Tenderi problematik i KEK-ut për furnizim me klima industriale

Ekonomia January 30, 2018 - 08:28

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka më shumë se 24 muaj që nuk po mund ta mbyllë procesin e prokurimit për furnizim me klima industriale. Përfaqësues të kompanisë private “Primus Engineering” po e akuzojnë KEK-un për shumë parregullsi gjatë procesit të tenderimit. Ndërsa nga KEKU-u po thonë se kanë dyshime se specifikimet teknike të këtij tenderi i janë përshtatur një prodhuesi të caktuar. Sipas tyre, pas vendimit të OSHP-së lënda do të dërgohet në Prokurori, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ka më shumë se dy vjet që Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk po mund ta përzgjedhë një operator ekonomik për furnizim me klima industriale.

Ky tender rreth gjysmë milioni euro deri më tash disa herë është shpallur, por Zyra e Prokurimit e KEK-ut ka vlerësuar se të gjitha operatorët ekonomikë që kanë qenë pjesë e tenderit ishin të papërgjegjshëm.

Madje së fundmi zyrtarë të kësaj Zyre po thonë se kanë indikacione se specifikimet teknike të këtij tenderi u janë përshtatur një prodhuesit të caktuar.

LEXO EDHE: Kirurgët në grevë, duan rritje pagash

“Kemi indikacione që specifikimet teknike të këtij tenderi u janë përshtatur një prodhuesi të caktuar (pikërisht prodhuesit me të cilin ka konkurruar kompania ‘Primus’) për këtë arsye ky tender nuk po mund të zgjidhet qe dy vjet. Po ashtu edhe diferenca në çmim me ofertat tjera është mbi 200 mijë euro për mallra gati të njëjta dhe pikërisht për shkak të këtij dyshimi KEK-u posa ta pranojë vendimin nga OSHP-ja do ta drejtojë këtë lëndë në Prokurorinë e Shtetit”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zyra për medie e KEK-ut, shkruan tutje "Zëri".

Por në anën tjetër përfaqësues të kompanisë “Primus Engineering” në mënyrë kategorike mohojnë një gjë të tillë.

Sipas tyre, kompania i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara me dosje të tenderit, por KEK-u në mënyrë të jashtëligjshme ka anuluar këtë aktivitet të prokurimit.

Baraku: Tenderi është anuluar jashtëligjshëm

Besnik Baraku, nga kompania “Primus Engineering”, thotë se kompania e tij që nga fillimi i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara me dosje të tenderit, por tenderi është anuluar jashtëligjshëm nga ana e KEK-ut.

Ai më tutje bën të ditur se edhe në procesin e fundit i kanë plotësuar të gjitha kriteret, por në fund KEK-u sërish e ka anuluar këtë proces.

“Ne jemi ankuar në KEK, por kemi marrë përgjigje negative. Jemi ankuar në OSHP, ku dhe kemi pranuar raportin e ekspertit, i cili është në favorin tonë. Tash po presim vendimin e panelit shqyrtues të OSHP-së”, ka bërë të ditur ai.

Baraku më tutje tregon se njoftimi i parë për kontratë për këtë tender është shpallur më 28 janar të vitit 2016. Sipas tij, në këtë tender kompania e tij është shpallur e papërgjegjshme derisa zyra e prokurimit e KEK-ut e kishte rekomanduar për kontratë operatorin ekonomik "ValFrigo".

Ai më tutje tregon se më 7 shtator të vitit 2016 kanë bërë kërkesë për qasje në dokumentacion e ku 3 ditë më vonë u janë drejtuar KEK-ut me kërkesë për rishqyrtim të tenderit.

“Më datën 20.10.2016 ne kemi bërë ankesë në OSHP, pasi KEK-u na ka kthyer përgjigje negative. Më datën 30.11.2016 kemi pranuar vendim pozitiv nga OSHP-ja, ku lënda është kthyer në rivlerësim. Por më datën 23.12.2016 kemi pranuar letër standarde nga KEK-u se jemi eliminuar nga procesi i prokurimit”, tregon Baraku për gazetën “Zëri”.

Raporti i UP-së është në favor të operatorit ekonomik

Ai më tutje tregon se më datën 23.12.2016 i janë drejtuar Institutit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës me një kërkesë për shqyrtim të raportit të karakteristikave teknike të pajisjes “Inventor V2DI-60/U2RT-60”, pasi KEK-u në letrën standarde që ua ka dërguar për eliminim u ka thënë se pajisja në fjalë nuk i plotëson karakteristikat teknike të parapara me dosje të tenderit.

“Më datën 27.12.2017 Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike na ka dërguar raportin me numër të protokollit 2477, datë 27.12.2016 se produkti në fjalë i plotëson karakteristikat teknike të kërkuar sipas specifikacionit teknik. Më datën 28.12.2016 kemi bërë ankesë për rishqyrtim të dosjes në KEK, por dy ditë më vonë kemi pranuar përgjigje negative. Prapë më datën 6 janar 2017 kemi bërë ankesë në OSHP, ku ankesa jonë është aprovuar pjesërisht si e bazuar. Ne konsiderojmë se në ketë rast OSHP-ja na ka bërë të padrejtë, por të drejtën për gjykatë deri më tash nuk e kemi shfrytëzuar”, ka treguar më tutje Baraku.

Po ashtu, edhe në tenderin e fundit të shpallur më 15 qershor të vitit që lamë pas ai tregon se kanë marrë pjesë, por më 25 shtator janë njoftuar se procesi në fjalë i prokurimit është anuluar.

Baraku po ashtu tregon se më 28.09.2017 sërish i janë drejtuar KEK-ut për rishqyrtim të dosjes, por sërish ka marrë përgjigje negative nga ta.

“Më datën 09.10.2017 kemi dorëzuar kërkesën për rishqyrtim të dosjes në OSHP. Më datën 21.11.2017 ne kemi pranuar vendim pozitiv nga OSHP-ja se lënda është kthyer në rivlerësim. Më datën 21.12.2017 kemi pranuar njoftim nga KEK-u për anulim të këtij  aktiviteti të prokurimit për pikën e njëjtë për të cilën OSHP-ja ka marrë vendim. Më datën 26.12.2017 kemi dorëzuar kërkesën për rishqyrtim për pikën e njëjtë. Më datën 29.12.2017 kemi pranuar njoftim negativ nga KEK-u e ku më 9 janar të këtij viti ne sërish jemi detyruar t’i drejtohemi OSHP-së, por deri më tash nuk kemi marrë përgjigje nga ta”, ka treguar më tutje Baraku.

KEK: Lëndën do ta dërgojmë në Prokurori

Në anën tjetër zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës në përgjigjet e dërguara thonë se kanë indikacione që specifikimet teknike të këtij tenderi u janë përshtatur një prodhuesi të caktuar.

“Pikërisht prodhuesit me të cilin ka konkurruar kompania ‘Primus’. Për këtë arsye ky tender nuk po mund të zgjidhet qe dy vjet. Po ashtu edhe diferenca në çmim me ofertat tjera është mbi 200 mijë euro për mallra gati të njëjta dhe pikërisht për shkak të këtij dyshimi KEK-u posa ta pranojë vendimin nga OSHP-ja do ta drejtojë këtë lëndë në Prokurorinë e Shtetit”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zyra për medie e KEK-ut.

Aty më tutje thuhet se për këtë problem ka qenë që nga fillimi e shqetësuar edhe Zyra e Prokurimit e Korporatës Energjetike të Kosovës.

“Lidhur me hartimin e specifikimit teknik në fazën e tenderimit është bërë një raport nga Zyra Ekzekutive për Përputhshmëri Institucionale dhe Organizative (ZEPIO) dhe ka rekomanduar të merren masa ndaj hartuesit të specifikimit teknik. Por, pavarësisht kësaj tani në situatën ku jemi edhe pas raportit të ZEPIO-s pra pas ritenderimit konsiston se prapë specifikimin teknik e plotëson vetëm një OE/prodhues dhe është i përgjegjshëm teknikisht (është eliminuar administrativisht për një deklaratë të afatit të liferimit) pikërisht OE-ja ankuese. ZEP-i konsideron se hartimi jo i duhur (përshtatja) e specifikimeve teknike ka rezultuar me oferta të larta të klimave industriale dhe pas epilogut nga seanca e OSHP-së do të kërkojë që kjo lëndë të auditohet nga Zyra e Auditorit të Brendshëm. Zyra e Prokurimit është duke pritur epilogun pas vendimit të OSHP-së dhe duke parë dinamikën e kësaj lënde është kërkuar auditim i brendshëm konform procedurave të kompanisë dhe ka indikacione paraprake që këtë lëndë do ta procedojë në organet e tjera”, thuhet më tutje në përgjigjen e KEK-ut

KEK: Të gjitha ofertat janë të papërgjegjshme

Më tutje në përgjigjet e KEK-ut thonë se për procesin e prokurimit me numër KEKO-17-171-111 janë pranuar pesë (5) oferta.

Sipas tyre, komisioni i vlerësimit ka anuluar këtë tender duke i konsideruar të papërgjegjshme të gjitha ofertat.

“Përkatësisht katër (4) oferta teknikisht janë anuluar, ndërsa një (1) ofertë (konkretisht e OE ankues ‘Primus’) është konsideruar e papërgjegjshme, pasi që nuk ka ofruar deklaratën lidhur me afatin e liferimit, kërkesë kjo e detyrueshme në Aneks 1. Operatori ekonomik ‘Primus’ që ka ofertuar me çmimin më të lartë në këtë tender ka paraqitur ankesë në OSHP. Me vendim të OSHP-së lënda është kthyer në rivlerësim”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga ta.

Sipas tyre, në rivlerësim komisioni i rivlerësimit ka rekomanduar përsëri dhe ka dhënë vlerësimin e njëjtë në përputhshmëri me kërkesat e Dosjes së Tenderit dhe Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) se nga pesë (5) oferta konkurruese, katër (4) prej tyre në aspektin teknik janë të papërgjegjshme, kurse një (1) ofertë, përkatësisht oferta e operatorit ekonomik ankues “Primus Engineering” është konsideruar e papërgjegjshme, pasi asaj i mungon deklarata për afatin e liferimit si kusht/kriter i detyrueshëm i Dosjes së Tenderit.

“Operatori ekonomik ‘Primus Engineering’ nuk është në pajtueshmëri me kërkesat e Aneks 1 – Specifikimet teknike të detyrueshme të Dosjes së Tenderit, përkatësisht pika 6. Kriteret për vlerësimin e ofertës së OE-së janë specifikuar si: b) Afati i liferimit të klimave industriale, montimit dhe lëshimit në punë duhet të jetë një vit, kurse vendin dhe dinamikën e montimit e cakton autoriteti kontraktues (AK) ose sipas nevojës. Si dhe në pjesën c) të kësaj pike decidivisht është kërkuar të ofrohet deklarata për kohën e liferimit. Kjo kërkesë obligative/kusht për OE-në është specifikuar në faqen 21 të Dosjes së Tenderit, ku shkruan: c) Deklarata për kohën e liferimit, sipas LPP-së, kërkesat e specifikuara në dosje të tenderit dhe Aneks 1 – Specifikimet teknike të detyrueshme, janë të obligueshme të plotësohen nga OE-ja pjesëmarrës”, thuhet më tutje në përgjigje.

Sipas tyre, KEK-u ka pranuar ekspertizën e ekspertit shqyrtues për rivlerësim.

“Autoriteti kontraktues ka njoftuar Panelin Shqyrtues të OSHP-së se shpreh mospajtimin me ekspertizën e ekspertit shqyrtues, sepse çdo vlerësim, vendim tjetër do të paraqiste shkelje të LPP-së. Njëkohësisht ka kërkuar nga Paneli që t’i shqyrtojë të gjitha faktet në hollësi sepse konsiderojmë se Paneli Shqyrtues ka mundur të bjerë në lajthitje nga ekspertizat e ekspertëve shqyrtues”, thuhet në përgjigje.