Rrugët e pastruara, trotuaret me ngrica

Ekonomia January 25, 2018 - 08:33

Reshjet e mëdha dhe të pandërprera të borës gjatë vikendit kanë shkaktuar vështirësi të mëdha e në veçanti në komunikacion.

Në disa pjesë të Kosovës rrugët ishin tërësisht të bllokuara, por më pas ato ishin pastruara nga kompanitë që janë të angazhuara për mirëmbajtjen dimërore dhe verore të rrugëve, mirëpo problemi ende qëndron në trotuare, ku ka ngrica dhe vështirësi për të kaluar, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Në kohën kur unë shkoj në fakultet ka tollovi të madhe në trafik e edhe ngrica në trotuare, që po na e vështirësojnë ecjen dhe si zgjidhje të vetme për të shkuar në destinacionin e duhur po e shohim ecjen në rrugë, ku për fat të mirë po pastrohen nga kompanitë e pastrimit, mirëpo e shoh si detyrë të pastrohet edhe pjesa për këmbësorë, si pjesëtarë të barabartë të komunikacionit”, ka thënë K. M., studente.

LEXO EDHE: Rritja sekrete e vlerës së kontratës për ndërtimin e autostradës ''Arbën Xhaferi''

Gjatë kësaj periudhe ka ndodhur edhe një numër i madh i aksidenteve, ku ka pasur edhe aksidente që kanë përfunduar me fatalitet.

Nga reshjet e borës më të rrezikuarat kanë qenë fshatrat rurale, si dhe zonat e thella malore, ku ka pasur edhe ngujim të njerëzve, shkruan më tutje Zëri”.

Gashi: Të gjitha rrugët janë të pastra

Drejtori i Departamentit të Menaxhimit të Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Skender Gashi, thotë se të gjitha rrugët që kanë qenë në menaxhim të MI-së janë mirëmbajtur dhe janë të sigurta, mirëpo e sheh ende të nevojshme sinjalizimin e tyre.

“Pas reshjeve të fundit të borës të gjitha rrugët që janë nën përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës kanë qenë të mirëmbajtura dhe të hapura pa ndërprerë, duke ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit në trafik rrugor. Rrugët që janë nën përgjegjësi të MI-së kanë nevojë për sinjalizim horizontal dhe vertikal. MI-ja është duke i përfunduar procedurat e prokurimit në vlerësimin e ofertave për dhënien e kontratave për shërbime në fushën e sinjalizimit”, ka thënë Gashi, transmeton “Zëri”.

Po ashtu edhe zyrtari i lartë në Ministrinë e Infrastrukturës, Fatos Mani, thotë se tanimë të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe se kompanitë kanë qenë të gatshme për intervenime aty ku ka pasur nevojë.

“Praktikisht kanë qenë dy vështirësi teknike: bora ka rënë në tërë territorin e vendit dhe ka rënë një kohë të gjatë pandërprerë. Kompanitë kanë qenë në nivel të detyrës, por po e zëmë që ende pa mbërritur makineria në fund të aksit fillimi veç është mbushur me borë. Por ia kemi dalë që brenda afatit më të shpejtë të mundshëm të gjitha rrugët e menaxhuara nga ne t`i hapim për qarkullim”, ka thënë Mani.

Policia e Kosovës: Qytetarët të jenë vigjilentë në trafik

Gjatë këtyre ditëve në Kosovë janë shënuar një numër i madh i aksidenteve. Policia e Kosovës gjatë gjithë kësaj periudhe ka apeluar tek qytetarët që të kenë kujdes në mënyrë që ata të jenë të sigurt.

Sipas statistikave të fundit të Policisë, vetëm më datën 19.01.2018 kanë ndodhur 36 aksidente, ku prej tyre 13 kanë qenë me të lënduar. Po ashtu gjatë periudhës 01.01.2018 deri më 16.01.2018 janë shqiptuar 15092 gjoba trafiku.

Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, thotë se Policia është vazhdimisht duke u marrë me aktivitete të cilat synojnë që të respektohet ligji.

“Policia e Kosovës me qëllim të ngritjes së sigurisë rrugore vazhdon me aktivitete të shtuara në zbatimin e ligjeve të fushës së trafikut rrugor, gjegjësisht zbatimin e autorizimeve dhe kompetencave të dhëna për organin kundërvajtës - Policinë”, ka thënë Hoxha.

Po ashtu ai u bënë thirrje qytetarëve për vigjilencë në trafik në mënyrë që edhe ata të jenë të sigurt, por edhe të mos gjobiten, shkruan “Zëri”.

“Policia e Kosovës vazhdon të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që të rritet vigjilenca, të shtohet kujdesi në respektimin e rregullave që dalin nga ligjet e trafikut për ta garantuar një siguri më të madhe me qëllim të shmangies së aksidenteve rrugore në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale”, ka shtuar ai.

Në  lidhje me rregullat e reja të trafikut ekspertë të sigurisë mendojnë se këto rregulla kanë ndikuar pozitivisht në uljen e aksidenteve.

Drizan Shala, ekspert i sigurisë, thotë se ky plotësim i ligjit ka rezultuar pozitiv.

“Në krahasim me vitin aktual dhe në krahasim me të njëjtën periudhë periodike të 2017-s kemi shumë më pak aksidente qofshin ato materiale, apo humane. Ky ndryshim i plotësimit të ligjit ka rezultuar pozitivisht dhe siguri në komunikacion”, ka thënë Shala.

Për të njëjtën çështje ka folur edhe profesori nga Fakulteti i Sigurisë Publike, Besnik Fetahu, i cili thotë se në rrugë nuk ka shumë siguri për qytetarët.

“Faktorët që kanë kontribuuar në pasigurinë në rrugë janë të shumëfishtë. Së pari, qytetarët nuk respektojnë shenjat e komunikacionit dhe sidomos kufizimin e shpejtësisë së veturave aty ku kërkohet. Së dyti, Policia e Kosovës nuk ka treguar edhe aq vullnet në zbatimin e plotë të ligjeve në trafikun rrugor, sidomos në shqiptimin e masave të dënimit me gjobë për çdo shkelje”, ka thënë ai.

Kompanitë e pastrimit, përgjegjëse për largimin e borës nga rrugët dhe nga trotuaret

Komuna e Prishtinës për pastrimin e rrugëve dhe të trotuareve ka kontraktuar disa kompani me qëllim që të kryejnë shërbime të nevojshme për largimin në tërësi të borës në rrugë dhe në trotuare.

Në lidhje me këtë gjë ka folur zëdhënësja e kompanisë “Pastrimi” Arbënore Ademi, e cila është njëra nga kompanitë e angazhuara nga Komuna.

“Kompania ‘Pastrimi’ është e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës për pastrimin e rrugëve dhe të trotuareve në sezonin dimëror vetëm për loton e 5-të. Pra, ne jemi të kontraktuar nga Komuna e Prishtinës që t`i pastrojmë të gjitha rrugët dhe trotuaret që përfshihen nga rruga ‘Ilir Konushevci’ e deri te rruga ‘Bajram Bahtiri’”, ka thënë Ademi për “Zërin”

Ndërsa në lidhje me këtë Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje, derisa akulli në trotuare vazhdon të jetë rrezik për jetën e qytetarëve.

Reduktimet e rrymës

Me t’u ulur temperaturat në Kosovë janë kthyer reduktimet e shpeshta të rrymës. Qytetarët vazhdimisht kanë nisur ankesa në lidhje me këtë gjë në redaksinë e “Zërit”. Në lidhje me këtë gjë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, fajin ia hedh KEK-ut.

“KEDS-i po bën maksimumin për t’i furnizuar konsumatorët me energji elektrike. Por, është shumë i varur nga prodhimi prej KEK-ut, për të cilin jemi në dijeni që nuk ka qenë brenda suazave të planifikuara”, ka thënë ai.