Kompania që ia mori Kosovës 5 milionë euro në Arbitrazh përfiton 500 mijë euro nga falja e tatimeve

Ekonomia January 26, 2018 - 07:34

Kompania austriake OeSD, e cila vite më parë kishte fituar tenderin mbi 10 milionë eurosh për prodhimin e pasaportave të Kosovës, përpos që ka përfituar 5 milionë euro nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) me vendim të Gjykatës së Arbitrazhit në Paris, autoritetet vendore të njëjtës ia kanë falur hiç më pak se gjysmë milioni euro tatime të papaguara, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Gjykata e Arbitrazhit në Paris në vitin 2016 ka gjetur se Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës kishte bërë shkelje ligjore për shkak të vonesave në pagesa për tenderin milionësh të pasaportave, me ç’rast ishte detyruar nga Gjykata t’ia paguajë kompanisë austriake kompensimin milionësh.

LEXO EDHE: Rritja sekrete e vlerës së kontratës për ndërtimin e autostradës ''Arbën Xhaferi''

Përndryshe, përfaqësuesit e kompanisë austriake OeSD vite më parë kanë qenë të përfshirë në skandalin më të madh që nga paslufta në Kosovë, i cili skandal ishte zbuluar në atë kohë nga gazeta “Zëri”.

Pas këtyre raportimeve të gazetës është zhvilluar një proces gjyqësor, ku si pjesë e këtij procesi Natali Velija, përfaqësuesja e OeSD-së, ishte dënuar me 12 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprat penale: “Krim i organizuar”, “Pastrim i parave” dhe “Mashtrim”. Më pas ky dënim nga Gjykata e Apelit i ishte ulur në 8 vjet burgim për dy vepra penale: “Mashtrim” dhe “Pastrim i parave”.

Gazeta “Zëri” ka siguruar listën e fundit të bizneseve që iu falën borxhet nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në mesin e të cilave figuron edhe emri i kompanisë austriake OeSD.

Asaj iu falën rreth gjysmë milioni euro borxhe për aktivitetin e ushtruar në Kosovë përgjatë viteve 2009-2014 në emër të një vendimi të shtetit për faljen e borxheve.

Sipas listës së ATK-së, kompanisë austriake iu falën 205 mijë e 836 euro nga tatimi bazë, 130 mijë e 699 euro nga ndëshkimet dhe 118 mijë e 727 euro të tjera nga interesat. Në total vlera e borxheve që u falën arrin në 455 mijë e 387 euro

 

ATK-ja arsyeton vendimin për faljen e borxhit

 

Nga Administrata Tatimore e Kosovës kanë sqaruar për gazetën “Zëri” se borxhet kompanisë austriake iu falen në emër të Ligjit Nr. 05/L-043, sipas të cilit nga falja e borxheve publike përfitojnë bizneset për periudhën deri më 31 dhjetor të vitit 2008.

Megjithatë, në listën e përpiluar nga ky institucion emri i kompanisë austriake figuron tek bizneset që u falën për periudhën 2009-2014.

Zëdhënësja për informim në ATK, Valentina Bytyqi-Sefa, thotë së për faljen e borxheve kompanitë është dashur që t’i kryejnë disa obligime paraprakisht.

“Ta kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 01.01.2009 deri 31.12.2014, atëherë personat e këtillë, përveç faljes së tërësishme për periudhën deri më 31.12.2008, do të përfitojnë edhe me faljen e gjobave, të ndëshkimeve, të interesit dhe çdo obligim tjetër që rrjedh nga mospagesa me kohë e kryegjësë së borxhit për periudhën 01.01.2009 deri më 31.12.2017”, ka thënë për “Zërin” Bytyqi-Sefa.

Përveç kësaj, bizneset që kanë përfituar nga kjo falje është dashur të lidhin marrëveshje me institucionin shtetëror apo me ndërmarrjen publike për pagesën e borxheve me këste për periudhën 01.01.2009 deri më 31.12.2014.

“Në rastin kur arrihet marrëveshja sipas nënparagrafit 1.2 të këtij neni, atëherë personat e këtillë, përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri 31.12.2008, do të përfitojnë edhe faljen e ndëshkimeve për periudhën 01.01.2009 deri më 31.12.2014”, shton ajo.

Gazeta “Zëri” e ka pyetur këtë institucion nëse këto kritere i ka plotësuar edhe kompania austriake.

Përgjigja e tyre ka qenë më shumë rreth kritereve që është dashur të plotësohen, duke lënë të kuptohet së të njëjtat i ka plotësuar edhe OeSD-ja.

“Pavarësisht dispozitave të paragrafit 1 të këtij neni, të gjithë personat që nuk kanë borxhe të pashlyera para vitit 2008, por që vendosin t’i shlyejnë obligimet për periudhën vijuese 01.01.2009 deri 31.12.2014, sipas kushteve të vendosura në nënparagrafin 1.1 do të përfitojnë falje të gjobave, të ndëshkimeve, të interesit dhe çdo obligim tjetër që rrjedh nga mospagesa më kohë e kryegjësë së borxhit, apo nëse vendosin t’i shlyejnë obligimet për periudhën vijuese 01.01.2009 deri 31.12.2014 sipas kushteve të vendosura në nënparagrafin 1.2 do të përfitojnë falje të ndëshkimeve”, ka shpjeguar zëdhënësja për informim e ATK-së.

Gazeta ka dërguar pyetje edhe tek kompania OeSD për të pyetur rreth marrëveshjes me ATK-në për faljen e borxheve. Por, nuk ka marrë përgjigje.

OeSD-ja dhe tenderi për pasaportat

Ndryshe, kompania austriake OeSD në vitin 2011 arriti ta fitojë në Kosovë një tender prej mbi dhjetë milionë eurosh për prodhimin e pasaportave.

Më vonë ajo u përfshi në një ndër skandalet më të mëdhenj pas luftës, pas dallavereve që dolën rreth këtij tenderi.

Krejt procesi në vitin 2014 u përmbyll me dënim nga Gjykata Themelore e Prishtinës të 7 personave me afro 50 vjet burg.

“Grupi i Natali Velijajt”, siç njihej, akuzohej për “Krim të organizuar”, “Shpëlarje parash”, “Mashtrim”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Keqpërdorim të besimit”. Të gjitha këto akuza të ndërlidhura me kontratën për prodhimin e pasaportave biometrike të lidhura mes kompanisë austriake OeSD dhe MPB-së.

Gjykata, pos dënimit të “grupit të Velijajt”, urdhëroi Natali Veliajn dhe Fisnik Blakajn që së bashku t’ia kompensojnë kompanisë OeSD shumën prej 1.4 milion eurosh.

Më vonë për ndërprerje të kontratës dhe vonesave në pagesa OeSD-ja e paditi shtetin e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris. Kjo e fundit gjeti së Kosova në këtë rast bëri shkelje ligjore dhe e dënoi me 4.999 milionë euro. /Zëri