Ministritë e AKR-së investojnë rreth 3 milionë euro në Mitrovicë

Ekonomia February 22, 2018 - 09:23
Ja për çfarë inestimi janë ndarë këto mjete

Ministrat e AKR-së tashmë janë përcaktuar të investojnë në mjedisin në të cilin  qeveris subjekti i tyre politik, në veçanti MMPH-ja dhe MZHE-ja, të cilat kanë vendosur të investojnë në disa projekte në Mitrovicë, aty ku qeveris bashkëpartiaku i tyre Agim Bahtiri, ndërsa Pal Lekaj është përcaktuar të investojë në dy komunat e Drenicës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Komuna e Mitrovicës dhe ajo e Drenasit kanë përfituar shuma të mëdha të mjeteve për realizimin e disa projekteve në infrastrukturën bazike, në veçanti në infrastrukturën rrugore.

Në dy ditët e fundit Komuna e Mitrovicës ka arritur t’i sigurojë mbi 3 milionë euro investime për projekte në Mitrovicë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa Komuna e Drenasit do t’i përfitojë mbi 15 milionë euro për projekte në infrastrukturën rrugore dhe në infrastrukturën tjetër nga Ministria e Infrastrukturës së Republikës së Kosovës.

Ministritë që udhëhiqen nga njerëzit e Aleancës Kosova e Re pa dyshim janë përcaktuar të investojnë në komunën e Mitrovicës, me të cilën qeveris bashkëpartiaku i tyre, Agim Bahtiri.

LEXO EDHE: Nesër i skadon kontrata kryeshefit që ia dha teposhtën Telekomit

Pas Valdrin Llukës, i cili drejton Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik e që për shumë kohë ishte drejtor i Fabrikës së kërpudhave në Gushavc të Mitrovicës, një fabrikë që menaxhohet nga familja e kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtiri, edhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj, e cila gjithashtu vjen nga AKR-ja, ka siguruar mbi 3 milionë euro për 6 projekte në Mitrovicë, shkruan tutje "Zëri".

Të mërkurën ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Islam Pacolli (AKR), kanë takuar kryetarin e Mitrovicës Agim Bahtirin në Mitrovicë, me ç’rast kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi dhe të bashkëpunimit për gjashtë projekte të mëdha, që kjo Ministri do t’i realizojë në komunën e Mitrovicës.

Kryetari Bahtiri është shprehur falënderues për realizimin e këtyre projekteve, siç tha ai madhore, në interes për qytetin e Mitrovicës, duke vlerësuar lart punën e mirë që janë duke e bërë të gjithë ministrat nga radhët e AKR-së.

“Unë ju falënderoj shumë për interesimin e jashtëzakonshëm që po tregoni për Mitrovicën dhe për qytetarët e saj. Ne jemi mirënjohës që ju si drejtuese e MMPH-së keni vlerësuar se Mitrovica ka nevojë për mbështetje dhe keni marrë vendim të realizohen këto gjashtë projekte madhore në të mirë të qytetit tonë”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Ministrja Reshitaj ka treguar 6 projektet që ministria e saj do t’i realizojë në vitin 2018 e që janë: Kopshti Botanik, Ujësjellësi Shipol-Brus, kanalizimi dhe ujësjellës të tjerë,  kanalizimi në Frashër, rregullimi i shtratit të lumit Ibër, rregullimi i shtratit të lumit Sitnicë dhe ndërtimi i shtëpisë së peshkatarëve në liqenin akumulues në Suhadoll.

Sipas saj, vlera totale e këtyre projekteve arrin vlerën prej 2.5 milionë eurosh.

Në anën tjetër, në komunën e Drenasit do të investohet në disa projekte rrugore, në të cilat Ministria e Infrastrukturës së Republikës së Kosovës do t’i investojë mbi 15 milionë euro. Projekti më i madh është ai i zgjerimit të rrugës nga Polluzha në Komaran, për të cilin do të investohen 13 milionë euro. Ndonëse ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, që i përket subjektit politik që udhëheq me Drenasin, është zotuar se Drenica do të jetë prioritet i tij gjatë mandatit sa do të udhëheqë me Ministrinë e Infrastrukturës.

Kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci ka pritur ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës Pal Lekajn dhe zëvendësministrin Fehmi Mujota, ku edhe kanë nënshkruar plotësim-ndryshimin e memorandumit të mirëkuptimit për financimin e projekteve infrastrukturore në komunën e Drenasit.

Me këtë rast kryetari Lladrovci është njoftuar nga ministri Lekaj se këtë vit do të fillojë asfaltimi i rrugës me katër korsi, Polluzhë – Drenas - Komoran dhe shumë shpejt do të nisë edhe vazhdimi i punimeve për asfaltimin e rrugës Drenas - Korroticë e Epërme (“Kroi i Mbretit”). Kjo rrugë, e cila është e gjatë 10 kilometra, do ta shkurtojë dukshëm rrugën nga Drenasi për në Prishtinë për disa kilometra. Më të gëzuar me këtë projekt janë shprehur qytetarët e Skenderajt, pasi që me ndërtimin e kësaj rruge ata do të kenë më afër Prishtinën për më shumë se 15 kilometra. Në kuadër të plotësim-ndryshimit të memorandumit do të vazhdojë edhe asfaltimi i rrugës në Komoran, vazhdimi i asfaltimit të rrugës Drenas - Gradicë dhe vazhdimi i rrugës Llapushnik - Drenas.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka falënderuar ministrin Pal Lekaj “për kontributin që po e jep në përshpejtimin e proceseve me anë të nënshkrimit të memorandumeve për infrastrukturën në komunën e Drenasit dhe të Skenderajt”.

“Siç e dini, më herët ne nënshkruam një marrëveshje mirëkuptimi për rrugën me katër korsi, që ka filluar dhe që kalon nga Klina e Epërme, në Skenderaj dhe vazhdon në Polluzhë, Drenas dhe në Komoran. Ndërsa tani nënshkruam memorandum për rrugët lokale të komunës së Drenasit. Falënderoj ministrin për punën që po e bën, sepse komuna e Drenasit ka akoma nevojë për dorën e Qeverisë së Kosovës, që ta kemi një infrastrukturë sa më të mirë për qytetarët tanë”, tha Lladrovci.

Ndërkaq ministri Pal Lekaj theksoi se ndihet mirë që Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës janë pranë komunave.

“Nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për mbështetje financiare të projekteve, që do ta lidhin qytetin me zonat rurale. Ministria e Infrastrukturës do të jetë derë e hapur e juaj, sepse e di kontributin tuaj edhe të kryetarit të mëparshëm, andaj unë së bashku me bashkëpunëtorët e mi do të jemi në mbështetje të projekteve tuaja që kanë ndikim pozitiv edhe në zhvillimin ekonomik në përgjithësi, si dhe në zhvillimin e Drenasit. Të jeni të bindur se ne do të jemi të saktë në projekte, në implementimin e tyre dhe nuk do t’i zgjasim projektet siç ka ndodhur në të kaluarën”, tha ministri Lekaj.