“Petrol-Koks”-i, rruga e naftës kancerogjene drejt Kosovës

Ekonomia February 07, 2018 - 08:05

“Petrol-Koks”, lloji më i rrezikshëm i naftës i njohur për përmbajtje shumë të lartë të sulfurit, është duke hyrë në Kosovë pa u kontrolluar nga askush, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ky derivat i naftës, i cili është në gjendje të ngurtë, përdoret për industri, por shquhet për vlera shumë të larta të elementeve kancerogjene.

LEXO EDHE: Borxhi publik arrin në 1 miliard euro

Nga sasia e të gjitha produkteve të naftës të importuara në Kosovë, “Petrol-Koks” merr pjesë me 14 për qind të sasisë së përgjithshme.

Gazeta “Zëri” përmes një hulumtimi njëmujor ka zbuluar se ky derivat i naftës po importohet në Kosovë pa iu bërë fare analiza nga institucionet kosovare, as nga Dogana e Kosovës e as nga dy ministritë përgjegjëse, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

Këto institucione ia kanë hedhur fajin njëra-tjetrës rreth mungesës së analizave për këtë produkt, i cili sipas njohësve të ambientit dhe kimistëve kur digjet liron sasi të sulfurit jashtë standardeve të lejuara.

Për më tepër, nga Dogana e Kosovës kanë ngritur edhe dyshime për mungesën e bazës ligjore mbi importin e këtij produkti, emri i të cilit nuk figuron fare në Udhëzimin e fundit të MTI-së mbi cilësinë e naftës.

Nga ana tjetër, pavarësisht mungesës së kontrollit dhe me gjithë rrezikshmërinë e lartë për shëndetin, ky produkt është duke u importuar me të madhe në Kosovë.

Sipas Doganave të Kosovës, brenda një viti në Kosovë futen mesatarisht mbi 100 mijë tonë të këtij lloji të naftës.

Në bazë të hulumtimit, gazeta “Zëri” ka gjetur se në Kosovë “Petrol-Koks”-in kryesisht e përdorin fabrikat e blloqeve (tullave) për pjekje, fabrikat e çimentos dhe furrnaltat për shkrirjen e metaleve.

Dallimi me naftën e rregullt është se “Petrol-Koks” është në gjendje të ngurtë dhe njihet si mbetje nga nafta. “Petrol-Koks” përdoret në industri, ndërsa një dallim tjetër është çmimi shumë i lirë i tij.

Sipas zëdhënësit të Doganave të Kosovës Adriatik Stavilecit, përdoruesit më të mëdhenj për Kosovë janë “Sharrcem” dhe “Ferronikel”, ndërsa çmimi i këtij produkti që importohet është varësisht nga cilësia e tij dhe varion prej 70 deri në 150 euro për ton.

332 milionë kilogramë janë importuar për tre vjet

Në tre vjetët e fundit, sipas Doganave të Kosovës, ky lloj nafte është importuar në një sasi prej 332 milionë kilogramësh. Në vitin 2015 janë importuar 126.3 milionë kilogramë, në vitin 2016 80.8 milionë kilogramë, si dhe 125.5 milionë kilogramë për vitin 2017.

Dogana e Kosovës në përgjigjet për gazetën “Zëri” këtë produkt e ka cilësuar si mbetje të naftës.

“Koks nafte, bitum nafte dhe mbetje të tjera të vajrave të naftës apo të vajrave të fituar prej mineraleve bituminoze”, thuhet në tabelën e përgatitur nga Dogana lidhur me importin e këtij produkti.

Vendet prej nga importohet “Petrol-Koks” janë që nga Amerika e largët, disa shtete të Evropës e deri tek vendet e rajonit.

Sipas Doganës, vendi prej nga Kosova e importon më së shumti këtë derivat është Greqia.

Prej këtij vendi vetëm brenda një viti importohen rreth 40 milionë kilogramë “Petrol-Koks”.

Po ashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijnë në vend të dytë me një mesatare prej 30 milionë kilogramësh në vit. Import të “Petrol-Koks”-it ka edhe prej Turqisë, Gjeorgjisë, Rumanisë, Egjiptit, Spanjës e deri të vendet e rajonit si Maqedonia e Shqipëria.

Sipas njohësve të ambientit, është praktikë e shteteve të zhvilluara që këtë lloj të naftës ta largojnë nga shtetet e tyre meqë është tepër i dëmshëm për ambientin dhe për shëndetin e njeriut.

Në anën tjetër, përveç fabrikave në Kosovë që përfitojnë më së shumti nga ky produkt për shkak se e shmangin energjinë elektrike për nxehjen e furrave, përfituesit me të mëdhenj janë importuesit e “Petrol-Koks”-it.

Për tre vjetët e fundit nga importi i 332.5 milionë kilogramëve nga ky produkt vlera monetare ka qenë 37.8 milionë euro. Kjo është vetëm vlera e importit, meqenëse në Kosovë “Petrol-Koks” shitet më shtrenjtë se çmimi i importit.

Sipas një studimi të mëhershëm të institutit “Gap”, në Kosovë një kilogram “Petrol-koks” shitet rreth 13 centë për kilogram.

Importuesi më i madh për Kosovë është “Lab-Oil”, kompani për shitjen e produkteve hidrokarbure, ku hyjnë nafta, benzina, bitumi, mazuti dhe “Petrol-Koks”-i.

Ndërkaq shpenzuesit me të mëdhenj të kësaj nafte janë fabrikat “SarrCem” dhe “Ferronikeli”.

Drejtori menaxhues i “Lab-Oil”-it, Bislim Muça, ka sqaruar për gazetën se dallimi në çmim me naftën e rregullt është i konsiderueshëm meqenëse “Petrol-Koks” është mbetje e ngurtë e naftës.

“‘Petrol-koks’-i është produkt apo derivat i naftës, pra hyn në grupin e hidrokarbureve, është qymyr nafte dhe përdoret si lëndë djegëse në industri. E përdorin fabrikat e blloqeve (tullave) për pjekjen e tyre, fabrikat e çimentos, furrnaltat për shkrirjen e metaleve, etj. Dallimi mes ‘Petrol-koks’-it dhe naftës qëndron në vetitë fizike të tij, nafta është në gjendje të lëngët, ndërkaq ‘Petrol-koks’-i është në gjendje të ngurtë dhe nuk mund të përdoret për vetura”, ka thënë Bislimi.

Ai ka pranuar se “Lab-Oil” është njëri nga importuesit me të mëdhenj për Kosovë, por nuk është lëshuar në detaje.

Ndërkaq, nga “SharrCem” dhe “Ferronikeli” nuk janë përgjigjur për gazetën rreth asaj nëse kanë marrë masat adekuate për ta reduktuar ndotjen nga gazrat që liron “Petrol-Koks”.

“Petrol-Koks”-i, naftë kancerogjene

Sipas kimistëve, “Petrol-Koks”-i hyn në mesin e derivateve me të rrezikshme të naftës, sidomos kur nuk kontrollohet, siç është rasti me Kosovën.

Lirimi në sasi të mëdha i sulfurit mund të degjenerojë deri edhe të shfaqja e kancerit tek njerëzit.

Ata thonë se përveç analizave, do të duhej që fabrikat që e përdorin të marrin masa për vendosjen e filtrave.

Kjo për shkak se kur “Petrol-Koks” digjet dhe vihet në bashkëveprim me oksigjenin, e liron atë që njihet si dyoksid i sulfurit, si dhe metale të renda, siç është rasti me Vandiumin.

Të gjitha këto elemente sipas kimistit Astrit Mehmetaj janë toksina që mund të degjenerojnë deri edhe në shfaqjen e kancerit tek njeriu.

“Koksi i naftës ka ndikim të madh mjedisor, që shkaktohet nga emetimi i dyoksidit të sulfurit (SO2) dhe dyoksidi i karbonit (CO2)”, ka thënë Mehmetaj. Ai ka thënë se zakonisht ky produkt përdoret si burim energjie dhe shquhet për vlera shumë të larta të sulfurit dhe dyoksidit të karbonit.

Sipas Mehmetajt, në situatën aktuale, meqë në Kosovë nuk kontrollohet, zgjidhja më e mirë do të ishte marrja e masave ndaj fabrikave që e përdorin për ta shmangur ndotjen e madhe.

Edhe Luan Shllaku, njohës i ambientit, thotë se në aspektin mjedisor çdo djegie e karburanteve fosile është me ndikim negativ e në këtë rast edhe ajo e “Petrol-Koks”-it.

“E tash varet se si përdoret, cila është përmbajtja e sulfurit në të dhe a aplikohen masa mbrojtëse”, thotë Shllaku.

Sipas tij, niveli i sulfurit të “Petrol-Koks”-it mund të jetë i ndryshëm, por gjithsesi thotë se është shumë më i lartë se i linjitit që përdoret në Kosovë.

Edhe Shllaku thotë se lirimi në sasi të mëdha i dyoksidit të sulfurit mund të degjenerojë edhe deri të shfaqja e kancerëve.

“Varësisht se nga cili vend importohet, mund të këtë edhe deri në 7-8 për qind sulfur, por zakonisht ka më pak 3-5 për qind. Roli negativ i dyoksidit të sulfurit, që emitohet pas djegies së karburanteve me origjinë fosile, tashmë është i njohur. Shkon edhe deri te paraqitja e kancereve”, ka thënë Shllaku.

Ndërkaq kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka shkuar edhe më tej duke e quajtur tejet të rrezikshëm për shëndetin e njeriut këtë lloj produkti.

“‘Petrol-Koks’-i është mbeturina e naftës, pra ajo çka mbetet nga rafinerimi i produkteve të naftës”, ka thënë Berjani.

Sipas tij, importi kaq i lartë në Kosovë do të ishte në rregull nëse ky produkt do të ishte brenda parametrave të lejuar siç është në Bashkimin Evropian.

“‘Petrol-Koks’-i është shumë i dëmshëm pasi që edhe përqindja e sulfurit është më e lartë sesa e ajo e qymyrit të Obiliqit”, thotë Berjani.

Mungesa e bazës ligjore për “Petrol-Koks”-in

Sa i përket matjes së sulfurit Dogana e Kosovës është e vetmja që e ka laboratorin, i cili është i pajisur me dy instrumente për matje të sulfurit.

Këta dy laboratorë, sipas zëdhënësit të Doganave të Kosovës Adriatik Stavilecit, punojnë me metodat dhe me standardet më të fundit ndërkombëtare për matje të sulfurit. Megjithatë, kjo analizë nuk i bëhet edhe “Petrol-Koks”-it.

Zëdhënësi i Doganave si arsye ka dhënë faktin se ky lloj produkti mungon në Udhëzimin e MTI-së për kontroll të naftës, duke ngritur dyshimet kështu mbi mungesën e bazës ligjore për importin e “Petrol-Koks”-it për Kosovë.

“Duhet të sqaroj se kjo lëndë djegëse nuk është e përfshirë në Udhëzimin e MTI-së mbi kontrollin e cilësisë së naftës”, ka thënë Stavileci, duke shtuar se pavarësisht faktit se mungojnë analizat, ajo që dihet është se përmbajtja e sulfurit tek kjo lëndë djegëse është më e madhe se nafta (dizeli).

Gazeta “Zëri” ka analizuar dy udhëzimet administrative që janë në fuqi për cilësinë e naftës; Udhëzimin administrativ 07/2010 dhe Udhëzimin e fundit 01/2017.

Në udhëzimin e parë “Petrol-Koks”-i përmendet vetëm në mesin e llojeve të derivateve të naftës të cilat i nënshtrohen licencimit në Kosovë.

Por, në këtë udhëzim mungojnë standardet (sulfuri) e përcaktuara për importin e këtyre produkteve.

Për këtë arsye në vitin 2017 ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami e shtyu përpara nxjerrjen e një udhëzimi të ri, i cili do të ishte shumë më i plotë. Bëhet fjalë për Udhëzimin administrativ 1/2017 mbi cilësinë e naftës.

Mirëpo, në këtë udhëzim mungon krejtësisht “Petrol-Koks”-i.

Ish-ministrja Bajrami ka sqaruar për gazetën se në kohën sa ishte në ministri grupi punues për këtë udhëzim administrativ ka ardhur në përfundim se të gjitha ato lloje të derivateve që nuk janë të përfshira në këtë udhëzim do të përfshiheshin me një udhëzim të ri.

“Për shkak se duhet të analizoheshin të gjithë parametrat për secilin produkt, në fund kemi ardhur në këtë përfundim që për ato produkte që nuk janë të përfshira kjo të bëhet me një udhëzim të ri për më vonë”, ka thënë Bajrami.

Edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, thotë se importit të këtij produkti për Kosovë i mungon baza ligjore.

Ministritë e hedhin fajin te njëra-tjetra

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, për shkak të këtyre paqartësive ligjore ka thënë për gazetën se kontrolli i “Petrol-Koks”-it është përcaktuar që të bëhet nga niveli i emetimeve të fabrikave, prandaj është në kompetencë të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

Por zyrtari për informim në MMPH, Bajram Kadriu, ka thënë se për importin e “Petrol-Koks”-it kompetente është Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI). “Për importin e ‘Petrol-Koks’-it është kompetente MTI-ja, e cila lëshon licencë për import”, ka thënë ai.

Gazeta i është drejtuar me pyetje edhe kësaj ministrie.

Sherif Sherifi, drejtor i Departamentit për Rregullimin e Tregut të Naftës në MTI, ndryshe nga Dogana e Kosovës, ka thënë se gjithçka është në rregull me bazën ligjore për importin e këtij produkti.

“‘Petrol-Koks’-i, kjo lëndë përdoret për ngrohjen e furrave për pjekjen e bllokut dhe materialeve të tjera të prodhuara nga argjila, i cili produkt importohet në gjendje të ngurtë, pikërisht për këtë fakt ekspertët nuk e kanë paraparë në U.A. 07/2017. Për shkak se U.A. 07/2017 parasheh vetëm cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës”, ka thënë Sherifi.

Sipas tij, ketë e rregullon Udhëzimi administrativ 07/2010.

“Duke u bazuar në dispozitat e Nenit 5, paragrafi 1.12 i Udhëzimit Administrativ 07/2010 shprehimisht përcakton se në llojet e derivateve të naftës për tregtim, të cilat u nënshtrohen licencimit, është edhe ‘Petrol koksi’”, ka shtuar ai.