Hetohen lejet e ndërtimit të lëshuara në dy vjetët e fundit

Ekonomia January 24, 2018 - 08:05

Të gjitha lejet e ndërtimit, të cilat janë lëshuar në dy vjetët e fundit, do të hetohen nga Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Vushtrrisë. Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, gjatë takimeve me qytetarët e Vushtrrisë është zotuar se ankesat e tyre sa u përket ndërtimeve të larta në qytetin e Vushtrrisë do të shqyrtohen seriozisht dhe se lejet që janë dhënë për ndërtime të larta do të hetohen, shkruan sot 'Gazeta 'Zëri'. 

Sipas kryetarit Tahiri, do të hetohet mënyra e dhënies së lejeve të ndërtimit, si dhe mënyra e zbatimit të projekteve ndërtimore të kompanive, shumica e të cilave, siç kanë thënë qytetarët, kanë goditur drejtpërdrejt qytetarin, duke prishur ambientin dhe duke dëmtuar mjedisin jetësor.

LEXOE DHE: Letërkëmbimi i “Bechtel”-it për humbjen 63-milionëshe

I pari i Vushtrrisë ka nxjerrë një urdhëresë me anë të së cilës ka kërkuar nga Drejtoria e Urbanizmit që t’i hetojë të gjitha lejet e ndërtimit që janë lëshuar gjatë viteve 2016 dhe 2017, me theks të veçantë lejet e ndërtimit që janë lëshuar gjatë fushatës zgjedhore të dy palë zgjedhjeve, ato nacionale dhe ato të për pushtetit lokal, që janë mbajtur në qershor, respektivisht në tetor të vitit 2017.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se ideja e tij nuk është që të dëmtohen kompanitë ndërtimore dhe se nuk është qëllimi që objektet të cilat janë ndërtuar të rrënohen, por ka siguruar se nëse konstatohen shkelje ligjore kur janë lëshuar lejet e ndërtimit, si dhe shkelje të procedurave, atëherë do të ndërmerren masa.

Ai tha se shumë ndërtesa të larta dyshohet se janë ndërtuar ilegalisht. Sidomos ka dyshime që shumë leje ndërtimi u janë lëshuar kompanive ndërtimore pak para fushatës, por edhe gjatë fushatës zgjedhore të dy palë zgjedhjeve që janë mbajtur në vitin 2017, zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet për pushtetin lokal.

E verifikimin e lejeve të lëshuara në dy vjetët e fundit do ta bëjë Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Vushtrrisë.

“Verifikimi i lejeve të ndërtimit për mënyrën se si janë lëshuar ato, se a janë në pajtueshmëri me ligjet dhe me interesin e qytetarëve është i domosdoshëm. Edhe më përpara, por edhe tani ka shumë ankesa të qytetarëve. Ata nuk janë pajtuar me ndërtimet në mjedisin ku jetojnë, kanë protestuar dhe janë ankuar, por ankesat e tyre nuk janë marrë parasysh. Sidoqoftë, Komuna do t’i hetojë lejet që janë lëshuar dhe do të konstatojë gjendjen në terren për mënyrën se si  janë zbatuar projektet ndërtimore për të cilat kanë lëshuar lejet e ndërtimit. Urbanizmi do t’i shikojë lejet e ndërtimit, do t’i shikojë a u janë përmbajtur ndërtuesit saktësisht procedurave ligjore”, ka thënë kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Ai ka shtuar se qëllimi është që të bëhet një prerje dhe të shikohet gjendja e tanishme dhe me pas të merren hapa për të shkuar përpara

Ai ka shtuar se qëllimi është që të bëhet një prerje dhe të shikohet gjendja e tanishme dhe me pas të merren hapa për të shkuar përpara. 

“Do ta bëjmë një konstatim të asaj që është bërë deri më tani dhe të shikojmë se çfarë hapash do të marrim më tutje. Qytetarët kanë shumë dyshime, ata kanë vërejtur shumë parregullsi. Qytetarët thonë se me ndërtimet që janë bërë ua kanë zënë frymën shtëpive të tyre se praktikisht janë ngufatur, ndërsa dyshojnë edhe në cilësinë e ndërtimeve”, ka shpjeguar kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Në anën tjetër kompanitë ndërtimore të Vushtrrisë urdhëresën e kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, për t’i hetuar lejet e ndërtimit të lëshuara gjatë vitit 2016 dhe të vitit 2017, sidomos të atyre lejeve që janë lëshuar gjatë fushatës zgjedhore nuk e kanë mirëpritur. Ato vlerësojnë se kryetari Tahiri do të ishte shumë më mirë që t’u ndihmojë ndërtimtarëve dhe të shikojë nga e ardhmja sesa të lëshohet në punët që janë kryer e që sipas tyre janë bërë në mënyrë të rregullt.

Përfaqësues të kompanisë ndërtimore “Ariani” kanë vlerësuar se kryetari Tahiri është ngutur me urdhëresën për hetim të lejeve ndërtimore, sepse gjithçka ka shkuar në suaza të ligjit dhe se ndërtimet janë kryer në pajtim me lejet që kanë marrë në Komunë.

“Secili ndërtues besojmë u është përmbajtur projekteve dhe lejeve të ndërtimit me të cilat kompanitë janë pajisur paraprakisht në Komunë. Të paktën ne kemi vepruar në përpikëri me lejet ndërtimore. Do të ishte shumë më mirë që kryetari të na ndihmojë neve ndërtimtarëve sepse vazhdimisht hasim në pengesa të shumta, edhe gjatë procedurave të pajisjeve me leje, por edhe në terren me rastin e ndërtimit. Sidoqoftë ne do të bashkëpunojmë me Komunën, siç kemi bashkëpunuar edhe me pushtetin e kaluar dhe shpresoj shumë se bashkëpunimi do të jetë i dyanshëm”, kanë thënë ata.

Ndryshe, në Komunën e Vushtrrisë në interesimin e “Zërit” se sa mund të jetë numri i objekteve banesore-afariste të ndërtuara gjatë dy vjetëve të fundit me leje, siç thonë “të dyshimta”, nuk kanë mundur të precizojnë. Ata kanë thënë se Drejtoria e Urbanizmit është duke punuar në identifikimin e ndërtimeve dhe të lejeve ndërtimore të lëshuara gjatë vitit 2016 dhe 2017 e pastaj do të dalin me një raport të posaçëm.