Ndotja e ajrit kërcënon shëndetin e popullatës

Ekonomia January 29, 2018 - 08:31

Cilësia e ajrit në kryeqytetin e Kosovës ka arritur në një nivel alarmues, duke i tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Gjatë matjeve të fundit të bëra nga Ambasada Amerikane, Prishtina gjendet në vendin e parë në botë me ajrin më të pashëndetshëm.

Ministrja e Ambientit dhe e Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka reaguar pas shifrave alarmuese të ndotjes së ambientit në Prishtinë. Në rrjetin social “Facebook” ajo ka shkruar se është e shqetësuar me këtë gjendje, por s’ka dhënë asnjë zgjidhje të këtij problemi.

“Ju të gjithë e dini që gjërat nuk zgjidhen me shkop magjik e aq më pak në vendin tonë ku problemet janë të shtresuara e të trashëguara. Duke marrë parasysh që pos KEK-ut, fabrikave e veturave, ndotja e ajrit po vjen edhe nga përdorimi i thëngjillit për ngrohje. Ne kërkuam që institucionet gjegjëse qeveritare të punojnë në gjetjen e alternativave për ngrohje dhe të fillojmë të reduktojmë përdorimin e thëngjillit”, ka shkruar Reshitaj.

Ajo po ashtu ka shkruar se për këtë problem ka biseduar edhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës Shpend Ahmetin dhe kanë marrë vendim që të ndalin përdorimin e veturave në disa lagje të Prishtinës, si dhe të bëjnë falas transportin publik.

LEXO EDHE: Mehmeti: Normat e interesit në kredi do të vazhdojnë të ulen

“Ne u pajtuam që në periudhat kohore kur kemi tejkalime të mëdha të normave të lejuara të ndotjes së ajrit të reduktojmë qarkullimin e veturave në disa lagje duke e bërë pa pagesë transportin publik, gjë që shumë shpejt shpresoj se do të realizohet”, ka shkruar tutje ajo.

LEXO EDHE: Protestë kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë

Në lidhje me ndotjen e ajrit ka folur edhe këshilltari i lartë politik në Ministrin e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, Leutrim Sahiti, ditë më parë në një përgjigje dhënë për gazetën Zëriduke pohuar se tanimë kanë hartuar dhe kanë aprovuar planin e aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

 “Me qëllim të reduktimit të ndotjes së ajrit kemi hartuar dhe kemi aprovuar planin e aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë së ajrit për periudhën vjeshtë-dimër 2017-2018 dhe është bërë identifikimi i ndotësve më të mëdhenj në kryeqytet që ka rezultuar me verifikim të 100 pikave më ndotëse në Prishtinë”, ka thënë Sahiti.

Ai po ashtu ka treguar edhe për veprimet konkrete që ka ndërmarrë kjo Ministri duke veçuar ndërrimin e thëngjillit në disa lokacione, si dhe për kontrollimin e derivateve që hyjnë në Kosovë.

“Duke marrë parasysh që janë afër 200 shkolla të cilat përdorin thëngjillin për ngrohje, ne së bashku me Ministrinë e Arsimit nga ky vit do të ndalojmë përdorimin e thëngjillit në to. Po ashtu jemi në koordinim të plotë me Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë për të rritur kontrollin e cilësisë së derivateve që importohen në Kosovë”, ka thënë ai.

Si faktorin kyç për ndotjen e ajrit ai e sheh KEK-un, por pa i lënë anash edhe faktorë të tjerë, ndërsa thekson se edhe komunat kanë përgjegjësi ligjore për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.  

“Sigurisht se KEK-u është ndotësi më i madh i ajrit në Prishtinë dhe ne jemi në monitorim të nivelit të ndotjes që vjen nga KEK-u. Faktorët tjerë që ndikojnë në rritjen e ndotjes së ajrit janë edhe përdorimi i thëngjillit për ngrohje, veturat, cilësia e dobët e naftës që importohet në Kosovë, kushtet e pafavorshme meteorologjike që nuk lejojnë shpërndarjen e ndotjes së ajrit”, shtoi tutje Leutrim Sahiti.

KEK-u: Ne kemi operuar në bazë të standardeve të BE-së

Drejtori i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun nga KEK-u, Skender Bucolli, ka mohuar faktin që KEK-u është ndotësi më i madh i ajrit.

Ai po ashtu thotë se sipas raporteve të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit termocentrali “Kosova A” ka operuar në bazë të standardeve të BE-së

“Duke u bazuar në raportet e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në MMPH, pavarësisht faktit se KEK-u operon me stabilimente te stërvjetruara nga viti 2014 (kur edhe ka përfunduar cikli i investimeve mbi 50 milionë euro në projektet që ndërlidhen me ambientin) termocentrali ‘Kosova A’ asnjëherë nuk i ka tejkaluar emetimet e pluhurit, përkundrazi ka operuar sipas standardeve të parapara të BE-së”, ka thënë Bucolli.

Zëdhënësi për Komunikim në Komunën e Prishtinës ka thënë se Komuna tashmë ka vendosur matësit për matjen e ndotjes, ndërsa shtoi që Komuna ka ndërmarrë edhe hapa tjera në lidhje me këtë gjë.

“Komuna e Prishtinës ka vendosur matësit për ndotjen e ajrit fillimisht në 6 pika, duke përfshirë kështu lagjet kryesore të qytetit. Përtej kësaj Komuna ka investuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit edhe përmes koogjenerimit të “Termokosit”, reformimit të trafikut urban, mirëmbajtjes dhe zgjerimit të hapësirave të gjelbra, asnjë shkollë/çerdhe në komunën tonë nuk ngrohet me thëngjill”, ka thënë Tahiri.

Komuna po ashtu është duke provuar që të përmirësojë edhe trafikun, edhe ndërtimet pa leje. “Lidhur me këtë përmes politikave tona po ndikojmë në përdorim më të vogël të makinave përmes përmirësimit të kushteve në transport publik, si dhe në rritje të hapësirave të gjelbra nga ndërtuesit duke i obliguar në respektimin e lejendërtimit”, shtoi tutje ai.

Reagon LDK-ja

Në lidhje me gjendjen alarmuese të ndotjes së ajrit kanë reaguar edhe institucione, parti politike e qytetarë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka reaguar dje në lidhje me këtë gjë duke bërë fajtorë edhe qytetarët, të cilët kontribuojnë në ndotjen e ajrit.

“Këtë situatë shqetësuese do ta rëndojnë edhe më shumë ditët e ftohta që do të vijnë dhe rëniet e temperaturave që do ta vështirësonin edhe më shumë ndotjen e ajrit si pasojë e ngrohjes me lëndë të ndryshme djegëse, të dëmshme dhe jokualitative që po përdorin qytetarët”, thuhet në reagimin e tyre.

Grupi Parlamentar i LDK-së po ashtu ka reaguar përmes një komunikate për shtyp duke e konsideruar ndotjen e ajrit alarmuese dhe një rrezik për jetën e qytetarëve, shkruan tutje “Zëri”.

“Si Grup Parlamentar i LDK-së shprehim indinjatën dhe reagojmë ashpër që edhe pas këtyre raporteve alarmante që rrezikojnë shëndetin e popullatës ku janë të koncentruar rreth 40% e popullatës së Kosovës në kryeqytetin e Kosovës dhe rrethinën e tij qe dy ditë nga këto alarme serioze nga institucione kredibile vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e tyre.

Po ashtu ata janë të indinjuar edhe nga mosreagimet nga institucionet vendore në lidhje me këtë fenomen.

“Nuk kemi as më të voglin reagim nga institucionet e shtetit të Kosovës, as nga Qeveria, as nga Ministria përkatëse, por edhe nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës si institucion kompetent”, thuhet tutje.

Grupi Parlamentar i LDK-së u bën thirrje qytetarëve që të qëndrojnë brenda dhe reagimin e tyre do ta shprehin edhe përmes formave ligjore dhe institucionale, shkruan tutje “Zëri”

“Grupi Parlamentar i LDK-së ka analizuar me kujdes gjendjen e krijuar në dy ditët e fundit dhe me urgjencë do të marrim hapat ligjorë dhe institucionalë që të ndikojmë sa më shpejt për sanimin e kësaj gjendjeje alarmante”, thuhet në komunikatë.

Reagim ka pasur edhe nga Partia Ekologjike e Kosovës. Për këtë gjendje ata kanë fajësuar Qeverinë dhe institucionet përkatëse. Sipas tyre, po ka vetëm konstatim të gjendjes por jo edhe zgjidhje të problemit.

“Pavarësisht shumë reagimeve tona, të OJQ-ve dhe të qytetarëve të Kosovës ka kohë që nga institucionet kompetente dhe nga Qeveria e Kosovës nuk ndërmarrin asgjë, përveçse në ekranet tona televizive paraqiten duke konstatuar gjendjen e mjedisit, por ajo që për ta është e rëndësishmja – ndërmarrja e masave për zvogëlimin dhe për evitimin e ndotjes nuk ka”, thuhet në komunikatën e tyre.

Të mërkurën protestë

E për të shprehur indinjatën për ndotjen, e cila po rrezikon çdo ditë banorët, qytetarët e Prishtinës të mërkurën do ta kenë shansin të protestojnë. Një thirrje e tillë po bëhet në rrjetet sociale ku po kërkohet që të marrin pjesë sa më shumë qytetarë.

Organizatorët që nuk dihet se kush janë kanë kritikuar deklaratën e ministres Reshitaj, e cila tha sot se “gjërat nuk zgjidhen me shkop magjik”.

“Prishtina ka kohë që po radhitet në vendin me ajrin më të ndotur në botë. Ne, qytetarët të cilët jetojmë në kryeqytet po e vërejmë më shumë se kurrë ndikimin e ajrit të ndotur në jetën tonë. Hazardous – është rezultati më i shpeshtë në faqen, e cila e tregon gjendjen e ajrit në Prishtinë, me një kontrollim të thjeshtë në internet.

Ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj, mes tjerash në një reagim të sajin ka thënë se “gjërat nuk zgjidhen me shkop magjik”.

Partia Ekologjike ka kërkuar nga Qeveria që ta marrë me më shumë seriozitet ndotjen”, thuhet në faqen ku është organizuar kjo protestë.