Në Kosovë operojnë 29 institucione ilegale serbe

Ekonomia February 14, 2018 - 07:57

Ministri serb i Administratës Lokale, Branko Ruzhiq, i ka konsideruar si shumë të rëndësishme organet e përkohshme në komunat e Kosovës, me të cilat Serbia qeveris Kosovën.

Sipas tij, organet e përkohshme, të cilat në fakt janë komuna paralele, janë të rëndësishme edhe sa i përket ekzistencës së mijëra familjeve serbe në Kosovë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në një tryezë në kuadër të të ashtuquajturit “dialog i brendshëm”, që është mbajtur në qytetin e Nishit, Ruzhiq ka thënë se forcimi i bashkëpunimin të komunave krijon siguri te serbët e Kosovës.

“Me këtë tregojmë se 150 mijë serbë në Kosovë kanë mbështetjet dhe mbrojtjen e shtetit të Serbisë, Serbia sot ndikimin e vet në Kosovë e realizon nëpërmes të 29 organeve të përkohshme komunale, me ruajtjen e të cilave mbajmë rendin juridik e kushtetues të Republikës së Serbisë. Është me rëndësi të theksohet se MDULS-i ka përgatitur projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Qeverisje Lokale dhe Ligjin që rregullon Pushtetet Lokale”, ka thënë ai.

Ruzhiq ka pranuar se vendimi për formimin e organeve të përkohshme është antikushtetues, pasi që zgjedhjet komunale, sipas sistemit të Serbisë, ka qenë dashur të mbahen dy muaj pas formimit të organeve të përkohshme.

Kuvendet komunale në Kosovë në kuadër të sistemit të Republikës së Serbisë janë pezulluar në vitin 2013 me një vendim të qeverisë së Serbisë, pasi që një vit më herët pas zgjedhjeve lokale të 6 majit janë formuar organet e përkohshme.

Në këtë mënyrë, pas pezullimit të kuvendeve komunale serbe janë formuar organet e përkohshme.

Vendimi për pezullimin e Kuvendit të Mitrovicës së Veriut është marrë para zgjedhjeve lokale në kuadër të sistemit të Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur për herë të parë në veri të Kosovës.

Rolin e komunave me sistemin e Republikës së Serbisë, siç ka konfirmuar Ruzhiq, edhe më tutje e luajnë organet e përkohshme.

Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese e Serbisë vendimin për pezullimin e kuvendeve të komunave Podujevë, Gjakovë, Suharekë, Deçan, Prizren, Ferizaj dhe Klinë, si dhe formimin e organeve të përkohshme të këtyre komunave i ka shpallur jokushtetuese dhe të paligjshme. 

Në anën tjetër, drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, gjithashtu në tryezën në kuadër të dialogut të brendshëm të Serbisë, që është mbajtur në Nish, ka konstatuar se komunat dhe qytetet e Serbisë Qendrore do të kyçen në dhënien e ndihmës dhe mbështetjeve komunave të Kosovës, në të cilat jetojnë serbët.

“10 komuna me shumicë serbe në Kosovë janë nën mbrojtjen dhe mbështetjen e Serbisë. Administratat komunale duhet të kenë përgjegjësi për politikën shtetërore e nacionale të Serbisë. Këtu, në Nish jemi marrë vesh që secila nga 10 komunat me shumicë serbe në Kosovës ta kenë mbështetjen e 10 komunave të Serbisë Qendrore. Këto komuna duhet t’i marrin në dorë komunat e Kosovës. Në këtë mënyrë do të kyçen edhe njësitë e administrative komunale vetëm për ta mbrojtur popullin tonë në Kosovë. Duhet të organizohemi edhe individualisht që t’i ndihmojmë komunat aq sa të kemi mundësi”, ka thënë Gjuriq.

Gjuriq është ankuar në Prishtinën se nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta themeluar “Zajdenicën”, ndonëse kanë kaluar 1760 ditë prejse është arritur marrëveshje në Bruksel për formimin BKS-së.

“Prishtina po bën çmos që deri te formimi i ZSO-së të mos vijë dhe vazhdimisht është duke proklamuar idenë se me formimin e ‘Zajednicës’ krijohet një diçka që i ngjan Republikës Srpska në Bosnje”, ka vlerësuar Gjuriq.