Borxhi publik arrin në 1 miliard euro

Ekonomia February 06, 2018 - 08:47

Sipas raportit të fundit të Ministrisë së Financave për katër vjet, në mes periudhës 2013-2017, borxhi publik në vend është dyfishuar. Kështu përderisa në vitin 2013 borxhi publik ishte 476.2 milionë euro, në fund të vitit 2017 ka arritur afër 1 miliard euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndërtimi i dy autostradave dhe nënshkrimi i kontratës për termocentralin “Kosova e Re” rrezikon ta çojë nivelin e borxhit publik në Kosovë deri në limitet e përcaktuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Së paku kjo pritet të ndodhë nëse shikohet trendi i shpejtë i rritjes së borxhit publik në vend. Sipas raportit të fundit të Ministrisë së Financave, për katër vjet, në mes periudhës 2013-2017, borxhi publik është dyfishuar.

Kështu përderisa në vitin 2013 borxhi publik ishte 476.2 milionë euro, në fund të vitit 2017 ka arritur afër 1 miliard euro, shkruan tutje "Zëri".

Kjo bëri që pjesëmarrja e totalit të borxhit në Bruto Produktin Vendor (BPV) në fund të vitit 2017 të jetë 16,63 për qind prej 8,94 për qind sa ka qenë para katër vjetësh.

LEXO EDHE: Pezullohet greva e kirurgëve

Për njohësin e ekonomisë, Berat Rukiqi, borxhi publik përderisa është brenda limiteve ligjore është i përballueshëm, mirëpo ajo që duhet të analizohet është se ku po shkojnë mjetet e borxhit publik.

“Pra duhet të ketë një transparencë më të madhe mbi efikasitetin e mjeteve që përdoren nga borxhi publik”, ka thënë Rukiqi, derisa ka shtuar se publiku duhet të njoftohet se ku po investohen këto mjete, si planifikohet kthimi i tyre dhe a po gjenerohet vlerë e shtuar në ekonomi.

“Çdo përdorim i borxhit publik në çfarëdo projekti që nuk gjeneron vlerë të shtuar në ekonomi është më shumë i dëmshëm”, ka thënë ai.

Sipas raportit të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës, përkatësisht dikasteret e nivelit qendror, mbajnë peshën kryesore për këtë nivel të borxhit publik, edhe sa i përket borxhit ndërkombëtar, por edhe atij të brendshëm.

“Borxhi ndërkombëtar deri në fund të vitit 2017 arriti në 422.1 milionë euro. Niveli qendror merr pjesë këtu me 365.1 milionë euro, si dhe 56.9 milionë euro nga kategoria e nënhuazimeve”, thuhet në raportin e Ministrisë së Financave.

Qeveria e Kosovës është borxhliu kryesor edhe sa i përket borxhit të brendshëm. Prej 574.2 milionë eurove sa ishte borxhi i brendshëm deri në fund të vitit 2017, të gjitha u morën borxh nga niveli qendror. Ndërsa pjesëmarrja e komunave në borxhin publik është zero.

Prej organizatave ndërkombëtare financiare, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) është kreditori më i madh për Kosovën. Borxhi i shtetit ndaj këtij institucioni është 160.7 milionë euro dhe merr pjesë me 38 për qind në totalin e borxhit ndaj organizatave të huaja, që është 422.1 milionë euro.

Pas FMN-së, shteti i Kosovës ka marrë kredi edhe në pesë institucione tjera financiare ndërkombëtare. Në Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BNRZH) shteti ka marrë 158.3 milionë euro, në Agjencinë Gjermane për Rindërtim (KfW) 54.8 milionë euro, në Agjencinë Ndërkombëtare për Zhvillim (ANZH) 41.1 milionë euro dhe 7 milionë euro në “UniCredit”.

Ndërkaq, sa i përket borxhit të brendshëm bankat dominojnë me 42 për qind, të pasuar nga Fondet Pensionale me 35 për qind, institucionet publike me 18 për qind dhe kompanitë e sigurimeve me një pjesëmarrje prej 4 për qind në totalin e borxhit.