Caktohet çmimi dhe afati për fillimin e ndërtimit të autostradës për Gjilan

Ekonomia February 13, 2018 - 15:38

Buxhetit të Kosovës do t’i kushtojë 88 milionë euro autostrada që lidh kryeqytetin me Gjilanin. Kështu bëri të ditur ministri Pal Lekaj.

Ai në një konferencë për media tregoi se projekti parasheh një autostradë 22.3 kilometërshe e cila do të përfundohet brenda 30 muajve, shkruan gazetametro.net.

“Ajo do të jetë e gjatë 22.3 kilometra. Punimet do të nisin në mars dhe afati i punimeve do të jetë 30 muaj”, ka thënë Lekaj.

Me një llogaritje të thjeshtë, rezulton se buxhetit të shtetit do t’i kushtojë ky projekt me 3.9 milionë për çdo kilometër.

Lekaj ka bërë të ditur se për të kryer punët në këtë segment, janë përzgjedhur 8 operatorë, dhe kontratat me to do të bëhen publike së shpejti.

Ndryshe, në buxhet ishin paraparë 126 milionë për këtë projekt, por Lekaj njoftoi se paratë që do të mbesin do të përdoren për të vazhduar projekti.