Rritja sekrete e vlerës së kontratës për ndërtimin e autostradës ''Arbën Xhaferi''

Ekonomia January 25, 2018 - 08:25

Vlera e kontratës për autostradën “Arbën Xhaferi” ka pësuar ndryshime në vitin 2015. Larg syve të publikut Qeveria dhe kompania ndërtuese “Bechtel-Enka” janë pajtuar që vlera të rritet për 8.5 milionë euro në emër të përshkallëzimit të TVSH-së. Nga deputetët ky veprim i Qeverisë po cilësohet mjaft i dyshimtë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Krahas pretendimit prej 63 milionë eurosh nga konsorciumi “Bechtel-Enka”, shteti i Kosovës dyshohet se është dëmtuar edhe me 8.5 milionë euro në projektin për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Larg syve të publikut, në dhjetor të vitit 2015, Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit e konsorciumit “Bechtel-Enka” kanë nënshkruar një ndryshim milionësh në vlerën e kontratës. Bëhet fjalë për 8.5 milionë euro më shumë sesa çmimi me të cilin ishte nënshkruar kontrata në fillim.

LEXO EDHE: Në mars, afati i fundit për pagesën e 63 milionë eurove “Bechtel-Enka”-s

Ky ndryshim është bërë i njohur në një raport konfidencial të ministrit aktual të Infrastrukturës, Pal Lekaj, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta Zëri.

Kjo çështje ka ngritur shqetësime në radhët e deputetëve që janë pjesë e Komisionit për Zhvillim Ekonomik. Në raport thuhet se ndryshimi në vlerën e kontratës u bë si pasojë e zbatimit të pakos fiskale në vitin 2015, përkatësisht rritjes së TVSH-së nga 16 në 18 për qind.

LEXO EDHE: Letërkëmbimi i “Bechtel”-it për humbjen 63-milionëshe

Kjo diferencë u kalkulua në vlerën e kontratës “Arbën Xhaferi”, me një kosto prej 8.5 milionë eurosh.

“Nga 1 shtatori 2015, në përputhje me Ligjin Nr.05/L-37, TVSH-ja u rrit nga 16 % në 18 %. Ky ndryshim e rriti TVSH-në e projektit me 8,404,168.32 euro, e kjo e rriti edhe çmimin e kontratës nga 599,944,263.55 euro në 608,348,430.87 euro. Rideklarimi i çmimit të kontratës u nënshkrua në mes të palëve më 29 dhjetor 2015 me vlefshmëri retroaktive prej datës 1 shtator 2015”, thuhet në raportin e ministri Lekaj.

E paqartë është nëse ky ndryshim ishte paraparë me kontratë.

Mirëpo, as nga Ministria e as nga kompania nuk e kanë sqaruar këtë çështje. Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në mbledhjen e fundit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik është thirrur në konfidencialitetin e kontratës me kompaninë.

Ai ka thënë se kur është nënshkruar kontrata në fillim është futur edhe një klauzolë, e cila i obligon palët që të mos i bëjnë publike detajet e kontratës. Ndërkaq zëdhënësja e konsorciumit “Bechtel-Enka”, Ela Ruçi, kur është pyetur nëse ky ndryshim është paraparë me kontratë ka dhënë një përgjigje përgjithësuese.

“Marrëdhënia kontraktuale e ‘Bechtel-Enka’-s është institucionale dhe si e tillë i referohemi institucioneve përkatëse. Çdo element i kontratës është konform legjislacionit në fuqi”, ka thënë Ruçi për “Zërin”.

Gazeta ka provuar të kontaktojë edhe me ish-ministrin e Infrastrukturës Lutfi Zharku, mirëpo telefoni i tij ka qenë i paqasshëm.

Dyshimet e ngritura nga deputetët

Ndërkohë nga deputetët të rreshtuar në Komisionin për Zhvillim Ekonomik ky ndryshim i vlerës është parë me mjaft dyshime.

Për më tepër që veprimi është kryer larg syve të publikut dhe kur dihet se kontrata për autostradën “Arbën Xhaferi” nuk është publike.

Anëtarja e këtij Komisioni, Mimoza Kusari-Lila, e cila e ka pasur në duar raportin e ministrit Lekaj, thotë t’i këtë rënë në sy ky detaj që për të cilësohet si i pazakontë. Ndryshimin e vlerës së kontratës në emër të rritjes së TVSH-së Kusari-Lila e ka quajtur “reperkusion” nga kompania ndërtuese.

“Duhet të bëhet publike kontrata në mënyrë që t’i dimë të gjitha reperkusionet tjera, siç është ta zëmë ky për TVSH-në. Me një vendim të Ministrisë së Financave për përshkallëzim të TVSH-së, kjo i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 8.5 milionë euro. Do të thotë një vendim i Qeverisë për implementimin e pakos fiskale”, ka thënë Kusari-Lila për gazetën “Zëri”.

Duke i parë këto, por edhe pretendimin prej 63 milionë eurosh Kusari-Lila ka kërkuar që të gjithë akterët, duke përfshirë ata institucionalë e nga shoqëria civile të bëjnë presion që të publikohet kontrata dhe të sqarohen saktë këto pretendime. Sidoqoftë, në secilin rast Kusari-Lila e ka cilësuar gabim që kompania të paguhet në mënyrë retroaktive për një vendim të Qeverisë.

“Nuk e di pse ka pasur nevojë të ndryshohet vlera e kontratës. Për më tepër që kjo është bërë vetëm ndaj një kompanie duke i diskriminuar të tjerat. Po të ishte kontrata publike do ta sqaronim gjithë këtë”, ka thënë Kusari-Lila duke ngritur dilemën nëse me ketë veprim Qeveria duhet t’i paguajë në mënyrë retroaktive të gjitha kompanitë tjera.

“Pse duhet që vetëm në këtë kontratë të aplikohet ndryshimi i TVSH-së? Pse e njëjta nuk ka vlejtur edhe për kompanitë kosovare? Kjo pikë tregon edhe një herë se sa e dëmshme është kjo kontratë”, ka shtuar ajo.

Ekspertët, të ndarë në qëndrime

Njohësit e ekonomisë janë të ndarë rreth asaj nëse kuletës së shtetit mund ti kthehen këto mjete.

Sipas Hekuran Muratit, kontratat e mëdha që kanë periudhë implementimi më gjatë se një vit është e zakonshme të përmbajnë klauzola të tilla, të cilat ai i quan “defanzive”.

“Këto klauzola sigurojnë se në rast të rritjes së kostove të jashtme, si rasti me TVSH-në, ajo kosto bartet te pala kontraktuese. Duke marrë parasysh që projekti i autostradës ka peshë qindra milionëshe dhe periudhë më të gjatë implementimi është e pritshme të ketë këso klauzolash”, thotë ai.

Ai thotë se meqë kontrata nuk është publike është e vështirë të bëhet vlerësimi se a ka pasur hapësirë që rregullimi i dëmshpërblimeve/penaltive të bëhet më mirë.

“Pjesa shtesë prej 8 milionë eurosh që paguhet si TVSH në fund përfundon në llogari të shtetit, pra shteti paguan dhe shteti e pranon. Andaj kjo shumë nuk duhet të konsiderohet si humbje për taksapaguesit. Mirëpo e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për pjesën tjetër të dëmshpërblimeve/penaltive që po kërkohen të paguhen”, ka thënë Hoxha.

Mirëpo njëjtë nuk mendon Besat Hoxha, njohës i ekonomisë, i specializuar në zbatimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Ai thotë se ky ndryshim i vlerës së kontratës pas ndryshimit të vlerës së TVSH-së nuk mund të thuhet së është praktikë e negocimit të kontratave të tilla. Kjo sepse TVSH-ja është një taksë indirekte.

“Për të gjithë ata që nuk e dinë, TVSH-ja është një taksë indirekte të cilën e paguan konsumatori i fundit, në këtë rast Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Infrastrukturës. Ky veprim i Qeverisë është tejet joprofesional dhe jofavorizues për taksapaguesit”, thotë Hoxha.

Sipas Hoxhës, kontrata për autostradën “Arbën Xhaferi” është nënshkruar në kohë zgjedhjesh dhe më shumë gjasë janë bërë lëshime në negocim.

“Nga kjo vërehet se kontrata është nënshkruar pa u kalkuluar dhe pa u negociuar me kujdesin dhe me nevojën profesionale që një kontratë e tipit të tillë duhet ta ketë. Të mos harrojmë, autostradat janë investimet më të mëdha kapitale që shteti i Kosovës ndërmerr prejse ekziston. Si pasojë e kësaj rezultojnë edhe penalltitë e tjera, për të cilën tashmë u bë publike edhe shuma prej mbi 63 milionë eurosh”, thotë Hoxha.

Duke e pasur parasysh rëndësinë për ekonominë e Kosovës, të kontratave të tilla, Hoxha vlerëson se është jo vetëm e nevojshme, por e domosdoshme që ato të bëhen publike.

“Vetë ideja e mospublikimit të bën të mendosh që negocimi ka qenë amator dhe futja e rezolutave që parandalojnë publikimin e kontratave bëhet pikërisht për shkaqe të mosinformimit të drejtë të atyre që e paguajnë këtë projekt e që janë qytetarët e Kosovës. Si pasojë e këtyre veprimeve, ne tash duhet të paguajmë mbi 60 milionë euro të taksave tona, ndërsa stagnojmë në fushat elementare të jetës”, ka përfunduar Hoxha.