PTK-ja dënohet me 25 mijë euro, shefit të prokurimit i revokohet licenca

Ekonomia February 05, 2018 - 08:30

Pas shkeljeve të evidentuara në tenderin “Shërbime të shpedicionit për PTK-në” Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka dënuar ketë ndërmarrje me 25 mijë euro, ndërsa shefin e prokurimit Fatmir Gjonbalajn me revokim të licencës. Gjykata e tenderëve gjeti se PTK-ja e shpërbleu me kontratë kompaninë që prezantoi certifikatë të UNMIK-ut, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Në tenderin për shërbime të shpedicionit Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) e ka shpërblyer me kontratë kompaninë “Arena”, ani pse e njëjta nuk kishte arritur të ofrojë dëshmi se është e certifikuar për këtë lloj shërbimi nga Dogana e Kosovës.

Ndërkohë kjo dëshmi, sipas specifikave të tenderit, ishte e domosdoshme për shpalljen e fituesit.

Edhe pse kishte një vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) që ky tender të kthehet në rivlerësim për shkak të shkeljeve, kjo gjë nuk ndodhi nga kjo ndërmarrje.

LEXO EDHE: PDK-ja shpëton Istogun nga rivotimi, shpërblehet me tri drejtori

Tenderi “Shërbime të shpedicionit për nevoja të Telekomit të Kosovës” kësaj kompanie iu dha më 25 maj 2017. Prej atëherë PTK-ja refuzoi disa kërkesa të Gjykatës së tenderëve (OSHP-së) që ta kthejë atë në rivlerësim.

Gazeta Zëri” ka siguruar vendimin e fundit të OSHP-së, të datës 29 dhjetor 2017, me të cilin përveçse i ka shqiptuar gjobë kësaj ndërmarrjeje, ka kërkuar edhe marrjen e masave ndaj menaxherit të prokurimit, Fatmir Gjonbalaj.

“I shqiptohet gjobë autoritetit kontraktues, Telekomit të Kosovës, në shumën prej 25 mijë eurosh për moszbatim të Urdhëresës të Panelit Shqyrtues dhe Vendimit me numër 175/17 të datës 05 korrik 2017. OSHP-ja do të kërkojë nga KRPP-ja që t’i revokohet licenca e prokurimit menaxherit të prokurimit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Ky vendim i OSHP-së erdhi pas ankesës së kompanisë TTC, e cila argumentoi se ishte shpërblyer me kontratë kompania që nuk e plotësonte kushtin kryesor për këtë tender. Gazeta ka provuar disa herë të vërë kontakt me Gjonbalajn për ta pyetur rreth këtij tenderi, por ka qenë i pamundur kontakti me të.

Fituesi i tenderit me certifikatë të UNMIK-ut

Sipas vendimit të OSHP-së, kompania “Arena”, e rekomanduar për kontratë, si dëshmi e kishte ofruar një certifikatë të UNMIK-ut, ndërsa sipas dosjes së tenderit kërkohej që kompania që i kryen këto shërbime duhet të jetë e certifikuar nga Dogana e Kosovës.

“Paneli shqyrtues më datën 05 korrik 2017, në vendimin PSH. Nr. 175/17, pas analizimit dhe vlerësimit të të gjitha provave dhe shkresave të lëndës ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues ka rekomanduar për kontratë operatorin ekonomik, i cili nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat e dosjes së tenderit dhe të njoftimit për kontratë, konkretisht kërkesën e parashikuar në Nenin 7.1 dhe 7.2 të dosjes së tenderit”, konstaton OSHP-ja.

Në këtë nen shkruan se operatori ekonomik duhet të jetë i certifikuar nga ana e Doganave të Kosovës për të ofruar shërbime të shpedicionit.

“Kurse operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë e ka të bashkangjitur në dosje certifikatën e lëshuar nga shërbimi doganor i UNMIK-ut e që faktikisht kjo certifikatë nuk është e vlefshme, pasi që pas shpalljes së pavarësisë se shtetit të Kosovës të gjitha dokumentet duhet të jenë të lëshuara nga shteti i Kosovës për të qenë valide dhe se këto certifikata është dashur të ndërrohen nga operatorët ekonomikë”, thuhet në vendim.

Për këtë çështje OSHP-ja kishte pyetur edhe në Doganë.

Ky institucion ka konfirmuar se certifikata e UNMIK-ut nuk është valide dhe se secila kompani duhet të aplikojë për ta ndërruar certifikatën, në mënyrë që të jetë me logo të shtetit të Kosovës.

PTK-ja rekomandoi “Arenën” pavarësisht vendimit të OSHP-së

Veç kësaj, ketë tender kësaj kompanie PTK-ja ia dha ndonëse kishte një vendim të OSHP-së që kjo të mos ndodhte. Në fakt, kompania ankuese TTC ishte ankuar në OSHP më datën 21 gusht 2017 me pretendimin se autoriteti kontraktues (PTK) gjatë rivlerësimit nuk ka respektuar vendimin e panelit shqyrtues të OSHP-së, duke rekomanduar për kontratë të njëjtin operator ekonomik.

“Paneli shqyrtues më datën 14 shtator 2017 ka nxjerrë Urdhëresën PSH. nr. 291/17, ku është urdhëruar AK Telekomi i Kosovës që ta respektojë vendimin e panelit PSH. 175.17. Paneli shqyrtues ka konstatuar se AK-ja ka rekomanduar për kontratë OE-në NSH “Arena”, i cili është shpallur i papërgjegjshëm sipas vendimit PSH. Nr. 175/17”, thuhet në këtë vendim.

Meqë këto urdhëresa nuk u respektuan nga Autoriteti Kontraktues (PTK) për një periudhë prej 7 muajsh, OSHP-ja vendosi që ta gjobisë këtë ndërmarrje me 25 mijë euro, që është edhe ndër dënimet më të rënda. Po ashtu i kërkoi Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) që t’ia revokojë licencën menaxherit të prokurimit në PTK. Gazeta ka tentuar ta marrë një prononcim nga zyrtari për informim në PTK lidhur me ketë vendim të OSHP-së, por telefoni i tij ka qenë i paqasshëm.

Gazeta “Zëri” pavarësisht përpjekjeve nuk ka arritur t’i kontaktojë edhe drejtuesit e kompanisë “Arena”, të cilët sipas OSHP-së kanë fituar tender nga PTK-ja, ndonëse kanë prezantuar certifikatë të UNMIK-ut.

Gjobalajt i revokohet për herë të dytë licenca

Sa i përket shefit të prokurimit në PTK, Fatmir Gjonbalajt, kjo nuk është hera e parë që Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP) ia revokon licencën.

Edhe në prill të vitit 2015 OSHP-ja ia anuloi atij licencën e prokurimit në një tender tjetër, përderisa PTK-në e gjobiti me 30 mijë euro.

Në arsyetimin e vendimit të OSHP-së më 2015-ën thuhej se menaxheri i prokurimit në PTK me rastin e zhvillimit të procedurës së prokurimit “Furnizim me shtylla BTS” ka bërë shkelje të rëndë të dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), konkretisht Neni 131 i këtij ligji, pasi që nuk ka respektuar vendimin e OSHP-së numër 58/15, të datës 03.03.2015, për pezullimin automatik të këtij aktiviteti, pas parashtrimit të ankesës së operatorit ekonomik “Astra Plan”.

“Menaxheri i Prokurimit edhe pavarësisht këtij fakti, i cili e ka obliguar Autoritetin Kontraktues dhe zyrtarin e prokurimit që menjëherë ta bëjë pezullimin e këtij aktiviteti, i njëjti nuk e ka zbatuar as vendimin tjetër të kryetarit të OSHP-së për refuzimin e kërkesës për heqje të pezullimit automatik për këtë aktivitet prokurimi, thuhet aty.