Tahiri gjen mjete për Zonën e Lirë Ekonomike

Ekonomia February 03, 2018 - 08:15

Vetëm pak pasi e ka bërë publike idenë e tij për ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë kryetari i kësaj Komune, Xhafer Tahiri, ka thënë se për fillimin e realizimit të projektit të Zonës Ekonomike ka gjetur mjete financiare. I pari i Vushtrrisë ka takuar drejtues të Odës së Afarizmit të Kosovës dhe me ta ka biseduar për jetësimin e projektit të tij për Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh, por edhe për mbështetjen që Komuna mund t’ua ofrojë bizneseve. Ai ka takuar edhe disa prej bizneseve me të cilët kanë biseduar për problemet e tyre, si dhe kanë shqyrtuar mundësitë e përkrahjes së bizneseve për të siguruar zhvillimin ekonomik lokal të qëndrueshëm, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Kryetari Tahiri tha se Komuna është shumë e interesuar që të krijojë kushte të favorshme dhe mbështetje për zhvillimin e bizneseve në Vushtrri “sepse ato janë bartëse të punësimit dhe të zhvillimit ekonomik lokal dhe se Komuna do të bashkëpunojë me të gjitha organizatat që mbështesin fuqizimin e bizneseve. Kemi tanimë projektin për Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh, një hapësirë shumë e përshtatshme për veprimtari të ndryshme ekonomike, ndërsa sa për të filluar me projektin kemi gjetur edhe mbështetje financiare. Kemi iniciativa dhe mbështetje edhe nga organizata, edhe donatorë për përkrahjen e projekteve për bizneset, duke përfshirë edhe bizneset e bujqësisë”, tha Tahiri, duke folur për zhvillimet e deritashme për ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh. 

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Odës së Afarizmit të Kosovës, Ismet Mulaj, tha se OAK-u si institucion i Kosovës ka për objektiv ofrimin e shërbimeve për bizneset në Kosovë,  ndërsa për komunën dhe për bizneset vushtrriase Mulaj tha se janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje për Zonën e Lirë Ekonomike, pastaj të ndihmojnë në trajtimin e problemeve dhe qasjes në energji elektrike, si dhe të ndihmojnë në ofrimin e kushteve të favorshme për bizneset.

Mbështetje kryetarit Tahiri për Parkun Teknologjik, përveç Odës së Afaristëve të Kosovës i kanë ofruar edhe kompanitë më të mëdha vushtrriase: kompania “Pestova”, “Binni”, “Albed”, “Ecotech”, “Gorenje” e disa kompani të tjera.  

I pari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka adresuar edhe kërkesa të tjera te Qeveria e Kosovës, të cilat ai i ka cilësuar parësore gjatë mandatit të tij qeverisës me Komunën e Vushtrrisë. “Ne jemi të interesuar dhe të vendosur që të fillojmë me ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë, pasi ajo pjesë është ideale për veprimtari të subjekteve të ndryshme ekonomike. Hapësira gjendet pranë rrugës rajonale dhe shtrihet në disa hektarë, si dhe ka pozitë ideale. Me ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh krijohen kushte për të gjitha bizneset e interesuara dhe në këtë mënyrë do të krijohen shumë vende pune për të rinjtë e komunës së Vushtrrisë”, ka thënë Tahiri. Ai ka kërkuar gjithashtu që të themelohet Instituti i Teknologjisë Ushqimore në Vushtrri, si dhe një fond nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për t’i mbuluar shpenzimet e ujitjes për fermerët e Vushtrrisë. “Meqenëse Komuna e Vushtrrisë njihet si rajoni me bujqësi të zhvilluar dhe me prodhimin e disa kulturave bujqësore që kanë depërtuar edhe në tregun e jashtëm është e nevojshme që në Vushtrri të themelohet Instituti i Teknologjisë Ushqimore. Gjithashtu është tepër e nevojshme që Qeveria e Kosovës, përkatësisht MBPZHR-ja, të ndajë një fond të posaçëm për t’i mbuluar shpenzimet e ujitjes fermerëve të Vushtrrisë, në mënyrë që atyre t’u lehtësohet puna”, ka sqaruar ai.   

Ndryshe, Zona e Lirë Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë nëse jetësohet do të jetë zona e tretë pas asaj në Mitrovicë dhe në Gjakovë, ndërkohë që edhe në Komunën e Skenderajt është duke u shikuar mundësia e krijimit të Zonës së Lirë Ekonomike në Marinë. Ideja e kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari, për Zonë të Lirë Ekonomike në Marinë nuk ka kaluar në mbledhjen e fundit të Kuvendit, për shkak se Kuvendi nuk e kishte kuorumin e nevojshëm për ta votuar propozim-vendimin e tij.