Emërime politike në Bordin e AKP-së

Ekonomia January 31, 2018 - 07:55

Me Ligjin për Ndërmarrjet Publike personat që kanë marrë pjesë në zgjedhje nuk mund të emërohen nëpër bordet e ndërmarrjeve publike (NP) në Kosovë, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Por, megjithatë kjo kërkesë ligjore nuk është respektuar me emërimet e reja në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Së paku kjo ka ndodhur me kandidaten që sipas vendimit të Qeverisë i prin listës, Hasime Mazreku.

Gazeta “Zëri” ka gjetur se kandidatja Mazreku jeton në Malishevë dhe vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Nga viti 2006-2011 ajo ka mbajtur pozitën e nënkryetares së Degës së PDK-së në Malishevë, ndërsa në legjislaturën e katërt të Kuvendit të Kosovës ka qenë deputete e PDK-së.

Në zgjedhjet e vitit 2014 Hasime Mazreku ka qenë kandidate për deputete nga PDK-ja.

Të emëruar të tjerë, përveç Mazrekut, janë edhe Skënder Komoni, Ranko Djokic, Qemajl Behrami, Bekim Selimaj dhe Avni Ajdini.

Kandidati tjetër për anëtar të Bordit të AKP-së, Skënder Komoni, ishte i parapëlqyeri i zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi edhe gjatë vitit 2012, kur ishte propozuar edhe aso kohe për anëtar të AKP-së.Image

Në biografinë e tij ai ka shënuar se është ekonomist i diplomuar, ndërsa nga viti 2003 ka punuar si inspektor i lartë në Doganat e Kosovës.

Anëtarëve të Bordit të AKP-së prej dhjetorit të vitit të kaluar u ka kaluar mandati, përveç kryesuesit Petrit Gashi dhe zëvendëskryesuesit Bajram Zejnullahu.

Këta dy të fundit kanë mandat edhe për një vit.

Gazeta “Zëri” mëson se Bajram Zejnullahu vjen nga PDK-ja. Ai ishte kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 8 qershorit 2014, mirëpo nuk kishte arritur t’i sigurojë votat e nevojshme ngaqë kishte fituar vetëm 5 mijë e 306 vota. Kurse kryesuesi i këtij Bordi, Petrit Gashi, është profesor i asocuar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Ai ka lindur më 15 maj 1976 dhe jeton në Prishtinë. Në vitin 2007 ka përfunduar doktoraturën në “Staffordshire University Business School”, UK, për ekonomi, ndërsa studimet master në “Staffordshire University Business School”, UK.

Ndërkaq si përfaqësues i punëtorëve është emëruar Avni Ajdini, i zgjedhur së fundi në krye të BSPK-së.

Ai e ka zëvendësuar kryetarin e deritanishëm të BSPK-së Haxhi Arifin.  

Nga komunitetet është emëruar Ranko Djokic, i cili ka qenë i emëruar edhe në konkursin e kaluar. Po ashtu me vendim të Qeverisë së Kosovës për anëtar bordi është emëruar edhe Bekim Selimaj, i cili aktualisht është punëtor në Doganat e Kosovës.

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se Selimaj për këtë pozitë është propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Po ashtu i emëruar për anëtar të bordit të AKP-së gjendet edhe Qemajl Berhami. Burimet e besueshme të gazetës thonë se ky i fundit e ka përkrahjen e AKR-së.

Në fund të vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj thuhet se vendimi bashkë me biografitë e kandidatëve i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për votim. /Zëri