Kosova aplikon taksën ekologjike edhe për veturat e reja elektrike

Ekonomia January 31, 2018 - 11:35

Përkundër faktit që veturat e reja aplikojnë standarde të ndryshme te emetimit të gazit, autoritetet kosovare aplikojnë taksa ekologjike për të gjitha llojet e veturave njësoj, pa asnjë dallim, madje edhe për veturat me standardin Euro 6, veturat hibride dhe ato elektrike të cilat nuk e ndotin ambientin.

Kjo masë ka shkaktuar reagim publik, sidomos kohëve të fundit, duke aluduar në rregullativat e gabueshme të zbatuara nga Qeveria e Kosovës dhe komunat përkatëse, të cilat e aplikojnë një taksë të tillë, pa ndonjë analizë të mirëfilltë, kur dihet se edhe qytetet e mëdha sikurse Parisi nxisin qytetarët që të kalojnë tek veturat e reja, pasiqë ato emetojnë shumë më pak dhe janë të krijuara të jenë në harmoni me natyrën dhe ambientin.

Madje, në një reagim të fundit thuhet se disa modele të reja të makinave që shiten edhe në tregun tonë, vetë-pastrojnë ajrin, prandaj taksa ekologjike prej 10 eurosh për veturë që aplikohet nga insititucionet tona është e padrejtë, sidomos pasiqë e njëjta i barazon veturat e vjetra me ato të reja, ndërsa ekonomitë evropiane e kanë tejkaluar këtë masë para shumë vitesh.

Por cilat janë standardet evropiane për emetime të veturave, dhe si mund ta kuptoni se sa është i pastër automjeti juaj?

Euro Standardet, nga Euro 1 deri në Euro 6

Standardi i parë evropian për emetimet e gazrave u prezantua në vitin 1992. Që atëherë, pesë grupe të tjera të standardeve janë shtuar me qëllimin e vazhdueshëm për përmirësimin e cilësisë së ajrit në të gjithë Bashkimin Evropian (BE). Ai vlen për të gjitha automjetet e reja të miratuara nga BE duke filluar nga korriku 1992, si dhe për ato që janë regjistruar nga janari i vitit 1993.

Kjo përcaktoi kufijtë për emetimet nga sistemet shkarkuese të automjeteve, si dhe automjetet e lehta komerciale (LCV) - si furgonët dhe kamionët bartës - në lidhje me katër emetimet kryesore: monoksidin e karbonit (CO), hidrokarburet (HC), oksidet e azotit (NOx), grimcat e tjera (PM).

Euro 1 (EC93)

Vlen për të gjitha automjetet e reja të regjistruara nga 1 janar 1993. Dobitë: Standardi Euro 1 solli futjen e konvertuesve katalitik dhe benzinës pa plumb për të gjitha automjetet.

Euro 2 (EC96)

Vlen për të gjitha automjetet e reja të regjistruara nga 1 janar 1997. Dobitë: Standardet Euro 2 sollën limite tjera të emetimeve për motorët me benzinë dhe naftë, si dhe reduktuan nivelet e pranueshme të të katër emetimeve të mëdha në të gjithë bordin.

Euro 3 (EC2000)

Vlen për të gjitha automjetet e reja të regjistruara nga 1 janar 2001. Dobitë: Sollën limite të veçanta për hidrokarburet dhe emetimet e oksidit të azotit për motorët me benzinë, dhe tjera për oksidin e azotit për motorët me naftë.

Euro 4 (EC2005)

Vlen për të gjitha automjetet e reja të regjistruara nga 1 janar 2006. Dobitë: Uljen e dukshme në limitet e lejueshme për grimcat dhe oksidet e azotit në motorët me naftë. Disa automjete të reja me motor nafte integruan filtra grimcash të naftës (DPF) që filtrojnë 99% të grimcave.

Euro 5

Vlen për të gjitha automjetet e reja të regjistruara nga 1 janar 2011. Dobitë: Sollën filtrat e grimcave të naftës (DPF) për të gjitha automjetet me motor nafte. Limiti i grimcave u fuqizua edhe për motorët me benzinë të injektuar në mënyrë direkte.

Euro 6

Vlen për të gjitha automjetet e reja të regjistruara nga 1 shtator 2015. Dobitë: Një reduktim prej 67% në nivelet e lejuara të oksideve të azotit nga motorët me naftë dhe limitimi i numrit të grimcave për motorët me benzinë.

Sa kanë qenë efektive Euro standardet?

Deklarohet se që nga viti 1993, nivelet e monoksidit të karbonit janë ulur 82% për automjetet me motor nafte, 63% për ata me motor benzine, dhe numri i grimcave 96%. Që nga viti 2001, oksidi i azotit është ulur për 84% dhe hidrokarburet për 50% në automjetet me motor benzine.