Kërkohet që të merren masa urgjente për ndalimin e falimentimit të Telekomit

Ekonomia February 12, 2018 - 10:43

Në një raport të brendshëm mbi ndërmarrjet publike Qeveria e Kosovës ka alarmuar për gjendje të rëndë financiare në Telekomin e Kosovës.

Ndërmarrja e mbylli vitin 2016 me 31 milionë euro humbje dhe pati rënie të madhe të konsumatorëve.

Ekspertët thonë se nëse nuk merren masa urgjente Telekomin e pret falimentimi, shkruan “Zëri”.

Njohësit e ekonomisë thonë se nëse nuk merren masa urgjente nga aksionari, në këtë rast Qeveria e Kosovës, Telekomin e Kosovës (PTK) me ketë trend të përformancës e pret falimentimi.

Sipas Berat Rukiqit, ky rezultat në Telekom është pasojë e shumë viteve të menaxhimit jo të mirë e që në vitin e fundit ka ndikuar me humbjen neto që është paraqitur në pasqyrat e audituara. Për ketë gjendje të ndërmarrjes Rukiqi ka përmendur katër arsye kryesore.

LEXO EDHE: Telekomi drejt humnerës, 31 milionë euro humbje

“Mbipunësimi dhe rritja e shpenzimeve operative për një dekadë të tërë; duke qenë kompani publike nuk e ka pasur fleksibilitetin t’i përshtatet trendit global të zhvillimeve në sektorin e telekomit; mungesa e investimeve të duhura për vite të tëra; mungesa e kapitalit të freskët nga investimet private”, ka thënë Rukiqi për "Zërin".

Ai thotë se kjo ka ndikuar në humbjen e tregut, vonesë në ndryshime teknologjike, zvogëlim të vlerës së kapitalit dhe në humbje në një vlerë mjaft shqetësuese.

“Çka duhet të bëhet: zvogëlim i shpenzimeve operative, ulje të pagave, rritje e produktivitetit, lejim i hyrjes së kapitalit privat dhe krijim të kushteve për huamarrje për projekte inovative”, thotë Rukiqi, ndërsa ka shtuar se nëse nuk veprohet shpejt ndërmarrja do të ketë probleme me “cash-flow” dhe likuiditet, gjë që shumë lehtë mund të falimentojë.

Ndërsa Florin Aliu thotë se është e çuditshme kjo rënie e Telekomit, kur dihet pozita strategjike e saj në treg.

Për më tepër, nëse ndërmarrja vazhdon me ketë trend, sipas Aliut atëherë duhet të shkojë drejt likuidimit. Por edhe në këtë variant ekziston një rrezik.

“Ekziston një rrezik që të bjerë vlera e kompanisë, sepse nëse kompania vazhdon me ketë humbje, atëherë kjo humbje e shkrin kapitalin e kompanisë. Atëherë është rreziku që kompania të shitet nën vlerën e brendshme të saj”, vlerëson Aliu. /ZËRI/