Baraku-Xhema: Shpendi ma vodhi idenë për pastrimin e ajrit

Ekonomia February 15, 2018 - 08:33

Ka më shumë se dy vjet që Vesa Baraku-Xhema nga Prishtina ka kërkuar takim me kryetarin aktual të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmetin, por ky i fundit nuk ka gjetur kohë. Në pamundësi të takimit Baraku-Xhema përmes postës elektronike Ahmetit ia ka propozuar idenë për vendosjen e drunjve të mençur për ta pastruar ajrin në Prishtinë. Por, pas gati dy vjetësh kryetari Ahmeti idenë e saj e ka prezantuar si projekt të Komunës së Prishtinës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Vesa Baraku-Xhema nga Prishtina ka më shumë se dy vjet që ka kërkuar të takohet me kryetarin aktual të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmetin për t’ia prezantuar atij idenë për vendosjen e drunjve të mençur me qëllim të pastrimit të ajrit shumë të ndotur në kryeqytet.

Por, edhe pas dy vjetësh pritjeje Baraku-Xhema nuk ka mundur ta realizojë një takim të tillë.

Në pamundësi të takimit direkt për t’ia promovuar idenë e saj drejtoresha e organizatës “Green City Prishtina” përmes postës elektronike ia kishte prezantuar idenë kryetarit Ahmeti.

LEXO EDHE: Gripi bën ''kërdinë'' në Kosovë

Por, çuditërisht tek pas dy vjetësh kryetari Ahmeti idenë e Baraku- Xhemës e prezanton si projekt të Komunës së Prishtinës e që tej mase ka shqetësuar ideatoren.

Në një intervistë për gazetën ZëriVesa Xhema, drejtoreshë e organizatës “Green City Prishtina”, pohon se ajo kishte dhënë idenë për këtë biofiltër dy vjet më parë. Ajo ka treguar si i ka ardhur ideja që në Prishtinë të vendoset një “City Tree” dhe se si tashmë dy vjet këtë ide ia kishte propozuar kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmetit.

“Unë si nënë dhe si qytetare e Prishtinës kam ardhur nga Gjermania me familje, kemi vendosur të kthehemi në Kosovë. Ideja jonë ishte që fëmijët të shkollohen dhe të edukohen në gjuhen shqipe. Ne në Kosovë fatmirësisht i kemi të gjitha kushtet, por për të pasur jetë të shëndoshë esenciale është ajri i pastër e kjo na ka munguar dhe po na mungon në Prishtinë. Për këtë qëllim unë e kam formuar organizatën ‘Prishtina Green City’”, ka treguar Baraku-Xhema për gazetën Zëri.

Kryetari Ahmeti për dy vjet nuk i kthen përgjigje

Ajo më tutje ka rrëfyer se si kishte provuar të kontaktojë me kryetarin Ahmeti, por ai asnjëherë nuk ia kishte kthyer një përgjigje.

“Fillimisht kam kontaktuar nëpërmes faqes zyrtare. E kam kërkuar numrin e zyrës së Shpendit. Aty kam thirrur disa herë, por gjatë gjithë kohës ka dalë linja e nxënë, nuk e ka hapur askush telefonin, pastaj rastësisht e kam takuar kryetarin në një dasmë dhe i tregova për idenë. Ai filloi të qeshë dhe tha se ka qenë jashtë Kosovës, por sidoqoftë më tha që ta kontaktoj. Unë ia mora numrin e mobilit të tij dhe i tregova si është puna e projektit. I shkrova edhe disa herë mesazhe telefonike, por asnjëherë nuk mora përgjigje nga ai”, tregon e zhgënjyer ajo.

Xhema më tutje tregon se në fillim ka menduar se kryetari Ahmeti është i hapur për qytetarë dhe për persona inovativë, por tashmë ajo thotë se është thellësisht e zhgënjyer në të.

“Ahmeti vetë ka potencuar që Prishtina me zemër do të udhëhiqet dhe për atë kam shkuar në rrugë të drejtë. Unë nuk kam dashur që më të zhvilloj takime duke intervenuar te persona ta ndryshëm, kam kërkuar vetëm takim zyrtar më të, që për dy vjet nuk u realizua asnjëherë”, tha ajo.

Për Xhemën nuk është edhe aq e rëndësishme të përmendet që ajo është ideatorja e këtij filtri. Ajo thotë se tani po jepen fonde për këtë gjë dhe se po shitet ajri i pastër.

“Për mua është shumë relevante pastrimi i ajrit në Prishtinë, sepse këtu po jetojmë me fëmijët tanë. Kryetari Ahmeti duhet të më tregojë mua, por edhe qytetarëve të komunës së Prishtinës se cilat janë arsyet pse nuk më takoi për dy vjet radhazi, duhet t’i tregojë opinionit se si e vodhi projektin tim dhe atë e promovoi sikur të ishte i Komunës së Prishtinës”, ka thënë më tutje ajo.

Baraku-Xhema, ftesë publike për takim me kryetarin Ahmeti

Tanimë që Komuna e Prishtinës ka vendosur ta përdorë idenë e saj, Baraku-Xhema përmes ftesës publike po kërkon një takim zyrtar me kryetarin Ahmeti.

“Unë nga Shpend Ahmeti kërkoj një takim serioz në lidhje me këtë punë, sepse unë përveç asaj që jam një qytetare, një themeluese e organizatës ‘Prishtina Green City’, qe dy vjet merrem me këtë punë dhe shpenzoj mund dhe po ashtu një sasi të parave, por nuk është ajo diçka që dua të përmendem. Për të mirën e popullatës tonë, të fëmijëve tanë po dua të di konkretisht se pse nuk është ndërmarrë qe dy vjet asgjë nga projekti im dhe pse tash po anashkalohet nga unë dhe nga organizata ime, dua thjesht një përgjigje”, ka thënë ajo.

Gazeta “Zëri” për këtë çështje ka tentuar ta marrë një përgjigje nga Komuna e Prishtinës, por as pas një ditë pritjeje Komuna nuk ka kthyer përgjigje.

Përndryshe, Komuna ka paralajmëruar se projekti me “City Tree” do të testohet gjatë vitit 2018 dhe më pas do të shikohet mundësia që panele të tilla të vendosen në banesat ekzistuese.

Në një shkrim të Komunës thuhet se “City Tree” është biofiltër që përmirëson dukshëm kualitetin e ajrit dhe efekti i tij është sa 275 drunj të mbjellë.

Në një metër katror ofron hapësirë për 1682 bimë, duke e rritur kështu biodiversitetin në qytet.

Është hapësirë/panel i gjelbër, që absorbon 250 gramë grimca të pluhurit në ditë dhe eliminon rreth 240 tonë CO2 në vit. 

Image