Vendimi i kryeministrit për Pallatin e Rinisë përfundon në Gjykatën Supreme

Ekonomia January 31, 2018 - 08:05

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për kalimin e pronësisë të Pallatit të Rinisë në Komunën e Prishtinës është kontestuar nga një pjesë e deputetëve, të cilët janë pjesë e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, shkruan sot Gazeta 'Zëri'

Kryesuesja Sala Berisha-Shala në mbledhjen e këtij Komisioni të martën e ka vënë në dyshim bazën ligjore të këtij vendimi, duke thënë se komplet lënda për këtë ndërmarrje ka kaluar në Gjykatën Supreme.

LEXO EDHE: Emërime politike në Bordin e AKP-së

“Kjo lëndë komplet është në Dhomën e Posaçme në Gjykatën Supreme”, ka thënë Shala-Berisha, duke shtuar se kryeministri ka marrë vendim për një ndërmarrje që veç ka qenë në procedura të likuidimit.

Në vitin 2016 Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) e ka futur në procedurë të likuidimit Pallatin e  Rinisë, shkruan tutje Zëri.

Sala-Berisha ka thënë se Qeveria fillimisht është dashur që t’i drejtohet Kuvendit dhe tek atëherë kjo çështje të kthehet në vendim.

“Kjo i vështirëson gjërat. Neve na duhen dokumente shtesë nga Qeveria, që e mbështesin ketë vendim. Nuk duhet të ngutemi”, u është drejtuar Sala-Berisha deputetëve të këtij komisioni.

Kjo ka ngjallur reagimet e deputetëve të tjerë nga opozita.

Dardan Sejdiu dhe Dardan Molliqaj kanë kërkuar me ngulm që ky vendim të kalojë për procedim në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.

Sejdiu këtë tërheqje të njërit nga anëtarët e koalicionit qeverisës, në këtë rast PDK-së, e ka quajtur të qëllimshme, ani pse për këtë punë ka marrë vendim vetë kryeministri.

Ai ka thënë se çështja e Pallatit të Rinisë po zvarritet pa nevojë në një kohë kur ndërmarrja është në gjendje të rëndë financiare.

“Mbi 30 milionë euro kanë premtuar investime nga Komisioni Evropian pasi të sqarohet çështja e pronësisë”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka shtuar së është e pakuptimtë që të ketë shtyrje të tjera, derisa ka polemizuar me kryesuesen.

Megjithatë kryesuesja e këtij Komisioni, Sala Berisha-Shala, e mbështetur nga pjesa më e madhe e deputetëve nuk e ka kaluar këtë vendim, duke kërkuar dokumentacion shtesë nga Qeveria.

Ky vendim do të trajtohet në mbledhjen e radhës të Komisionit.

Deri atëherë Qeveria duhet ta dërgojë dokumentacion shtesë për ta mbështetur bazën ligjore të vendimit të marrë nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Pallati i Rinisë është ndërmarrje shoqërore, por kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në dhjetor të vitit të kaluar mori vendim ta shndërrojë në ndërmarrje publike dhe kompetencat e pronësisë t’i kalojnë Komunës së Prishtinës.

“I propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës të marrë vendim që ta heqë nga kompetenca e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ndërmarrjen ‘Qendra shoqërore, sportive, kulturore dhe ekonomike Pallati i Rinisë’, me numër  reference PRN067 dhe ta autorizojë Qeverinë e Republikës së Kosovës që këtë ndërmarrje shoqërore dhe asetet e saj t’i regjistrojë si ndërmarrje publike lokale”, thuhet në vendimin e Qeverisë. /Zëri