Nesër i skadon kontrata kryeshefit që ia dha teposhtën Telekomit

Ekonomia February 22, 2018 - 08:46

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës (TK), Agron Mustafa, erdhi në krye të kësaj ndërmarrjeje publike në fillim të vitit 2015 kur Telekomi sapo e kishte përmbyllur vitin paraprak me një fitim prej 16.5 milionë eurosh. Mustafës pritet t’i skadojë kontrata nesër, por ai po e lë këtë ndërmarrje në gjendje shumë të rëndë financiare, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Në kohën kur Agron Mustafa erdhi në krye të Telekomit të Kosovës (TK), më 22 shkurt 2015, ndërmarrja sapo e kishte mbyllur vitin paraprak me një fitim prej 16.5 milionë eurosh.

Ndonëse kjo ishte përgjysmë më pak se viti 2013 kur fitimi ishte 36.1 milionë euro, me zgjedhjen e Mustafës në krye të Telekomit pritej që të ndalej ky trend negativ i performancës financiare. Por, përveçqë nuk u ndal trendi negativ, ndërmarrja këta tre vjetet e fundit shënoi rënien më të madhe ndër vite, shkruan tutje "Zëri".

Sipas raporteve të performancës financiare për Telekomin, qysh në vitin e parë kur Mustafa erdhi në pozitën e kryeshefit ndërmarrja e mbylli vitin me një humbje prej 7.9 milionë eurosh.

LEXO EDHE: Haxhiu: Haradinaj po shet territor

Bëhet fjalë për vitin 2015, përderisa vetëm një vit më herët, më 2014-n, Telekomi e kishte mbyllur vitin  me një fitim prej 16.5 milionë eurosh.

Në vitin pasues, më 2016-n, kur pritej që të merreshin masat në uljen e shpenzimeve ndërmarrja shënoi performancën më të dobët ndër vite. Ajo e mbylli vitin 2016 me një humbje prej 31 milionë eurosh, duke e çuar kështu ndërmarrjen në prag të falimentimit.

Gazeta Zërika siguruar raportin e fundit mbi ndërmarrjet publike të hartuar nga Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE).

Të dhënat janë për vitin 2016 dhe në përgjithësi aty përshkruhet gjendje e rëndë financiare për Telekomin.

“Telekomi i Kosovës SHA vitin 2016 e ka përfunduar me rezultat negativ financiar me rreth 31.311.000 euro”, thuhet në raportin “Performanca e ndërmarrjeve publike për vitin 2016”.

Raporti i Qeverisë sqaron se rritja e madhe e shpenzimeve në raport me të hyrat e ka vënë Telekomin e Kosovës në një gjendje të rëndë financiare. Kështu prej 76 milionë eurosh sa ishin të hyrat më 2016-n, shpenzimet shkuan në 107.3 milionë euro.

Si pasojë, ndërmarrja pati tkurrje të pasurisë dhe rritje të mëdha të detyrimeve.

“Sa u përket shpenzimeve të përgjithshme, Telekomi i Kosovës ka shënuar një rritje prej 13% në krahasim me vitin paraprak, ndërsa shpenzimet për paga kanë shënuar një rënie në 27% në krahasim me vitin paraprak”, thuhet në raport.

Pasuritë e Telekomit të Kosovës gjatë vitit 2016 janë tkurrur për 9 për qind në krahasim me vitin paraprak, ekuiteti është tkurrur, është zvogëluar për 29,5 për qind, ndërsa detyrimet janë rritur për 38 për qind.

Telekomi pa bord, MZHE-ja i kërkon interpretim ligjor Kryeministrisë

Gazeta “Zëri” përmes burimeve të sigurta mëson se kryeshefit aktual të Telekomit Agron Mustafës i skadon kontrata nesër, më saktësisht ditën e premte.

Ai u zgjodh në këtë pozitë më 19 shkurt 2015, nga bordi i kësaj ndërmarrjeje.

Por ai bord që e zgjodhi më 2015-n tash nuk është funksional për ta shpallur konkursin e ri. Bordit i ka kaluar mandati dhe momentalisht çështja e shpalljes së konkursit ka mbetur pezull.

Gazeta “Zëri” mëson së për këtë çështje Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) i ka kërkuar përmes një shkrese interpretim ligjor edhe Zyrës së Kryeministrit.

“Nga Kryeministria nuk na kanë kthyer ende përgjigje. Jemi në pritje pasi ne nuk mund ta shpallim konkursin pa e thënë fjalën bordi, i cili nuk është funksional”, ka thënë ky burim i afërt me zhvillimet.

Ndërkaq, sa i përket përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të ri kjo nuk pritet të ndodhë, së paku deri në mars.

Në një përgjigje për gazetën nga Ambasada Britanike në Kosovë, e cila po e mbikëqyr këtë proces, ka  thënë se procesi për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Telekomit të Kosovës është duke vazhduar.

“Faza e parë e përzgjedhjes së kandidatëve të cilët i kanë përmbushur kriteret ka përfunduar. Intervistat, krijimi i listës së shkurtër dhe prezantimi i rekomandimeve do të përfundojë në muajin mars, kurse përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të Telekomit të Kosovës do të bëhet nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për gazetën.

Lidhur me ketë gazeta ka dërguar pyetje edhe në Telekom dhe në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, por nuk ka marrë përgjigje.

26.8 milionë euro për pagat e afër 3 mijë punëtorëve

Telekomi i Kosovës (TK) është shfrytëzuar ndër vite nga të gjitha partitë në pushtet për të rehatuar militantë partiakë. Numri i të punësuarve në Telekom tashmë ka arritur në 2 mijë e 274 punëtorë.

Vetëm për paga në vitin 2016 kanë shkuar 26.8 milionë euro, 22 milionë euro shpenzime operative dhe 23 milionë euro në nënkategorinë që është emëruar “Zhvlerësimi”.

Në tabelën e shpenzimeve për vitin 2016 përmendet edhe një kategori tjetër, e cila ia hëngri ndërmarrjes plot 35.3 milionë euro. Kjo kategori është emëruar “Të dalat e tjera”, por as këtu nuk sqarohet se ku kanë shkuar këto mjete.

Kjo gjendje e rëndë financiare ka reflektuar edhe në tkurrjen e numrit të konsumatorëve, veçanërisht të atyre të telefonisë fikse.

Në fund të vitit 2016 numri i konsumatorëve të telefonisë fikse ishte më i vogël për 14 mijë e 187 konsumatorë apo 25 për qind më i ulët se viti paraprak.

Ndërkaq tek telefonia mobile pati rritje të numrit të konsumatorëve për 12,7 për qind krahasuar me vitin 2015.

“Aty shihet se numri i konsumatorëve të telefonisë fikse në fund të vitit 2016 ka rezultuar të jetë 25% me i ulët se viti paraprak. Numri i konsumatorëve të telefonisë mobile për periudhën e vitit 2016 është 12,7% më i lartë se viti paraprak. Numri i konsumatorëve të shërbimeve të internetit është 12,9% më i ulët se viti paraprak”, thuhet në raport.

Rënie e madhe vërehet edhe te numri i konsumatorëve që i shfrytëzojnë shërbimet e internetit.

Deri më 2015-n në këtë kategori ishin 38 mijë e 149 konsumatorë, përderisa në vitin 2016 u tkurr në 33 mijë e 217 konsumatorë apo 4 mijë e 935 konsumatorë më pak.

Në përgjithësi, sipas këtij raporti ndërmarrja kishte dështuar pothuaj në të gjitha planifikimet e parashikuara për këtë vit.

“Të hyrat e planifikuara për vitin 2016 janë për 16% më të larta se të hyrat e realizuara, ndërsa të hyrat e realizuara në vitin 2016 janë për 10% më të ulëta në krahasim me vitin paraprak. Shpenzimet e planifikuara janë më të ulëta për 35% në krahasim me realizimin e 2016-s. Shpenzimet e realizuara për vitin 2016 janë për 13% më të larta sesa shpenzimet e realizuara në vitin paraprak”, thuhet në raport.