportit të organizatës Transparency International e cila vlerëson progresin e ndjeshëm të Kosovës në aspekt të perceptimit të korrupsionit, duke e ranguar atë në 10 vende më mirë krahasuar me vitin e kaluar.

“Pavarësisht përparimit, duhen shtuar përpjekjet në të gjitha hallkat e luftimit të korrupsionit për rezultate më të efektshme në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Në lidhje me korrupsionin në shëndetësi, Patrick Etienne nga Zyra Zvicrane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë, ka thënë se pasojat e këtij fenomeni janë tragjike për arsye se ato ndikojnë në shërbime të cilësisë më të ulët, dhe rrjedhimisht në presion dhe stres në shoqëri, që po rezulton që qytetarët të dalin jashtë shtetit. Ai tha se problemi kryesor qëndron tek institucionet e larta shtetërore tek të cilat interesi privat mbizotëron atë publik.

Kurse, Blerim Syla, Kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, ka pohuar se korrupsioni është edhe i natyrës individuale, por edhe institucionale, duke përmendur kështu nivelin e lartë në politikë. Ai tha se mungon vetëdijësimi i shoqërisë civile në raportimin e korrupsionit, duke theksuar rëndësinë e një angazhimi më të madh edhe të mediave.

Alban Selimi, gazetar ka folur për rolin e rëndësishëm të medieve në hulumtimin e korrupsionit në shëndetësi, si dhe për disa skandale të cilat janë sjellë në vëmendjen e publikut duke iu falënderuar medieve.

Në anën tjetër, duke folur në panelin mbi korrupsionin në arsim, Arbër Geci, Zëvendësministër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka thënë se në krahasim me shëndetësinë, pasojat e korrupsionit në arsim janë më të ngadalshme. Ai përmendi gjendjen shqetësuese në arsimin e lartë mbi prezencën e nepotizmit, ndikimeve partiake, dhe profesorët me ngritje të dyshimta akademike. Ai po ashtu tha se studentët janë pak të informuar në aspektin e raportimit të korrupsionit, gjë për të cilën Ministria e Arsimit planifikon të organizojë fushata në informimin dhe vetëdijesimin e tyre që nga shkollat fillore deri te universitetet.

Jeton Zulfaj, Menaxher i Programeve në Lëvizjen FOL dhe Dukagjin Pupovci kanë deklaruar se që nga paslufta, sistemi arsimor ka degraduar dhe se sistemi korruptiv në punëismin e personleit arsimor mbetet shqetësues.