Nuk kalon propozim-vendimi i Bekim Jasharit për zonën ekonomike

Ekonomia February 01, 2018 - 08:24

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka kërkuar nga këshilltarët komunalë që të votojnë propozim-vendimin për shpalljen në interes të përgjithshëm të 36 hektarëve tokë në Marinë për zonë ekonomike, por këshilltarët komunalë nga LVV-ja, IQ “41000” dhe LDK-ja e më herët edhe ata të PDK-së lëshuan mbledhjen, kështu që ajo u ndërpre në mungesë të kuorumit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, më kot është përpjekur t’ua shpjegojë këshilltarëve të Skenderajt në mbledhjen e fundit se është në interes të qytetarëve dhe të Komunës që një hapësirë prej 36 hektarësh në Marinë, e cila aktualisht menaxhohet nga AKP-ja t’i kthehet Komunës dhe se për këtë i duhet një vendim i Kuvendit të Skenderajt për t’ia bashkangjitur kërkesës.

Ai ka sqaruar se ka bërë kërkesë në institucionet qendrore që ajo hapësirë, e cila ndodhet në Marinë pranë rrugës rajonale Skenderaj – Drenas, të shndërrohet në zonë ekonomike.

LEXO EDHE: Jepen propozime, nuk gjendet zgjidhje për ndotjen e ajrit

Në rendin e ditës së seancës së Kuvendit, e cila u mbajt të martën, potencohej se kryetari Jashari do t’i informojë asamblistët lidhur me Parkun e Biznesit në Marinë, por pas ndërhyrjeve të këshilltarëve komunalë se informata nuk votohet, por vetëm përkrahet, kryetari Jashari tha se e ndryshon atë, duke vendosur që në rend të ditës në vend të informatës të vendoset propozim-vendimi për shpallje në interes të përgjithshëm të hapësirës prej 332.919 metrash katrorë, e cila ndodhet në Marinë dhe e cila aktualisht menaxhohet nga AKP-ja.

Parcela, pronë shoqërore

Jashari ka sqaruar se ato parcela kanë qenë pronë e ndërmarrjes shoqërore bujqësore “Produkti”.

“Unë kam bërë kërkesë në institucionet në qendër që kjo hapësirë të jetë zonë ekonomike, për shkak se ka pozitë jashtëzakonisht të volitshme për zhvillimin e bizneseve. Por mua më kanë thënë se kërkesës duhet t’i bashkëngjitet edhe vendimi i Kuvendit Komunal, kështu që ne sot duhet ta votojmë”, tha Jashari, i cili konstatoi se vendosja e bizneseve në këtë zonë do të sillte vend pune dhe se do ta zhvillonte ekonominë.

Ai shpjegoi se Komuna e Skenderajt kishte vendosur për një park biznesi në Runik, në një sipërfaqe prej 6 hektarësh, sipas Strategjisë për Zhvillim Ekonomik të Komunës, për të cilën tha se është për të ardhur keq.

“Nuk po dua ta kritikojë askënd, por kjo hapësirë prej 6 hektarësh në Runik, me Strategjinë për Zhvillimin Ekonomik, është për të ardhur keq”, ka thënë kryetari Jashari, duke mos precizuar arsyen pse “është për të ardhur keq” pasi që Komuna e Skenderajt nuk ka pronë të veten për ta shndërruar në park industrial.   

Por menjëherë kanë ndërhyrë asamblistët nga lëvizja “Vetëvendosje” dhe nga IQ “41000”, të cilët propozuan që kjo pikë të shtyhet për mbledhjen e ardhshme ose që të thirret mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit, duke arsyetuar se informata që më pas u fut në rend të ditës si propozim-vendim nuk e ka materialin përcjellës.

“Nuk na keni dërguar materialin, nuk mjafton vetëm të shpjegohet me gojë. Duhet të paktën 7 ditë përpara t’u dërgohet materiali asamblistëve. Ne nuk dimë çka po votojmë, nuk po themi as po e as jo, por ta lëmë këtë punë për mbledhjen tjetër, ose ta mbajmë një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit dhe pastaj vendosim. Pa pasur material për t’i parë detajet nuk mund të marrim vendim”, ka thënë Malsor Bejta nga IQ “41000”, duke shtuar se nuk duhet ndjekur praktikën e përparshme kur vendimet janë marrë me nguti. Sikurse Bejta është shprehur edhe Hysni Mehani, nga lëvizja “Vetëvendosje”.

Ai sugjeroi që për këtë kërkesë (informatë) të kryetarit Jashari të diskutohet në mbledhjen e ardhshme.

Asamblistët lëshojnë sallën

Në anën tjetër këshilltarët nga radhët e PDK-së (grupi i të përjashtuarve nga PDK-ja), si dhe ata të AKR-së insistonin që Kuvendi ta miratojë propozim-vendimin e kryetarit Jashari.

Por në momentin që u desh të votohej dy këshilltarë nga LVV-ja, dy të IQ “41000” dhe Isa Fejzullahu i LDK-së lëshuan mbledhjen. Më herët mbledhjen e kishin lëshuar 11 asamblistë nga Grupi i Këshilltarëve të PDK-së (përkrahës të Sami Lushtakut), kështu që në mungesë të kuorumit mbledhja është ndërprerë.

Nga 31 asamblistë sa ka Kuvendi i Skenderajt, në sallë mbetën vetëm 15 të PDK-së (grupi kundër Sami Lushtakut), 3 të AKR-së, si dhe ai i “Fjalës”, këshilltari i Nismës Socialdemokrate dhe ai i AAK-së.

Ndryshe, mbledhje e Kuvendit të Skenderajt fillim e mbarim është karakterizuar me mospajtime në mes të grupeve të këshilltarëve, në veçanti kur diskutohej për formimin e komiteteve dhe të komisioneve të Kuvendit.

Kryesuesja e Kuvendit të Skenderajt, Fatbardha Haliti, e papërvojë në udhëheqjen e seancave të Kuvendit, në disa situata sillej krejtësisht e hutuar. Këshilltarët komunalë u detyruan disa herë t’ia tërheqin vërejtjen asaj “se nuk është kurrkah”, por vërejtjet e këshilltarëve nuk i bënin fare përshtypje.