AKR-ja ia bën numrat Bekim Jasharit

Ekonomia February 15, 2018 - 08:49

Kuvendi i Skenderajt në vazhdimin e tretë të seancës së 30 janarit ka miratuar propozim-vendimin e kryetarit Bekim Jashari për shpallje në interes publik të 36 hektarëve tokë në Marinë për ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Më në fund ka përfunduar mbledhja e Kuvendit të Skenderajt e filluar më 30 janar, vazhdimi i së cilës kishte dështuar një javë më parë në mungesë të kuorumit, ndërsa të mërkurën tre asamblistët e AKR-së ishin ata që ndihmuan kryetarin e Skenderajt Bekim Jasharin që të mos dështojë edhe vazhdimi i dytë i mbledhjes së 30 janarit, në të cilën nuk ishte arritur të miratohet propozim-vendimi i Bekim Jasharit që një hapësirë prej 36 hektarësh, ish-pronë e ndërmarrjes shoqërore “Produkti”, e cila aktualisht menaxhohet nga AKP-ja të shpallen në interes publik për ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike.

LEXO EDHE: Baraku-Xhema: Shpendi ma vodhi idenë për pastrimin e ajrit

Të mërkurën, në vazhdimin e tretë të mbledhjes në Kuvendin e Skenderajt janë kthyer edhe asamblistët e PDK-së, krahu i Sami Lushtakut, këshilltarët e LVV-së dhe të IQ “41000”, por GP-ja e PDK-së bashkë edhe me dy këshilltarë të LVV-së dhe një të IQ “41000” kanë braktisur mbledhjen në kohën kur është dashur të votohej për propozim-vendimin e kryetarit Jashari, shkruan tutje "Zëri".

Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari edhe një herë ka sqaruar se Zona e Lirë Ekonomike në Marinë në sipërfaqe prej 36 hektarësh është interes i qytetarëve të Skenderajt, ndërsa ka konfirmuar se ka të gatshme listën e kompanive që janë të interesuara të vendosen dhe të investojnë në këtë Zonë.

Para se të fillonte takimi Grupi i Këshilltarëve të PDK-së ka lëshuar një deklaratë me anë të së cilës kanë treguar për arsyet pse kanë vendosur të kthehen në Kuvend dhe për më tepër kanë treguar për shkeljet që janë duke përcjellë punën e Kuvendit të Skenderajt.

“GP-ja e PDK-së konfirmon qëndrimin tonë parimor si subjekt politik në funksion të interesit të përgjithshëm qytetar dhe pikërisht rikthimi në këtë seancë vazhduese (maratonë), pavarësisht faktit që ne u larguam si manifestim i pakënaqësisë politike me formën dhe mënyrën e zgjedhjes së organeve të Kuvendit, është treguesi më i qartë i këtyre parimeve. Përveç këtyre, ne sot jemi kthyer në po të njëjtën seancë edhe me një kërkesë të vetme; mosvazhdimin me gabime sepse të gjithë kemi përgjegjësi ndaj ligjit dhe qytetarëve, sepse thirrja për të tretën herë për të vazhduar të njëjtën seancë ndërkohë që jemi futur në afatet kohore për të ftuar seancë të rregullt, meqë tani janë themeluar edhe organet profesionale të Kuvendit, është praktikë e panjohur deri më tani apo thënë më mirë është praktika më e keqe. Kjo praktikë përveçse e keqe bart më vete edhe shkelje ligjore, duke marrë parasysh faktin se pika e rendit të ditës për shpalljen e interesit të përgjithshëm për themelimin e një zone ekonomike mbi pronësinë e menaxhuar nga AKP-ja, me një sipërfaqe kaq të madhe, është e një rëndësie të veçantë, prandaj duhet që patjetër t’i nënshtrohet procedurës së rregullt ligjore, konform detyrimeve të Nenit 52. Paragrafi 2, të Ligjit Nr.03/L-040, për Vetëqeverisje Lokale, ku thuhet: ‘Komiteti Për Politikë e Financa është përgjegjës për shqyrtimin e të gjitha politikave, dokumenteve fiskale dhe financiare, planeve dhe iniciativave, duke përfshirë dokumentet e planifikimit strategjik...’. Pra një propozim i tillë i një rëndësie strategjike pa një rekomandim nga organi profesional i Kuvendit me përgjegjësi të qarta ligjore konsiderojmë se është i jashtëligjshëm”, thuhet në deklaratën e Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin e Skenderajt, për të shtuar se propozim-vendimi ka paqartësi dhe është i mangët edhe në përmbajtje, sepse thirrja ligjore sipas Nenit 14 të Ligjit Nr. 04.L-144, për Dhënien në Shfrytëzimin dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, në propozim për shpalljen e interesit të përgjithshëm për pronat e evidentuar në menaxhim të AKP-së, sipas paragrafëve 1, 2, 3, 4, të Nenit 1 të këtij propozimi i referohen procedurës së këmbimit si formë e bartjes së pronësisë, me ç’rast në propozim nuk figurojnë pronat e ofruara për këmbim nga Komuna konform po të njëjtit nen (14), në paragrafin 2 thuhet se duhet të ofrojë certifikatë të pronësisë nga Zyra Komunale e Kadastrës për Ngastrat Kadastrale, të ofruara për ndërrim nga Kuvendi i Komunës jo më të vjetra se gjashtë (6) muaj.

“Pra, ne nuk e dimë cilat dhe ku gjenden ato prona të Komunës për këmbim. A ka Komuna një sipërfaqe prej 30 hektarësh për këmbim dhe cila do të jetë afërsisht vlera e këtyre pronave, duke marrë parasysh se Komuna nuk ka një pronë me sipërfaqe të tillë në një vend, por janë të shpërndara dhe të parcializuara anekënd territorit administrativ të Komunës? A është kjo forma e iniciuar më e mirë në interes të Komunës, kur kemi parasysh se legjislacioni parasheh edhe forma më të favorshme për Komunën për arritjen e qëllimit të njëjtë”, thuhet mes tjerash në deklaratën e Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, e cila u është drejtuar kryetarit Bekim Jashari dhe këshilltarëve komunalë.

Në fund me 16 vota pro, Kuvendi miratoi propozim-vendimin e kryetarit të Skenderajt, Bekim Jasharit për shpallje në interes të përgjithshëm të 36 hektarëve tokë në Marinë, e cila aktualisht menaxhohet nga AKP-ja.