Raporti i ekspertëve për projektin slloven të 'Kullave të Jasharajve', lë hapësirë për ndryshim

Ekonomia February 09, 2018 - 19:52

Pas pranimit të projektit nga kompania sllovene “AG-Inziniring” për restaurim dhe konservim të Kompleksit Memorialit “Adem Jashari”,  Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve dhe Memorialeve ka kontaktuar dy arkitektë dhe një konstruktor nga Shqipëria, të cilët kanë realizuar një raport vlerësimi. Në këtë raport ata lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të mbulojës pas një kohe, nëse ka nevojë ose avancon teknologjia. Padyshim paralajmërohen edhe rreziqe, sikur është shpuarja e 70 bazave që duhen mbushur me beton për të mbajtur strukturën, e që ato do të bëhen brenda perimetrit të shtëpive.

Anëtarët e këtij komisioni kanë qenë arkitekti Piro Stefa, arkitekti Reshat Gega si dhe konstruktori Dhimitër Stefa, raporton Ndërtimi.info. Mirëpo në fund të raportit del edhe një nënshkrim, ai i Andrian Varo-s, që s’është përmenduar asnjëherë deri më sot.

Këta ekspertë thonë se ky projekt realizon më mirë neutralitetin vizual të një strukture modern, “në kundërshtime me variantet e tjera të propozuara më parë nga ana e projektuesve gjatë procesit të projektimit”. E mbulesën mbi shtëpitë/kullat që është me xham mbi strukturën e hekurtë, e konsiderojnë si shumë të sigurtë për mbrotjen nga agjetët atmosferikë për strukturat e objekteve.

Mirëpo, ata shihet se nuk kanë marrë për bazë fare se agjentët atmosferikë nuk kanë gjithmonë drejtim pingul nga qielli, sikur shiu, bora, breshëri, por erërat mund t’i shtyjnë që horizontalisht të dëmtojnë objektet. Këtu futet edhe era e cila rrezikon pjesët brenda shtëpisë.

Në këtë raportin e siguruar nga Ndërtimi.info konkludohet se mbulesa përmbi është një nga pjesët më të vështira profesionalisht.

Por, kjo mbulesë nga ekspertët vlerësohet e mirë ngaqë, sipas raportit: “Sikurse ka ndodhur shpesh, në të ardhmen qoftë për arsye objektive, qoftë edhe për arsye të lidhur me ndryshimet në koncepte apo dhe teknologjinë e trajtimit të monumenteve, mund të vendoset largimi i elemeteve apo strukturave mbrojtëse të realizuara dhe të pranohet aplikimi i një zgjidhje apo teknologjie më të avancuar”.

Trajtimi i gropave të shkaktuara nga granatat

Anëtarët e komisionit kanë vlerësuar atë se çfarë përfshinë projektin për trajtimin e gropave, që i referohen si zgavra apo çarjeve të madhësive të ndryshmem, si rezultat i bombardimit.

Në raport thuhet se asnjë nga çarjet nuk duhet mbyllur apo asgjësohen, por vetëm duhet trajtuar me mikropilota inoksi apo karboni rreth gropës që mos të shkapërderdhet. Mirëpo, ata mendojnë që më së miri është që ato të mbyllen me xham të trashë.

“Duhet të gjendet mënyra që të aplikohet me kujdes vendosja e xhamit duke i bërë prerje sipas konfigurimit që ka zgavra e murit”, thuhet në raport.

Oborri do kujdes të veçantë

Ekspertët kanë vlerësuar se duhen të gjenden pllaka sa më autentike dhe mos të ketë elemente modern, pasi do të çonin në tjetërsim. Më pas ata mendojnë se duhet që trarët dhe elementet tjera të drurit të trajtohen me “petrifikues e konservues”.

Mirëpo, aty ku vëjnë theks ekspertët është gërmimi që do të bëhet për vendosjen e shtyllave të konstruksionit kryesor mbi objekte dhe ato shpuarje do të jenë bukur të mëdha.

“Me sa shohim gërmimi i tyre zë një volum të konsiderueshëm. Janë rreth 70 gropa me dimensione 2X2m e thellësi gati 2 metra. Pothuajse i gjithë territori i kompleksit do të përfshihet nga gërmimi”, thuhet më tej nga komisioni, që kërkon vëzhgim arkeologjik.

Vlerësim/analiza për projektin konstruktiv

Sistemi konstruktiv i projektuar është me baza të betonuara (betonarme), shtylla ose kollona metalike, shkallët metalike për lëvizje rreth objektit dhe strukturë metalike mbajtëse të mbulesës së xhamit rreth objekteve.

Ujërat janë vlerësuar se do të largohen nga mbulesa e xhamit nëpëmjet tubave që janë të futur në shtyllat metalike dhe kanë rrjet kanalizimi deri në fund të shtyllës tek baza. Njëjtë do të shtrihet edhe rrjeti elektrik.

Për analizën e strukturës ata sugjerojnë që të ketë një raport gjeologo-inxhinerik nga gjeologët e licencuar, që do të vjen pas studimeve me shpime dhe gërmime , duke caktuar shtresat e tokës, dhe si të ndërtohet në to. Gjithashtu duhet të ketë edhe studim inxhinjero-sizmik të zonës.

Edhe pse diku thuhet se baza betonarme do të jetë 2x2m me thellësi gati 2metra, del se ato do të jenë 160x160x105 cm dhe në formë gote. Ata e mendojnë se më mirë është sikur të jenë të parafabrikuara dhe se ai do të ketë 1.37 metër/kub beton (pesha 3425kg) dhe hekur brenda prej 235kg.

Si përfundim ky komision ka menduar “se projekti i hartuar është në përputhje dhe plotëson kërkesat e detyrës së porjektimit si dhe kushtet e standardet teknike të projektimit për këto lloj objektesh”.

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image