Kurti: Kontrata me Contour Global nuk i sjell Kosovës fitime

Ekonomia January 25, 2018 - 18:32

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka kritikuar marrëveshjen e Kosovës me Contour Global, duke thënë se një kontratë e tillë e vë Republikën në shërbim të kësaj ndërmarrje të huaj private, e jo anasjelltas.

Ai ka ftuar deputetët e Kosovës që të mos votojnë pro kësaj marrëveshje, kurdo që ajo sillet në Kuvend.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e tij të plotë:

Kjo qeveri nuk e di se çka do të bëjë as 20 javët e ardhshme, mirëpo hyn në obligime shtetërore për 20 vitet në vijim. Kontrata me Contour Global e vë Republikën e Kosovës, shtetin dhe interesin tonë publik, në shërbim të një ndërmarrje të huaj private. Nuk do të punojë Contour Global për Kosovën dhe qytetarët e saj, por ne do të punojmë për Contour Global, sepse asaj, me paratë e qytetarëve ia marrim përsipër borxhin që ia shlyejmë dhe përfitimin që ia garantojmë.

Kontrata me Bechtel-Enka që na i fshiu gati 2 miliardë euro kurrë s’u bë publike, pra ishte hajni pa transparencë. Kontrata me Contour Global duket se do të na i fshijë trefishin e Bechtel-Enkas, por, kësaj radhe, si një hajni me transparencë, meqenëse u publikua kontrata. Por, edhe këtu kemi transparencë jo të plotë sepse: 1) disa anekseve nuk u dihet përmbajtja, dhe, 2) ka transparencë veçse në rezultat ama jo edhe në proces.

Prodhuesit vendës në Kosovë e dijnë se shpesh nuk arrijnë të hyjnë në treg për shkak të pragut të lartë, mirëpo Contour Global i garantohet shitja e energjisë nga qeveria, përmes një ndërmarrje të posaçme publike që do të themelohet. Sipas kontratës, Contour Global do t’i paguhen të gjitha kostot, këstet e kredisë, kamata e tyre, fitimi e edhe tatimi.

Jo vetëm çmimi i energjisë do të rritet, por falja e territorit të ndërtimit, zhvendosja e banorëve, shfrytëzimi dhe furnizimi me linjit, burimet e ujit që nevojiten, mospërshtatja me sistemin aktual (blloqet aktuale punojmë me 300 MË teksa e reja parashihet 500 MË), norma tejet e lartë e kthimit të brendshëm prej 18,5% e deri te blerja pa limit e energjisë së prodhuar, madje me çmimin 20% më lartë se 80 euro për MËh për çdo MËh të prodhuar më shumë, na tregojnë për një projekt rrënues i cili merr gjithçka nga Kosova dhe jep si rezultat të fundit energji elektrike, të cilën Kosova e ka prodhuar dhe e prodhon që prej viteve ’60.

Contour Global do të marrë para nga kuleta e qytetarëve edhe si konsumatorë të energjisë edhe si tatimpagues për buxhet. Kur neve na duhet të paguajmë kaq shumë, ky nuk është kurrfarë investimi i huaj në Kosovë, por, më parë, investim i Kosovës në një fond investiv të huaj e për atë fond investiv të huaj.

Qeveria e Kosovës nuk ka një vizion zhvillimor nacional ku ndërtimi i termocentraleve të reja do të ishte përbrenda atij plani ekonomik zhvillimor. Kapacitetet e reja prej 500 MË janë plani i Contour Global për fitimin e saj, por jo plani i qeverisë së Kosovës për zhvillimin e vendit. Nuk ekziston kurrfarë ndërlidhjeje midis kapaciteteve të reja energjetike dhe rritjes së industrisë në Kosovë. Tetëfish më shumë energji elektrike në Kosovë shpenzon amvisëria sesa industria. 500 MË-ët e rinj nuk janë për ta ndryshuar këtë raport.

Askush nga zyrtarët e Kosovës të përfshirë në këtë aferë nuk mund të shpjegojë racionalisht se përse Kosova nuk bën ta ndërtojë me pronësi publike investimin më fitimprurës që kemi në dorë dhe sipas kushteve e kërkesave të ekonomisë së saj, por duhet ta bëj këtë nëpërmjet një fondi privat të përzgjedhur pa e ditur shumëkush nga kush.

Jemi në një situatë të vështirë në sektorin e energjisë në Kosovë. KOSTT pengohet nga Serbia për anëtarësimin në ETSO-E dhe si pasojë interkonjeksioni me Shqipërinë është i bllokuar. Privatizimi i KEDS-it ishte krejt abuziv e fort i dëmshëm. Projekti i rindërtimit të TC ‘Kosova A’ nga Billfingeri u pat shpërfillur. Tash, kontrata me Contour Global është fitim për ata Globalin e humnerë për neve lokalin. Deputetët e Kuvendit duhet të japin ndihmën e tyre duke mos e votuar, kurdo që marrëveshja vjen në Kuvend.