Taksë ekologjike edhe për veturat hibride

Ekonomia February 10, 2018 - 08:16

Pagesën e taksës ekologjike prej 10 eurosh në momentin e regjistrimit të automjetit po obligohen ta paguajnë edhe pronarët e veturave hibride, derisa ato funksionojnë me energji elektrike dhe nuk i shkaktojnë asnjë ndotje ambientit ku ato qarkullojnë. Në bazë të ligjit, mjetet që paguhen në emër të taksës ekologjike do të duhej të shpenzohen për përmirësim të ambientit. Që prej fillimit të aplikimit, por edhe sot e kësaj dite, këto taksa vazhdojnë të derdhen në buxhetin e shtetit, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MBP) kanë treguar për gazetën “Zëri” se vetëm gjatë vitit 2017 nga këto taksa janë mbledhur rreth 4 milionë euro. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, vetëm gjatë vitit 2017 janë regjistruar gjithsej 346.092 automjete, ndërsa shuma totale e të hyrave nga taksat ekologjike për vitin 2017 është 3 milionë e 850 mijë euro. “Në vitin 2017 në Kosovë janë regjistruar 46.192 automjete për herë të parë. 

Ndërsa numri i të gjitha automjeteve të regjistruara gjatë vitit 2017 është 346.092 automjete. Paratë shkojnë në buxhetin e Kosovës. Shuma totale e të hyrave nga taksa ekologjike në vitin 2017 është 3.850.150.00 euro”, thuhet në përgjigjen dërguar nga Zyra e Komunikimit të MPB-së.

Ky ligj ka hyrë në fuqi në vitin 2012, pra para 6 vjetëve. Nëse e llogaritim përafërsisht këtë shumë, atëherë mbi 20 milionë euro kanë hyrë deri tani në buxhetin e shtetit si pasojë e pagimit të kësaj takse.

Në bazë të ligjit që është duke u aplikuar aktualisht, pronarët e automjeteve nën 3.5 tonë duhet t’i paguajnë 10 euro në emër të taksës ekologjike, derisa për veturat mbi 3.5 tonë duhet t’i paguajnë 30 euro.

Zyrtarë për informim në Qeveri bëjnë të ditur se të gjitha të hyrat në buxhetin e shtetit grumbullohen në një konto të veçantë e që pastaj shpërndahen sipas prioriteteve të Qeverisë. “Të gjitha të hyrat grumbullohen në një konto në buxhetin e Kosovës, pastaj ato shpërndahen sipas prioriteteve të Qeverisë, si dhe projekteve të cilat vijnë nga agjencitë buxhetore gjatë dëgjimeve buxhetore, të cilat zhvillohen në Ministrinë e Financave”, ka thënë Donjeta Gashi, zyrtare për informim në Qeverinë e Kosovës.

E në anën tjetër Leutrim Sahiti, këshilltar politik në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka thënë për gazetën “Zëri” se sikur këto mjete të ishin mbledhur në një fond të veçantë në kuadër të MMPH-së do të dihej saktë qëllimi i shpenzimit të tyre, por të gjitha këto mjete pavarësisht se ku paguhen derdhen në llogari të buxhetit të shtetit. “Qytetarët e Kosovës gjatë proceduarve të regjistrimit të veturave të tyre obligohen që të paguajnë edhe taksën ekologjike, ku këto mjetet derdhen në buxhetin e shtetit. Problemi qëndron që ne kur kemi ardhur në këtë Ministri kemi menduar që buxheti, i cili grumbullohet nga kjo taksë ekologjike, do të shpenzohet për projekte mjedisore dhe kemi kërkuar që kjo taksë të përfundojë në fondin e mbrojtjes së mjedisit”, ka thënë Sahiti.

Si problem tjetër këshilltari i MMPH-së e sheh edhe sistematizimin e pagesës, pasi që e konsideron të padrejtë faktin që taksat të paguhen në bazë të peshës së një automjeti, sipas tij është dashur të jenë kritere të tjera. “Ne kemi kërkuar që kjo taksë të sistematizohet, këto praktika të cilat ne i shohim janë të panevojshme, sepse veturat hibride nuk duhet të paguajnë apo duhet të ketë zbritje faktikisht në aspektin e taksës ekologjike. Pra, duhet të ketë kategorizim të pagesave sa i përket vjetërsisë së veturave dhe llojeve të veturave, por nuk mund të paguajnë taksë ekologjike njëjtë veturat hibride me veturat e tjera apo veturat e vjetra me veturat e reja. Ne tani kemi një kategorizim vetëm sa i përket peshës së veturave”, ka thënë ai. 

Image